Lajme

Kundërshtohet ndarja e MKRS-së, bashkimi i Shëndetësisë me Sportin fatale për të dy sektorët

Autori: Gazeta inFokus 11:41 | 26 January 2020

Në të dy propozimet e fundit që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i kanë bërë njëra-tjetrës për bashkëqeverisje, parashihet që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të mos jetë ministri e veçantë.

Lëvizja Vetëvendosje në propozimin e saj parasheh që kjo ministri të ndahet, ku Kultura dhe Rinia i bashkohen Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kurse Sporti i bashkëngjitet Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërsa, LDK parasheh që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit t’i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Të dy këto propozime po konsiderohen si absurde dhe që shpërfaqin joseriozitet të këtyre dy partive karshi shëndetësisë, kulturës, rinisë dhe sportit.

-Advertisement-

Bashkimi i sportit me Ministrinë e Shëndetësisë, për Blerim Sylën, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, do të ndikojë negativisht në funksionimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ai thotë se është e çuditshme se si është menduar që dy fusha krejt të ndryshme të bashkohen në një ministri të vetme. Funksionimin e shëndetësisë me sportin, ai e sheh si të pamundur, derisa thekson se shëndetësia ka shumë probleme me të cilat duhet të merret ministri i ardhshëm, e derisa do të jetë edhe sporti gjërat do të komplikohen.

“Kjo do të ndikojë jo pozitivisht në funksionimin e Ministrisë së Shëndetësisë duke e ditur se çfarë gjendje e kemi shëndetësinë, duke e ditur që jemi mangu me infrastrukturë ligjore, na pret ligji i sigurimeve shëndetësore, ndryshimi i ligjit për shëndetësinë, është një varg i udhëzimeve administrative. Po tash ministri i cili do të vije nëse e merr përsipër edhe sportin atëherë ky do të jetë një konglomerat i punëve të cilën vështirë se do t’ia del. Duheni me e ditë që shëndetësinë e kemi në çfarë situatë e kemi, edhe me çfarë buxheti do të startojmë, në anën tjetër e kemi sportin i cili veç i ka marrë këmbët e veta dhe është në ndërkombëtarizim. Janë dy natyra krejtësisht të kundërta sa i përket funksionalizimit. Unë nuk e di ku e kanë marrë këtë model, mirëpo për praktikë po e shoh që ka me qenë më të vërtetë një situatë shumë e pakënaqshme për ne në shëndetësi”, thotë ai.

Syla thotë se edhe sporti është në kulmin e sukseseve, e bashkimi me një ministri si shëndetësia që është e shumë probleme do ta lë në hije. Madje, ai nuk përjashton mundësinë që të dështohet në të dyja fushat nëse veç ndodhë një bashkim i tillë.

“Kur merr shumë punë mbet pa e krye asnjërën dhe konsideroj që ne kështu ashtu jemi shumë larg infrastrukturës ligjore, ligjit për sigurime shëndetësore dhe nëse i marrin këto dy punë kam frikë se kanë me mbet pa i krye asnjërën prej tyre. Pra, thjeshtë unë nuk e di kah ka ardhur kjo ide, mirëpo në praktikë pothuajse me këtë staf që e kemi është e pamundur me e realizua një gjë të tillë dhe është jo e natyrshme. Nëse kish me qenë bashkimi i Ministrisë së Shëndetësisë me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale e ka njëfarë arsye, mirëpo kjo me sport më të vërtetë unë kam frikë se edhe ato pak iniciativa që do t’i marrin do të shpërndahen dhe nuk do të kemi sukses”, thotë ai.

Kundër një bashkimi të tillë është edhe kryetari i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë Besim Kodra, i cili përmes një përgjigje me shkrim thotë se duke qenë shëndetësia më shumë probleme bashkimi me një sektor tjetër vetëm sa do ta vështirësonte gjendjen e saj.

“Në parim, ne konsiderojmë se Ministria e Shëndetësisë do të duhej të qëndronte e vetme, pasi që është një sektor i gjerë, i ndjeshëm dhe ka shumë probleme në funksionim. Bashkimi i një sektori tjetër me të, vetëm sa do ta vështirësonte gjendjen e saj. Nëse është e domosdoshme të bashkohej me një sektor tjetër për shkak të fuzionimit të ministrive, ne konsiderojmë se sektori më i afërt me të është Mirëqenia Sociale. Këtë e mbështesim në faktin se këto dy sektorë kanë shumë gjëra të përbashkëta dhe afektojnë në njëra tjetrën. P.Sh, një person që nuk ka mirëqenie sociale, lehtë mund të shndërrohet në pacient dhe një pacient që lëngon nga ndonjë sëmundje ose paaftësi lehtë mund të shndërrohet në një rast social. Madje nëpër botë fondet e sigurimeve janë të përbashkëta për shëndetësi dhe mirëqenie sociale”, thuhet në përgjigje.

