Ekonomi

Kurti e injoron gazin amerikan, këmbëngul në përdorimin e thëngjillit

Autori: Gazeta inFokus 17:00 | 15 September 2021

Orientimi i Qeverisë së Kosovës për revitalizimin e Termocentralit më të vjetër në Ballkan, “Kosova A” është parë si përgjigje refuzuese për projektin e gazit amerikan nga Administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kështu i kanë thënë Gazetës Infokus burime të afërta me zyrën e kryeministrit Albin Kurti.

Sipas këtyre burimeve, përgjigja refuzuese në kërkesën për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit të vitit 2020, mes Kosovës dhe Serbisë nga ku derivon projekti i për ndërtimin e Termocentralit me LNG (Gas Natyror), dhe kyçja në rrjetin e gazit amerikan ka vënë në rrezik tërë përkrahjen për infrastrukturën e gazit natyrorë.

-Advertisement-

Ndër vendimet e para të Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës ishte përgatitja e draft dokumentit teknik lidhur me Termocentralin ‘Kosova A” dhe përgatitja e draft- letrës për shprehjen e interesit lidhur me rindërtimin e këtij termocentrali, edhe pse në vazhdimësi ishte kërkuar dekomisionimi i menjëhershëm i tij për shkak të vjetërsisë.

Qeveria e Kosovës ka vendosur të heshtë lidhur me këtë çështje, ndërsa mësohet se në përgjigjen që i kanë kthyer diplomacisë amerikane kanë shprehur orientimin strategjik të Kosovës në shfrytëzimin e resurseve të thëngjillit për burimet e reja energjetike.

Për gati një javë, nga Zyra e Kryeministrit nuk kanë dhënë përgjigje për Gazetën Infokus lidhur me obligimet që kanë për realizimin e projekteve të dakorduara me Korporatën Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit.

Marrëveshja e Uashingtonit specifikon se Korporata Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC) do të jetë një shërbim financiar për financim të projekteve infrastrukture, por edhe për projekte shtesë dypalëshe në Kosovë dhe Serbi, siç janë terminali dhe tubacioni i gazit.

Përveç kësaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë deklaruar me prioritet sektorin e energjisë dhe në Kosovë tashmë kanë miratuar 200 milionë euro përmes fondeve të MCC-së për këtë sektor.

Por, kjo siç duket nuk ka qenë mjaftueshëm bindëse për Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, e cila siç mëson Gazeta Infokus nuk është shprehur e gatshme që tani për tani të fokusohet në përdorimin e gazit.

Siç ka konfirmuar javën e kaluar në një debat televiziv ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, ende nuk ka një vendim përfundimtar dhe ende janë duke u shqyrtuar mundësitë nëse duhet të investoi Kosova 3 miliardë euro për të ndërtuar infrastrukturën shpërndarëse të gazit që nuk ekziston fare në Kosovë.

E në anën tjetër, Korporata Energjetike e Kosovës po vazhdon përgatitjet për të revitalizuar Termocentralin “Kosova A”, shkruan Gazeta Infokus.

Në bazë të strategjisë paraprake të energjisë, “Kosova A” do të mbyllej menjëherë pas fillimit të operimit të termocentralit të ri ‘Kosova e Re’.

Por, tani që projekti për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike ka dështuar dhe shteti po përballet në arbitrazh me padinë e kompanisë amerikane Contour Global, dekomisionimi i “Kosovës A” duket se nuk do të ndodhë.

Ky termocentral për shkak të vjetërsisë është cilësuar nga Banka Botërore si një nga ndotësit më të mëdhenj në Evropë dhe që duhej mbyllur sa më shpejtë.

Edhe në Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2019, përcjellur nga ai i vitit 2020, kërkohej fillimi urgjent i përgatitjeve për dekomisionimin e “Kosovës A”, shkruan Gazeta Infokus.

Raport tjetër i mëhershëm i Komisionit Evropian mbi dekomisionimin e këtij termocentrali, në pjesën e konkluzave thotë se rivitalizimi i “Kosovës A” është thjeshtë ekonomikisht i parealizueshëm.

‘Njësitë e termocentralit ‘Kosova A’ kanë tejkaluar të gjitha afatet e mundshme kohore dhe investime të mëdha duhet bërë vetëm për t’i sjellë në standardin e lejuar mjedisor. Kjo është ekonomikisht e parealizueshme’, thuhet në raportin e Komisionit Evropian, që qysh në vitin 2009 kishte paralajmëruar dekomisionimin e këtij termocentrali.

Termocentrali “Kosova A” ka 5 njësi të ndërtuara gjatë viteve të 60-ta dhe fillim të viteve 70-ta të shekullit të kaluar. Për momentin, vetëm njësitë A3 dhe A5 operojnë, deri sa njësia A4 është jashtë prodhimit nga prilli 2009, për shkak të problemeve në transformator. Ndërkaq, njësitë A1 dhe A2 nuk janë në përdorim tash e një kohë të gjatë.

Termocentrali që ka tejkaluar gjysmë shekulli së operuari, tanimë ka të gjitha afatet e jetëgjatësisë të tejkaluara dhe sipas një numri raportesh, duke përfshirë edhe ato të Bankës Botërore, “Kosova A” është ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
A prishet cilësia e gjumit nëse pini kafe në mbrëmje?
-Advertisement-

Të tjera