Ekonomi

Ku shkuan paratë e Trustit: Gratë i shpenzuan për arsim, burrat për ushqim

Autori: Gazeta inFokus 19:21 | 24 April 2021

Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti, gjatë kohës kur ishte në krye të vendit, kishte ndërmarrë disa masa lehtësuese në kuadër të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike. Këtu, bënte pjesë edhe tërheqja e 10 përqindëshit nga Fondi i Kursimeve Pensionale. E paratë që i morën nga Trusti, kosovarët i shpenzuan në blerjen e ushqimit dhe pijeve, ilaçeve, mobilieve e shumë të tjera, ndërkaq ka dallime edhe për kategoritë specifike të shpenzimeve, ku gratë shpenzuan më shumë për arsim, e burrat për ushqim.

Aplikimi për tërheqje nga Fondi i Kursimeve Pensionale, është mbyllur ditë më parë dhe ka qenë i hapur nga 11 dhjetori i vitit 2020. Kosovarët nga Trusti i tërhoqën rreth 200 milionë euro.

Instituti për Studime Ekonomike, Politike dhe Sociale (ISEPS), ka bërë një hulumtim në të cilin tregon shpenzimet e 10 përqindëshit të tërhequr nga Trusti Pensional.

-Advertisement-

Valdrin Dervishaj, autor i këtij hulumtimi tregon se shuma mesatare e tërheqjes së 10 përqindëshit,  nga të anketuarit ishte mbi 500 euro, ndërsa maksimumi ishte 3 mijë e 800 euro.

Sipas Dervishajt, në mjetet e tërhequra nga Trusti Pensional ka një dallim mes gjinive.

“Shuma mesatare për tërheqje nga të anketuarit ishte 500.29 euro, ndërsa maksimumi ishte 3 mijë e 800 euro. Shuma mesatare për burrat ishte 605.79 euro, ndërsa ajo për gratë ishte 411.31 euro. Hulumtimi ynë po tregon që gratë në Kosovë kanë përfituar mesatarisht 178 euro më pak se burrat nga masa për tërheqjen e 10% të mjeteve të Trustit”, tha Dervishaj.

Nga grafika, shihet se gratë kanë aplikuar më shumë për tërheqjen e 10 përqindëshit nga paga 80-650 euro, ndërsa burrat nga 650 euro deri mbi 1 mijë euro.

Dervishaj, tregoi po ashtu se të anketuarit kanë 1.10 pikë përqindje më shumë që të aplikojnë për fondet e Trustit.

“Regresioni i nivelit të të ardhurave në vendimin për aplikim tregon se ndërsa lëvizim lart përgjatë kategorive të të ardhurave, për secilën kategori, të anketuarit kanë 1.10 pikë përqindje më shumë të ngjarë të aplikojnë për fondet e trustit”, tha Dervishaj për Demokracia.com.

 

Si i shpenzuan qytetarët parat e tërhequra nga Trusti?

Aplikuesit të cilët kanë pasur në Fondin e Kursimit Pensional më pak se 80 euro, 10 përqindëshin e tërhequr më shumë se gjysma e tyre, e kanë shpenzuar  në ushqim dhe pije, pjesa tjerë në mobilie, riparime dhe mirëmbajtje shtëpiake, banim, qira, shpenzime të ujit, rrymës, ngrohjes, menaxhimit te mbeturinave dhe edukim (pagesa te semestrit, blerje e mjeteve shkollore dhe librave etj).

Aplikuesit që në Trustin Pensional kanë pasur nga 81 deri 450 euro, 10 përqindëshin e tërhequr e kanë shpenzuar në ushqim dhe pije, ilaçe dhe kujdes shëndetësor, mobilie, riparime dhe mirëmbajtje shtëpiake, transport (karburant, bileta autobusi, taxi etj.) Banim, qira, shpenzime të ujit, rrymës, ngrohjes, menaxhimit te mbeturinave Rekreacion, udhëtime brenda vendit, hotele dhe restaurante, veshmbathje dhe komunikime (internet, telefon, TV kabllor).

Ndërsa, aplikuesit që kanë pasur nga 451 euro deri mbi 1 mijë euro, paratë i kursyen dhe i shpenzuan për udhëtime jashtë vendit dhe rekreacion dhe për udhëtime brenda vendit, gjithashtu edhe në hotele dhe restaurante.

Valdrin Dervishaj tregoi se nga ky hulumtim edhe në përfundim që gratë kanë shpenzuar më shumë në arsim, ndërsa burrat për ushqim.

“Nga analiza mund të konkludojmë se ka dallime për kategoritë specifike të shpenzimeve. Për shembull, gratë do të shpenzojnë shumë më shumë në arsim. Burrat do të shpenzojnë shumë më shumë për ushqim. Burrat gjithashtu do të shpenzojnë më shumë se gratë për mirëmbajtjen e shtëpisë dhe blerjen e mobileve, ndërkohë gratë do të shpenzojnë më shumë për veshje”, tha Dervishaj për Demokracia.com.

Ai tregoi po ashtu se gjatë këtij hulumtimi kanë vërejtur se nëse niveli i të ardhurave ka qenë më i lartë, qytetarët paratë e tërhequra i kanë vendosur në kursime private dhe sipas Dervishajt kjo përqindje ka qenë relativisht e lartë, duke pasur parasysh se qëllimi kryesor i kësaj mase ishte rritja e fuqisë blerëse dhe konsumit.

“Gjithashtu, ndërsa niveli i të ardhurave rritet, rritet edhe përqindja e njerëzve që planifikojnë të vendosin fondet e tyre të trustit në kursime private. Rezultatet tregojnë se alokimi i fondeve të tërhequra nga qytetarët nuk është plotësisht në përputhje me  qëllimin e kësaj mase ekonomike. Në përgjithësi, një përqindje e konsiderueshme e këtyre fondeve, ose 23% do të shkojnë drejt kursimeve private, e cila përfaqëson një përqindje relativisht të lartë në këtë kontekst, duke marrë parasysh se qëllimi kryesor i kësaj mase ishte rritja e fuqisë blerëse dhe konsumit”.

Në këtë hulumtim, kanë marrë pjesë 380 qytetarë të Kosovës, e cila qëndron si një mostër përfaqësuese e popullatës që ka mundur të përfitojë nga kjo masë mbështetëse.

Kujtojmë se gjithsej 427 mijë e 371 qytetarë të Kosovës bënë tërheqje të shumave të ndryshme nga Fondi i Kursimeve Pensionale i tyre dhe shuma totale e tërheqjen ishte mbi 197 milion euro.

Nga të dhënat e siguruara nga zëdhënësi në Fondin e Kurismeve Pensionel, Jeton Demi, shihet se vlera që më së shumti u tërhoq nga qytetarët e vendit ishte ajo nga 201 euro deri në 500 euro, për të cilën aplikuan 100 mijë e 821 qytetarë.

Ndërsa 2 mijë e 135 nga qytetarët që tërhoqën nga kursimet e tyre pensionale ishin me vlerën mbi 4 mijë euro. Kishte edhe nga qytetarët që tërhoqën vetëm deri në 10 euro e që gjithsej ishin 11 mijë e 149 qytetarë./Demokracia.com/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera