Lajme

Kur do të shpallën rezultatet përfundimtare nga KQZ

Autori: Gazeta inFokus 15:09 | 18 October 2021

Procesi i numërimit të fletëvotimeve është përmbyllur të dielën në mbrëmje në të gjitha vendvotimet në Republikën e Kosovës.

Rezultatet preliminare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet e subjekteve politike për Kuvende Komunale janë shfaqur në aplikacionin e KQZ-së. Ka edhe raste kur nuk janë procesuar të dhënat nga disa vendvotime. Këto janë raste sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi janë të rralla, por po përpiqen që të bëhet sa më shpejt përditësimi i tyre.

“Aktualisht, pasi të dielën në mbrëmje janë përmbyllura të gjitha procedurat në vendvotime, përfshirë edhe numërimin e fletëvotimeve nga Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe atyre për Kuvende Komunale, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po bëhet pranimi i materialit zgjedhor nga të gjitha vendvotimet”, ka thënë Elezi.

-Advertisement-

Sipas tij, ky proces është i rëndësisë së veçantë, pasi përmes tij do të dijmë për gjendjen e çdo vendvotimi dhe natyrisht se mund të evidentohen edhe parregullësitë eventuale. Në fund të pranimit të materialit zgjedhor, do të kemi një raport të detajuar lidhur me gjetjet.

“Përveç pranimit të materialit zgjedhor, aktualisht po bëhet edhe futja e të dhënave në sistem nga këto vendvotime. Ligji për Zgjedhjet Lokale parasheh që nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50% +1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë, atëherë KQZ-ja është e detyruar të organizojë raundin e dytë mes dy kandidatëve të cilët kanë fituar më së shumti vota. Po sipas ligjit, raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune mbahet ditën e diele, katër javë pas raundit të parë”, ka deklaruar ai.

Prandaj, sipas Elezit është e rëndësishme që KQZ-ja të përqëndrohet në përfundimin e procedurave lidhur me Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave në mënyrë që të shpallim dhe certifikojmë rezultatet përfundimtare, për ta ditur saktë se cilat janë komunat në të cilat duhet të mbahet raundi i dytë dhe që sipas ligjit kjo duhet të bëhet katër javë pas raundit të parë.

“Deri te shpallja dhe pastaj certifikimi i rezultateve përfundimtare vijmë pas verifikimit dhe numërimit të votave me kusht; votave me postë; votave të personave nevoja të veçanta; pas përfundimit të të gjitha procedurave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve; si dhe pas përfundimit të shqyrtimit dhe vendosjes lidhur me ankesat eventuale të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre”, është shprehur zëdhënësi Elezi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera