Lajme

Kur duhet ta vrasim hajnin?

Autori: Gazeta inFokus 17:24 | 01 December 2018

Opinion nga Arianit Koci

As hajnin dhe askënd tjetër s’bën ta vrasim bazuar në rregulla primitive të rregullimit shoqëror. Qoftë larg edhe duke u bazuar në Kanun. Shoqëritë, edhe kjo e jona, me gjithë të metat, duhet të ecin drejt zbatimit të normave të demokracive më të zhvilluara. Në këtë frymë duhet shpjeguar edhe vrasja e një personi, në rastin konkret të një hajni.

Në mëngjesin e 28 Nëntorit, festës sonë kombëtare, u zgjuam me një lajm nga kronika e zezë. Nuk e cilësova lajmin si fenomen në vetvete, por për faktin se është lajm që përben kronikë të zezë, sigurisht se nuk është lajm i mirë. Këtë lajm e bëri edhe më të keq humbja e jetës të një 40 vjeçari, në mënyrën të cilën nuk ia kishim dëshiruar, sigurisht, askujt.

-Advertisement-

Sidoqoftë, insitiktivisht, gati të gjithëve, për një moment na vjen një impuls me thënë: mirë ja ka bërë. Ka vjedhur. Prona është e shenjtë. Sintagma të ngjashme, kemi dëgjuar shumë këto ditë

Por, ky diskurs është i tejkaluar; mendësi e shekullit të kaluar dhe në një formë po e legjitimon marrjen e drejtësisë në duar të individit.

Për më tepër, vrasja e cila ndodhi si pasojë e tentimit të një vjedhje, ende të pasqaruar në rrethana konkrete e faktike, morri bujë në suaza të ndjenjës kanunore. Kjo ndjenjë kanunore, sa fisnike aq edhe treguese e mbetjeve reliktike të mendësisë sonë shoqërore, ka hapur vend e pavend diskutime mbi ngjarjen se si pronari i objektit ku u tentua të kryhet vjedhja, vrau në “vetëmbrojtje” njërin nga pjesëmarrësit e tentativës për realizimin e vjedhjes. Privimi nga jeta e “hajnit” filloi të glorifikohet nga aspekti kanonik, për ta kamufluar edhe juridikisht në zhargonin popullor që njihet si vetëmbrojtje, ndërsa në gjuhën penalo-juridike si mbrojtje e nevojshme.

Jeta është dukuria më e rëndësishme fiziologjike e sociologjike e shoqërisë njerëzore. Ajo është e drejtë e karakterit natyror. Konsiderohet nga disa teoricentë si kërthiza e të gjitha të drejtave të tjera natyrore të njeriut. Jeta është fakti kryesor i ekzistencës sonë. Dhe pa këtë ekzistencë nuk mund të flasim për asnjë fenomen shoqëror pa u respektuar kjo e drejtë. Është parakusht i çdo të drejte tjetër, ngase çdo e drejtë e merr kuptimin vetëm për personat që janë gjallë. Sepse përderisa janë gjallë ato janë subjekte të së drejtës. I vdekuri nuk është subjekt i së drejtës, edhe pse pasoja e vdekjes së tij si fakt, krijon disa raporte post mortum.

Në mbrojtje të pronës, nuk mund t’i merret jeta askujt.

Në të drejtën kontinentale, sistem i së drejtës në të cilin bëjnë pjesë shumica absolute e shteteve të Evropës, kanë akceptuar postulatet mbi të cilat e drejta në jetë është kurore e të drejtave të tjera që janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Këto janë produkte të mendimeve filozofike të shekullit XVII dhe XVIII që e kanë krijuar një sistem të vlerave i cili fillon nga Karta Franceze mbi të Drejtat Qytetare, e deri tek Konventa mbi të Drejtat e Njeriut. Ky sistem i vlerave dhe të drejtave ka bërë jetën si një nocion të pamohueshëm dhe të pacenueshëm. Nuk ka asnjë e drejtë, madje edhe ajo e pronës e cila e mbivalon këtë të drejtë. Kjo madje ishte edhe fryma e cila sot e lufton dënimin me vdekje, si dënim përfundimtar dhe i pakthyeshëm.

Kodi jonë penal, mbrojtjen e nevojshme e ka sanksionuar me dispozitën e Nenit 12. Madje dispozitat e Kodit Penal, veprën e kryer në mbrojtje të nevojshme nuk e konsideron si vepër penale, ngase rrethanat në të cilat kryhet ajo konsiderohet se është përjashtuar kundërligjshmëria si një nga elementet thelbësore të secilës vepër penale. Mirëpo, për tu konsideruar se veprimi është kryer në mbrojtje të nevojshme, veprimi i tillë nevojitet të kryhet nën disa kushte faktike të cilat e përjashtojnë kundërligjshmërinë. Ky përjashtim kushtëzohet nëse mbrojtja ka qenë e domosdoshme, për ta zmbrapsur sulmin e kundërligjshëm, real dhe të atëçastshëm ndaj vetës ose personit tjetër me kusht që karakteri i mbrojtjes të jetë në proporcion me shkallën e rrezikut që paraqet sulmi.

