Lajme

Kur do të hapet pishina e Gërmisë dhe a do të ketë ngritje çmimesh?

Autori: Gazeta inFokus 14:06 | 02 June 2022

Ndërmarrja publike “Sport Marketing”, e cila e menaxhon këtë pishinë, ka filluar përgatitjet për hapjen e saj. Liridon Llapashtica, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes publike “Sport Marketing”, tha për Radio Kosovën se po përpiqen që pishina të hapet në kohën e paraparë.

Ditët e fundit në Kosovë po mbretërojnë temperatura të larta. Shkaku i tyre shumë qytetarë të Kosovës ia kanë mësyrë bregdetit shqiptar. Liridon Llapashtica, kryeshefi që menaxhon pishinën “Gërmia”, tha se i kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura, por që temperaturat duhet të jenë të duhura që pishinës t’i hapin dyert për qytetarë.

“Vitet e kaluara, që nga paslufta e këndej, pishina është hapur më 12 qershor, datë kjo e cila përkon me ditën e çlirimit të kryeqytetit. Por, hapjen e pishinës e determinon edhe moti. Shpresojmë që moti të jetë në favorin tonë, që temperaturat të jenë të duhura dhe pishinës t’ia hapim dyert”, tha ai.

-Advertisement-

Hapjen e Pishinës së “Gërmisë” e presin me padurim qytetarët, të cilët thonë se janë të kënaqur me shërbimet që i ofron. Megjithatë, qytetarët presin që këtë vit Pishina e “Gërmisë” të jetë më e pastër.

“Po presim që pishina të hapet sa më shpejt. Qëmoti nuk kam qenë, por e kam shfrytëzuar më herët. Nuk e di a i kanë përmirësuar kushtet prej kohës që kam qenë unë. Pres më shumë pastërti”, tha një qytetar.

Sipas kryeshefit ekzekutivit të “Sport Marketingut”, në Pishinën e Gërmisë janë angazhuar stafi profesional, duke filluar nga sigurimi fizik, shpëtimtarët, autoambulanca 24 orë me mjekun dhe teknikun, si dhe mirëmbajtësit. Sa iu përket çmimeve, ato do të jenë të njëjta si në vitin e kaluar; dy euro për të rriturit dhe një euro për fëmijët.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
-Advertisement-

Të tjera