Lajme

Kurti e kishte ditur për dy marrëveshjet me Serbinë, e kishte lajmëruar Abdixhiku

Autori: Gazeta inFokus 22:39 | 19 February 2020

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë në dijeni të marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë për hekurudha dhe autostrada. Këtë ai e kishte mësuar nga ministri i tij.

Gazeta Express mëson nga burimet e saj se Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, e ka vënë në dijeni kryeministrin për marrëveshjet e lidhura në Munih.

Në Munih të Gjermanisë, delegacione nga Kosova dhe Serbia, kanë nënshkruar dy letra të shprehjes së interesit, atë për autostrada dhe hekurudha përmes të cilave dy vendet shprehën gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe dnërtimin e rrugëve të reja që lidhin shtetin me rajonin dhe me BE’në.

-Advertisement-

Këto marrëveshje u nënshkruan me ndërmjetësimin e të Dërguarit Special për dialogun Kosovë-Serbi nga Shtëpia e Bardhë, Richard Grenell.

Por Kurti kishte thënë se nuk ka qenë pjesëmarrës në negociata, dhe për këtë marrëveshje kishte rezerva.

“Unë vetëm po tregoj rezerva, për shkak se nuk kam qenë pjesëmarrës në negociata për këto letra të interesit. Natyrisht se ne na duhet lidhje, infrastrukturë më e mirë, autostrada dhe hekurudha. Por, sërish, punëtorët civilë që nënshkruan këto marrëveshje nisën negociatat gjatë qeverisë së kaluar dhe faktikisht i përmbyllën ato pa pjesëmarrjen tonë dhe ne jemi në qeveri për më pas se dy javë”, tha Kurti në një prononcim.

Po ashtu në një prononcim tjetër, Kurti kishte thënë se marrëveshjet janë arritur nga zyrtarë të ish-ministrit të Transportit, Pal Lekaj.

“Sot në Berlin janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare”

“Sado që të gjitha lidhjet dhe avancimi i standardeve të infrastrukturës janë të domosdoshme për zhvillim të vendeve tona dhe pjesë e vizionit Evropian për bashkëpunim rajonal dhe marrdhënie të fqinjësisë së mirë, megjithatë është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së”, shtoi ai.

Tutje ai ka thënë se këto marrëveshje do të analizohen nga qeveria.

Për palën kosovare, marrëveshjet për autostradën dhe hekurudhat i kanë nënshkruar Xhemë Veseli, drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupeva, drejtor i Infrastrukturës Rrugore. Kurse nga pala serbe, të dy marrëveshjet i ka nënshkruar drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëse doktor Mitrev do të përdorte hemofiltrimin me qëllim që të mashtruar pacientët, do t’i kishte mashtruar të gjithë 1738…

Të tjera