Sipas tij, bashkimi i Ministrisë së Shëndetësisë me atë të Sportit, duke anashkaluar një sektor të afërt siç është mirëqenia sociale nuk do t’i ndihmojë sektorit të shëndetësisë, por vetëm do të vështirëson punën e tij.

Ndarjen ose shkrirjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit e sheh si të gabuar edhe analisti i futbollit Ardian Llumnica, i cili për KosovaPress, thotë se është për keqardhje diskutimi për bëhet për këtë ministri.

Ai thotë se sporti në Kosovë është në kulmin e sukseseve, e bashkimi i sportit me Ministrinë e Shëndetësisë do ta lë jashtë vëmendjes këtë sektor.

“Është për keqardhje se si Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka mbetur në këtë derexhe që të ndahet apo paraprakisht iu ka premtuar minoriteteve. Unë mendoj që kultura, sporti dhe rinia janë niveli më i mirë i këtij vendi dhe duhet të ketë qasje dhe strategji shtetërore për të. Nuk mendoj që është përvojë e mirë që t’i bashkohet Ministrisë së Shëndetësisë, nuk besoj që ka modalitete të mira në botën e zhvilluar të këtij lloj kombinimi. Mendoj që janë dy paralele krejt të kundërta, e dimë që Ministria e Shëndetësisë me çka përballet dhe sa ka punë aty dhe i dimë sukseset që po i arrin sporti, gjegjësisht kultura dhe rinia në arenën ndërkombëtare. Ndarja e këtyre, sepse në rast se sporti i bashkohet Shëndetësisë atëherë do të jetë një dikaster i ndarë nga kultura dhe mendoj që kjo shkëputje e sportit nga rinia dhe kultura nuk do të jetë e mirë dhe nuk do të jetë e frytshme”, thotë ai.

Llumnica përmend sukseset e kombëtares së Kosovës në futboll, sukseset e sportistëve në xhudo e sporte të tjera, si arsye se pse MKRS do të duhej të ishte ministri e veçantë.

“Ne e dimë volumin që ka Ministria e Shëndetësisë, është ministri shumë e gjerë, është ministri me shumë probleme, por edhe ministria e sportit brenda vetës ka sektor të ndarë, e ka kulturën, e ka rininë dhe e ka sportin. Nëse eventualisht ndodh atëherë nuk di në çfarë modaliteti do të shkojë, a do të shkojë me një drejtor të përgjithshëm për sport, me një zëvendësministër që do të merret me problematikat e sportit dhe automatikisht sporti do të del në plan të dytë në kuadër të kësaj ministrie. Nuk e mendoj që sporti në këtë fazë meriton të jetë në plan të dytë nga një qeveri apo nga politika, përkundrazi duhet të ketë strategji shumë të qartë për të sepse jemi në kulmin e zhvillimit dhe në kulmin e performancës së sportistëve”, shprehet ai.

Ndërkaq, Jeta Krasniqi nga KDI, thotë se ndarja e ministrive duhet të bëhet në bazë të programit qeverisës.

“Ndarja e ministrive duhet të bëhet në bazë të programit qeverisës dhe duhet të shihet se ndarje të jetë jo vetëm në numër po edhe brenda administratës si do të realizohet ajo për të qenë sa më pak e dhimbshme ta them kështu kushtimisht dhe që të jetë në funksion të zbatimit të programit. Por, edhe të krijimit të një administrate e cila është efikase, profesionale, eficiente, që mund të bashkëpunojë me njëra tjetrën dhe që në fakt i lenë mbrapa këto praktikat e nepotizmit, punësimit të militantëve partiak dhe të akomodimit të tyre brenda institucioneve të vendit”, thotë ajo.

Lëvizja Vetëvendosje që ka dal partia e parë në zgjedhjet e 6 tetorit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës si partia e dytë ende nuk kanë arritur që të nënshkruajnë një marrëveshje për bashkëqeverisje, por janë dakorduar që qeveria e udhëhequr nga to të ketë vetëm 12 ministri.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…

Të tjera