Lajme

Kur bëhet fjalë për Kosovën, Vuçiqit nuk po i besojnë as në Serbi

Autori: Gazeta inFokus 10:11 | 05 February 2024

Kryetari i Partisë Qendra e Serbisë (SRCE), Zdravko Ponosh, thotë se serbët e Kosovës e dinë se letrat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq nuk kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të tyre.

“Serbët në Kosovë i përjetuan frytet e hidhura të aftësive të tij diplomatike. Ata e dinë se letrat e tij tani nuk kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të tyre të nëpërkëmbura, por me maskimin e tij të asaj që u bëri elektoratit të tij”, ka thënë Ponosh, shkruajnë mediat serbe.

Ai shton se kuptohet që Vuçiq gjatë rrugës do ta dënojë opozitën, “që bën zhurmë për zgjedhjet e vjedhura derisa ai po lufton për Kosovën”, që, sipas tij, është farsë.

-Advertisement-

“Veprimet korrigjuese diplomatike, veçanërisht në performancën e Vuçiqit, janë të dënuara me dështim dhe në radhë të parë shërbejnë për të justifikuar veten para publikut vendas. Si rregull, ato i referohen disfatave që pësoi Serbia,… Shembull është marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit, ku ai jep gjithçka, e në këmbim kërkon vetëm mbështetje të jashtme për vete”, thotë kryetari i SRCE.

Reagim i tij vjen pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një fjalimi të fundit për publikun, deklaroi se ka përfunduar së shkruari letra drejtuar të gjithë presidentëve të vendeve anëtare të BE-së, përfaqësuesve të BE-së dhe presidentëve dhe kryeministrave të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara duke përfshirë Rusinë dhe Kinën.

“Në atë letër, unë vë në dukje të gjitha lëvizjet përshkallëzuese që Prishtina ka ndërmarrë në dy vjet e gjysmë dhe atë që ka ndërmarrë Serbia”, ka shpjeguar ai.

Veç këtyre, sipas Ponosh, “Vuçiq tani po flet për disa vija të kuqe” por se sipas tij ”në qarqet diplomatike askush nuk e merr më seriozisht”.

Ndërkohë Boris Tadiq, ish-president i Serbisë në dy mandate dhe kryetar i Partisë Socialdemokrate, thotë se “shtrirja” e letrave të Vuçiqit është mjaft e kufizuar, sepse atyre u mungon një institucion kyç ndërkombëtar – Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Ai beson se një letër e tillë është dashur t’i dërgohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së një vit më parë me kërkesë për një seancë urgjente, kur vetë Tadiq, kujton ai, ka bërë apel që kjo të bëhet.

“Në këtë mënyrë letra e Vuçiqit vetëm do të pranohet dhe nuk do të ketë asnjë reagim substancial… Prandaj, e gjithë kjo është para së gjithash një tjetër njoftim mediatik marketingu për përdorim vendas”, ka thënë ndër tjerash Tadiq.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera