Opinione

Kursi i ardhshëm i Evropës

Autori: Gazeta inFokus 20:15 | 12 August 2022

Evropa është e varur shumë nga importi i energjisë dhe eksportet. Rënien demografike dhe plakjen e popullsisë Evropa e ka tanimë simptomatike ashtu siç e ka rënien graduale por të sigurtë të shërbimeve sociale.

Shkruan: Agron HOTI

Prandaj, sfidat e Evropës gjatë tërë shekullit 21 do të jenë kryesore tri:

-Advertisement-

1. Sigurimi i energjisë;
2. Investimet në siguri brenda dhe përreth saj për të siguruar eksportet;
3. Sigurimi i fuqisë së re punëtore të pranueshme për qytetarët e saj.

E ardhmja e Evropës do të jetë gjithnjë e më e cenueshme në aspektin ekonomik nga fuqitë në rritje aziatike, të cilat do t’ia marrin tregjet e Evropës në Azi dhe jo vetëm. Prishja e raporteve me Rusi automatikisht e riorienton Evropën kah Lindja e Mesme, Turqia, Vendet e Magrebit (Algjeri, Maroku, Tunis, Mauritani) dhe Egjipt, pra riorientim ky kryesisht kah Vendet Arabe dhe Turqia.

Vendet Arabe dhe Turqia ja zbusin tri sfidat e Evropës, sepse:

– kanë rezervat më të mëdha në glob të energjisë për të cilën Evropa ka shumë nevojë;
– kanë popullsi të reja (të bardha) për të cilat Evropa do të ketë gjithnjë e më shumë nevojë për të mbajtur gjallë ekonomitë e saj dhe karakterin e saj social; dhe
– kanë konsum gjithnjë e në rritje ku Evropa mund të eksportojë.

Pikërisht për këto mundësira të mëdha që i ofrojnë Vendet Arabe dhe Turqia, Evropa krahas rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe investimeve të dyanshme ka filluar edhe me intensifikimin e lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve arabë e turq drejt Evropës. Lehtësimi do të mund të lëvizë në drejtim të liberalizimit të plotë të vizave për qytetarët e Vendeve Arabe dhe Turqisë. Mos të harrojmë se Maroku kishte aplikuar për anëtarësim në BE qysh në vitin 1987. Për dallim prej Vendeve Arabe, BE me Turqinë kah edhe Union Doganor që lehtëson shkëmbimet tregtare. Me një fjalë Evropa e shekullit 21 do të lidhet gjithnjë e më shumë me Vende Arabe dhe Turqinë.

Këtë riorientim të Evropës kah Vendet Arabe dhe Turqia mund ta balansojë vetëm demokratizimi i Rusisë, i cili demokratizim do të mund të ketë efekte zinxhirore demokratizimi në të gjitha ish-Republikat Sovjetike, të cilat Rusia vazhdon t’i mbajë edhe sot të kontrolluara si pararojë e kufijve të saj, shih luftën në Ukrainë.

Nuk duhet harruar se vendet e fuqishme të Evropës do të jenë në konkurrencë se kush me kë po lidhet me shumë. Përderisa Franca, Spanja e Italia për shkak të afërsisë gjeografike dhe arsyeve historike do të rrisin bashkëpunimin me Vendet e Magrebit dhe Egjiptin, Gjermania në anën tjetër do të forcojë lidhjet me Turqi dhe Lindje të Mesme. Humbja e Rusisë në Ukrainë dhe integrimi i Ballkanit në BE e minimizon ndikimin rus në Ballkan, por e rrit ndjeshëm ndikimin e Turqisë dhe Vendeve Arabe që do të jenë në raporte të mira me BE. Sa më shumë të zgjasë lufta në Ukrainë aq më shumë do të rritet bashkëpunimi politik dhe ekonomik mes Evropës dhe Vendeve Arabe e Turqisë.

Sfidat e qeverive aktuale dhe të ardhshme të vendeve të Evropës do të jenë përgatitja e opinioneve të brendshme të tyre për këtë ndryshim të madh kursi. Në njërën anë do të kemi qeveritë e vendeve të Evropës, statistikat zyrtare të të cilave do të flasin për nevojat në rritje për fuqi të re punëtore, tregje dhe energji, ndërsa në anën tjetër do të kemi rezistencë qytetare ndaj hapjes së Evropës ndaj Vendeve Arabe dhe Turqisë. Fundja, qytetarëve të vendeve të Evropës as që do t’iu bëjë se a kanë apo jo nevojë vendet e tyre për fuqi punëtore, tregje dhe energji. Dhe kjo do të jetë sfida më e madhe e të gjitha qeverive të vendeve të Evropës gjatë tërë shekullit 21.

E duke qenë se sfidat e SHBA-së pas luftës në Ukrainë do të jenë kryesisht të orientuara në Azi Jugore, Lindore dhe Juglindore, atëherë çfarëdo rritje bashkëpunimi mes Evropës dhe Vendeve Arabe e Turqisë mund të jetë edhe interes i SHBA-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera