Lajme

Kuçi: Nesër deputetët duhet ta votojnë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

Autori: Gazeta inFokus 13:40 | 16 September 2020

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi edhe njëherë ka bërë thirrje publike për deputetët e Kuvendit të Kosovës për të votuar Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Gjatë vënies së gurthemelit të qerdhes së re në Suharekë, ministri Kuçi është prononcuar për media, ku ndër të tjera ka folur edhe për kalimin e këtij ligji.

“Unë e përgëzoj kryetarin Bali Muharremaj dhe ministrin Ramë Likaj për këtë projekt të qerdhes në këtë kohë jo pak të vështirë. Unë po shfrytëzoj rastin që t’iu bëj apel deputetëve që nesër të votojnë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, pasi ndihma nga ky ligj është tepër e nevojshme”, ka thënë Kuçi.

Ministri Blerim Kuçi edhe më parë ka qenë i zëshëm për të shtyrë përpara procesin e kalimit të ligjeve të pakos së rimëkëmbjes ekonomike nga COVID-19.

Kujtojmë se herën e fundit në Kuvend nuk kishte pasur kuorum për të proceduar përpara këtë ligj dhe po atë ditë Kuvendi ka shkuar në pushim.

Të tjera