Lajme

Kurti e kundërshtoi butë Gjykatën – ligji për KPK-në ishte i mirë, Ministrja do ta rishkruaj

Autori: Gazeta inFokus 18:56 | 30 March 2023

Ndryshe prej Ministres Albulena Haxhiu, Kryeministri Kurti u tregua i përmbajtur karshi Gjykatës Kushtetuese, kur foli për ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të hartuar nga Qeveria e tij, të cilin e rrëzoi Kushtetuesja.

Përveçse nuk e kishte ndërmend të japë dorëheqje, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tregoi se nuk e ka problem ta akuzojë Gjykatën Kushtetuese se po punonte për interesa individualë. Kjo u kuptua në një konferencë të saj, pasi Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të hartuar nga Ministria e Drejtësisë.

Ministrja Haxhiu besonte se ligji për KPK-në ishte i drejtë dhe Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur atë poshtë për shkak se ka më të rëndësishëm interesin individual të ndokujt prej anëtarëve të KPK-së.

-Advertisement-

Është paradoksale se në pikën e parë të njoftimit, Kushtetuesja konstaton se përbërja aktuale e KPK-së është korporatiste, por në pikën e fundit thotë se nuk mund t’u ndërpritet mandati anëtarëve përmes shortit siç e kemi paraparë ne. Për Kushtetuesen më i rëndësishëm është interesi individual i anëtarëve të KPK-së dhe jo i të gjithëve, por vetëm disa prej tyre, sesa interesi i përgjithshëm, sesa ndalimi i korporatizmit në një institucion të rëndësishëm për qytetarët, për vetë sistemin e drejtësisë në përgjithësi”, tha Haxhiu.

Siç ndodh rëndom, kur një zyrtar i lartë shtetëror shkel Kushtetutën, të tjerët, kryesisht opozita, i kërkojnë që të japë dorëheqje, nëse nuk e bën vetë. Njësoj ndodhi edhe me ministren Haxhiu, por ajo tregoi se nuk e konsideron këtë dhe se nuk ndihet se ka bërë ndonjë gabim.

Ndryshe nga ministrja, Kryeministri Albin Kurti është i gatshëm që të reflektohet mbi ligjin e hartuar, që e hodhi poshtë Kushtetuesja, ndonëse beson se ligji ishte i mirë. Ai ka thënë mbrëmë se tani, ligji do të rishikohet dhe riformulohet, duke i përfshirë vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese.

“Ministrja Haxhiu krijon grup punues për ta rishkruar projektligjin dhe për ta sjellë në Kuvend të Republikës”, ka thënë Kurti.

“Unë besoj që ai projektligj, që është bërë ligj, ka qenë i mirë. Sepse, kemi nevojë për reforma në drejtësi. Gjykata Kushtetuese nuk po beson se ka qenë i mirë, ose i drejtë. Tash çfarë duhet bërë? Le ta lexojnë Ministria e Drejtësisë, se ajo e ka sponsoruar këtë gjë dhe le të ma sjellin mua si Kryeministër, a ka pasur mundësi që të gjendet një formulim, i cili i përfshi vërejtjet që na i paska dhënë Gjykata Kushtetuese. Nëse kjo nuk është e mundshme, atëherë duhet vendim i ri politik. Nëse kjo është e mundshme, kryhet me Ministrinë e Drejtësisë dhe grupin e saj punues që e sjellin projektligjin te unë” , ka thënë Kurti në RTV Dukagjini.

Çfarë ndodhi me ligjin për KPK?

Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë përpjekjen e Qeverisë për ta reformuar sistemin e drejtësisë, ndër tjerash, duke ua ndërprerë mandatin prokurorëve.

Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për të cilin ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thoshte se i hapë rrugë reformave të thella në sistemin e drejtësisë, është shpallur i pavlefshëm të premten pasdite nga Gjykata Kushtetuese.

Disa nene të këtij ligji janë vlerësuar se janë në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës. Sipas aktgjykimit, ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit, kompetencat e Kuvendit, rolin e Avokatit të Pupullit, barazinë para ligjit e nenin për Këshillin Prokurorial.

Më saktë, ligji i kontestuar u vlerësua se bie ndesh me Kushtetutën e vendit fillimisht në çështjen e kompetencës që i jep Avokatit të Popullit për ta zgjedhur një nga anëtarët jo-prokurorë të KPK-së.

Aktgjykimi sqaroi se as mënyra e përcaktuar e vendimmarrjes së Këshillit sipas Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën. Ajo e ndërvarte vendimmarrjen e KPK-së me vullnetin politik të shumicës së deputetëve në Kuvend, pasi ata përcaktohej se do t’i zgjidhnin me shumicë të thjeshtë anëtarët jo-prokurorë të këtij institucioni.

“Gjykata thekson që një zgjidhje e tillë, nuk është as në përputhje me Opinionet e Komisionit të Venecias, as me pavarësinë kushtetuese të garantuar për Këshillin sipas paragrafit 1 të nenit 110 të Kushtetutës, as me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve në një shtet demokratik. Për pasojë, Aktgjykimi sqaron që mënyra e përcaktuar e vendimmarrjes së Këshillit sipas Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në papërputhshmëri me Kushtetutën u shpall edhe mënyra e përcaktuar e vendimmarrjes së KPK-së, sipas ligjit.

Sipas ligjit, përcaktohej që gjashtë prej nëntë prokurorëve aktualë në KPK do t’iu ndërpritej mandati. Tre, të cilët do të mbeteshin aty deri në përfundim të mandatit, do të përzgjidheshin me një short, siç thoshte ministrja Albulena Haxhiu. Për plotësimin e përbërjes së KPK, do të organizoheshin zgjedhje në nivel të të gjitha prokurorive ku mund të votojë secili prokuror.

Në këtë pikë, Kushtetuesja përmend opinionin e Komisionit të Venecias, duke thënë se “përfundimi i parakohshëm i mandateve duhet të jetë gjithmonë i lidhur me një shkelje të identifikueshme ose dështim në kryerjen e detyrës të anëtarit përkatës dhe të ndjek bazën, përfshirë procedurën kushtetuese/ligjore për shkarkim apo përfundim të mandatit sipas së cilës janë fituar” sepse në të kundërtën, “ndërprerja e mandateve të institucioneve kushtetuese, do të mund të varej në vazhdimësi nga preferencat e pushtetit ekzekutiv dhe/ose legjislativ”.

PDK-ja dhe LDK-ja që e kishin çuar këtë ligj në Kushtetuese e konsideruan vendimin si triumf ndaj kapjes së drejtësisë. /Express

 

 

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera