Sport

Kur do t’i marrë klubi i Dukagjinit 60 mijë eurot e premtuara nga kryetari i Klinës?

Autori: Erion Maliqaj 17:13 | 06 September 2021

Kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ua kishte premtuar një premi prej 60 mijë eurosh futbollistëve të klubit të Dukagjinit në rast se do të inkuadroheshin në elitën e futbollit kosovar, shkruan Gazeta inFokus.

Këtë objektiv ata e kanë arritur qysh para tre muajve.

Por, edhe pse është bërë një kohë që Dukagjini është rikthyer në Superligë, ‘Hithat’ ende s’i kanë marrë mjetet e premtuara nga Elezaj.

-Advertisement-

Megjithatë, klinasit tashmë mund të shpresojnë në arkëtimin e këtyre mjeteve të premtuara nga i pari i komunës së Klinës.

Kjo pasi kryetari i klubit të Dukagjinit, Fabian Veseli, tashmë e ka nënshkruar kontratën me komunën e Klinës për arkëtimin e këtyre mjeteve.

Lajmin e ka bërë të ditur vet Veseli në një prononcim ekskluziv për Gazetën inFokus.

“Akoma nuk i kemi marrë mjetet e premtuara nga kryetari, por shumë shpejt pritet t’i arkëtojmë, pasi dy ditë me parë kemi nënshkruar kontratën me komunën për pranimin e mjeteve financiare të premtuara nga kryetari Elezaj”, ka deklaruar Fabian Veseli.

Dukagjini i Klinës tashmë ka filluar sezonin e ri në elitën e futbollit kosovar, ku në dy ndeshjet e para ka arkëtuar vetëm një pikë pas barazimit në udhëtim te Ballkani, kurse në sfidën tjetër ka humbur në shtëpi nga Drenica./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera