Lajme

Kurti dikur kampion i të drejtave të punëtorëve, si Kryeministër po i shkel ata

Autori: Gazeta inFokus 18:21 | 25 August 2022

Albin Kurti sa ishte opozitar i kishte për qejf sindikatat, diskutimet për të drejtat e punëtorëve dhe pagat e tyre. Për shkak edhe të bindjeve që ideologjike që thoshte se i kishte, atyre ua arsyetonte grevat duke fajësuar pushtetet. Të mërkurën, kur BSPK dhe dega e saj e fuqishme, SBASHK, vendosën që sektori publik të hyjë në grevë deri sa t’u plotësohen kërkesat për rritje të pagave 100 euro, Kurti bëri një manovër që s’e kanë bërë kryeministrat tjerë për ta shtypur grevën, u tha atyre do t’u pezullohen pagat. Pas këtij kërcënimi, Kurti u quajt autokrat që po e rrezikon demokracinë dhe shtetin.

Sot ka nisur greva e mësimdhënësve, edukatorëve të kopshteve publike, punëtorëve të administratës publike dhe shërbyesve civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

Kjo grevë është paralajmëruar qe disa javë, pas mosplotësimit të kërkesës për 100 euro shtesë deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.

-Advertisement-

Pas hyrjes në grevë, Qeveria i ka kërcënuar grevistët se do t’i lë pa paga. Në media sot është publikuar një dokument, që u ka shkuar grevistëve nga zv.sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu, në të cilin thuhet se të gjithë ata që i janë bashkuar kësaj greve duhet të pezullohen nga paga.

Spahiu e ka konfirmuar për Gazetën Express se ajo email ka qenë zyrtare dhe, beson ai, sipas dispozitës ligjore.

Duke e cituar nenin 18, pika 1, i cili thotë se “Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet, që rrjedhin nga Kontrata e Punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”, U.D i Sekretarit beson se një punëtor që hyn në grevë nuk duhet të paguhet.

“Pra, kjo i bie që edhe nëse për një orë një zyrtar është në grevë, për një orë nuk ka përgjegjësi për të punuar dhe nuk paguhet”, thotë Spahiu.

Për kërcënimin e Qeverisë ka reaguar kreu i BSPK’së, Atdhe Hykolli, i cili e ka quajtur këtë gabim të madh.

“Partneri ynë Social – Qeveria po kërcënon grevistët dhe kjo është antiligjore se shkelet ligji për grevat, LIGJI Nr. 03/L-200, Neni 11, 13 dhe 18, e mbi të gjitha kjo nuk është aspak e mirë.

Të kërcënosh grevistët e qetë dhe në të drejtën e tyre është shkelje e normës dhe parimeve të shtetit demokratik e juridik dhe mbi të gjitha marrje e së drejtës për grevë – me fjalë të tjera është gabim shumë i madh”, ka thënë Hykolli, i cili i ka kërkuar Qeverisë që të ulet në tavolinën e dialogut e të dal me një zgjidhje.

Ndërkohë, kreu i SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj, tha se Qeveria mund ta plotësojë këtë kërkesë, por se s’po ka vullnet.

Ai deklaroi se s’do të lëshojnë pe deri në miratimin e kërkesave.

“Qeveria me dasht mund t’i realizojë kërkesat tona, e jo të vajtojë “po mbesin fmija rrugëve, po mbesin pa shkollë, po mbetet qytetari pa e nxjerr një dokument”. Që sot, e të shtunën e të dielën, Qeveria le të ulet me ne, le të arrijmë marrëveshje të pranueshme, situate qetësohet. Nëse jo, ne jemi në rrugë të Zotit dhe s’kemi pas rrugë tjetër…Të dorëzohemi nuk e kemi mendjen, prandaj e kemi zgjedh rrugën tjetër që na e thotë ligji, të shkojmë në greva të përgjithshme. Ne nuk do të lëshojm pe, po ju betohem para mediave. Uroj që Qeveria të këndellet, e të fillojë me zgjedhjen e kërkesave tona që janë legjitime”, tha Jashari, gjatë një vizite të Këshillit grevist të BSPK-së tek çerdhja “Yllkat”.

Për grevën e paralajmëruar, u deklarua dje edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se tash nuk është koha për grevë, por për punë.

“Kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike tash kur Ligji për pagat është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa shtesë është gabim. Nuk është koha për greva, është koha për punë. Është koha që sindikatat të bëjnë gati komentet e tyre për ligjin për paga. Ne duam sindikata jo spektatore, por pjesëmarrëse dhe jo vetëm për shërbyesit civil, por edhe për zyrtarët publikë kur ai të del në konsultime… Duam që të vazhdoj dialogu social, mirëpo nuk mendojmë që është koha e grevave dhe bojkoteve”, deklaroi Kurti.

Për kërcënimin e Qeverisë për grevistët është deklaruar edhe juristi Ehat Miftaraj.

Ai i ka dhënë interpretim krejt tjetër pikës së nenit për “Efektet e grevës së ligjshme”, që iu referua Hyseni.

“Neni 18 pika 1 e Ligjit për Grevat, nënkupton se pezullohen detyrimet e punëtorit për të përmbushur obligimet që dalin nga kontrata e punës”, ka shkruar sot Miftaraj në Facebook.

“Neni 18 pika 1 e Ligjit për Grevat, në asnjë rrethane nuk nënkupton se pezullohen obligimet e shtetit, apo punëdhënësit në sektorin privat të pezullojë të drejtat e punëtorit në pagë dhe beneficione tjera që rrjedhin nga kontrata e punës, gjatë kohes se greves se ligjshme”, thotë ai.

Sipas juristit, pezullimi i pagave nga ana e shtetit ndaj punëtorëve që hyjnë në grevë të ligjshme, “është cenim i rendë i të drejtave të punëtorëve, e papare ne nje shtet demokratik, ose nga një parti politike që ka promovuar shtet social”.

Në emailin që e ka publikuar sot Front Online, Spahiu kërkonte një listë të punëtorëve që kanë paralajmëruar grevë.

“Komunikoni me drejtorë dhe kujdesuni të kemi një listë të personave në grevë (meqë duhet të pezullohen nga paga sipas nenit 18, paragrafi 1, i Ligjit për Greva”, thuhej në atë email.

Në fund, zyrtari i lartë i Ministrisë ka shkruar se kjo “s’duhet të keqkuptohet kjo”, pasi po e bëjnë për zbatim të ligjit.

Ndryshe, kur SBASHK’u kishte dhënë paralajmërimin për grevë kishte reaguar Ministrja e Arsimit, Shkencs dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, e cila e kishte quajtur “kërcënim” këtë paralajmërim.

“Kërcënimi me grevë për 1 shtatorin, ditën e parë të mësimit për vitin 2022 – 2023 është i papranueshëm. Çfarë do të mbërrihet me çfarëdo greve është vetëm dëmtim i procesit të mësimit për fëmijët tanë.

Rezultatet në arsim nuk janë ato që i dëshirojmë. Duhet shumë punë e përkushtim nga të gjithë, në mënyrë që të kemi ndryshime positive”, kishte shkruar Nagavci.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ

Të tjera