Pra janë një sërë kushtesh që duhet të përmbushën në mënyrë kumulative (duke u përmbushur të gjitha kushtet pa përjashtim), për tu konsideruar se kundërligjshmëria e veprimit të caktuar përjashtohet. Për të ardhur deri në konstatimin se veprimi i cili në parim është i kundërligjshëm (ta zëmë vrasja e një njeriu) konsiderohet se është kryer në mbrojtje të nevojshme, duhet të vërtetohen një sërë të çështjeve faktike e që ndërlidhen me domosdoshmërinë e një veprimi të tillë, ekzistimit të sulmit të kundërligjshëm, real dhe i cili ndodh aty për aty, i cili është i drejtuar ndaj personit që ka ndërmarrë një veprim të tillë apo personit të tretë, dhe në fund që të konsiderohet se ekziston proporcioni në mes të veprimit që ndërmerret për ta zmbrapsur sulmin, me pasojën të cilës i përjashtohet kundërligjshmëria.

Pa hyrë në detale të rastit, vetëm nga ajo që kemi dëgjuar nëpër medie, nëse eventualisht pronari i objektit ka shtënë në vjedhësit duke ikur ata, nuk mund të bëhet fjalë për mbrojtje të nevojshme.

Madje, kërkesë ligjore është që veprimi i tillë ( e shtëna me armë në vjedhësin) të jetë i domosdoshëm dhe se nuk ka ekzistuar një alternativë tjetër për të vepruar ndryshe.

Në rastin e vrasjes dhe plagosjes të dy nga katër pjesëmarrës, siç aludohet për rastin e fundit, duhet theksuar se jo domosdoshmërisht dhe apriori rasti mund të kualifikohet si mbrojtje e nevojshme (vetëmbrojtje). Natyrisht, deri me tani, e kemi dëgjuar vetëm versionin e njërës palë. Për këtë arsye, të gjithë, duke e përfshirë edhe prokurorinë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm në trajtimin publik të kësaj ngjarjeje.

Më shqetësuese se kjo është stimulimi i vrasjes si fenomen. Veprat penale apo siç quheshin dikur deliktet e gjakut, janë veprat penale me pasojën më të rëndë në gjithë korpusin e veprave që janë sanksionuar me norma penale. Në anën tjetër, ligjvënësi është kujdesur që me përcaktimin e veprave penale të veçanta kundër pasurisë të sigurohet ndëshkimi edhe i kryesve të veprave kundër pasurisë. Mirëpo duhet kuptuar se asnjë pasuri nuk është më shumë e çmueshme sesa jeta e njeriut, kushdo qoftë ai dhe ckado që të ketë bërë ai.

Ky postulat është edhe shembull se është krijuar parimi mbi të cilin është bërë angazhimi shekullor i heqjes së dënimit me vdekje. Kritikët e dënimit me vdekje krahas kritikës mbi pamundësinë e korrektimit të dënimit me vdekje e bazojnë kundërshtimin e tyre edhe në faktin se shteti nuk duhet të jetë shembull i legjitimimit të privimit të jetës. Mirëpo, shoqëria jonë ende mendon ndryshe. Ne jemi ende nën shembujt se si dënimi me vdekje i frikëson të tjerët nga kryerja e veprave penale, e që realisht nuk ekziston një fakt i vetëm empirik se dënimi me vdekje ka kontribuar në uljen e kriminalitetit. Ne ende jemi në mendësinë se, “mirë ja ka bo” dhe fakti se është cënuar prona ekziston legjitimimi suprem për të përjashtuar çdo përgjegjësi për ta privuar tjetrin nga jeta.

Secili nga ne jemi njerëz. Këtë duhet ta ndjejmë dhe ta përjetojmë. Ky përjetim duhet të ekzistojë edhe në qëndrime në raport me fenomenet shoqërore. Jeta e njeriut është mbi të gjitha. Nuk ka diç më me vlerë. Ngase jeta është burim i të gjitha vlerave të tjera.

Prandaj, rastet si ky i fundit sado që na revoltojnë dhe na prekin të gjithëve –hajnat nuk i do askush, dhe në Kosovë vërtetë e kanë tepruar, duhet të presim derisa të vërtetohen të gjitha rrethanat faktike dhe juridike. Ftesat dhe ovacionet për vetëgjyqësi janë në kundërshtim me frymën demokratike të mishëruar në sistemin tonë juridik.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë

Të tjera