Fokus

Ku shkuan 3 miliardë euro që investoi BE-ja në Kosovë?

Autori: Sylejman Sylejmani 19:45 | 13 March 2019

Me afër 3 miliardë euro e ka mbështetur Bashkimi Evropian që nga vitin 1999 e deri më tani Kosovën.

Gjithë këto para u destinuan për asistencë në mbështetje të ndërtimit të institucioneve dhe zhvillimit ekonomik, shkruan Gazeta inFokus.

Mirëpo, përveç tyre, Kosova fitoi edhe miliona të tjera nga programet rajonale të BE-së.

-Advertisement-

Nga programi IPA II, Kosova bashkë me pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë përfitoi shumën e 2.9 miliardë eurove.

Për Gazetën inFokus, në zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë treguar se demokracia, qeverisja, sundimi i ligjit, mjedisi e energjia janë disa prej fushave ku kanë investuar më së shumti.

Investime janë bërë edhe në inovacion, bujqësi e zhvillim rural.

“Asistenca nën instrumentet e mëhershëm është zbatuar nga Agjencia Evropiane për Rindërtim. Informacionet e hollësishme janë arkivuar, por asistenca totale ka qenë rreth 1.1 miliard euro nga 1999-2006”, thonë n zyrën e BE-së.

Por jo gjithnjë investimet kanë dhënë efektin e pritur.

Sipas tyre, rreziku kryesor i cili bën që projektet në Kosovë të dështojnë lidhet me dobësitë e institucioneve ose të kontraktorëve.

Nga kjo zyrë tregojnë se projektet e ndërtimit janë vonuar për shkak të dështimit të kontraktorëve për ta kryer punën.

“Këto rreziqe janë të shpeshta veçanërisht në rastin e projekteve të infrastrukturës, kur para-kushtet e fillimit të zbatimit nuk përmbushen, për shembull kur nuk jepet toka e përshtatshme, kur nuk jepet leja, mungesa e bashkëpunimit përmes zbatimit mund të shkaktojë vonesa ose dështime, kur mirëmbajtja e pamjaftueshme dhe operimi i infrastrukturës mund të çojë në dëmtimin e investimit të BE-së”.

Pallati i drejtësisë një nga projektet financiare më të mëdha të BE-së në Kosovë

Rreth 26 milionë euro i ka kushtuar buxhetit të BE-së investimi në Pallatin e Drejtësisë të ndërtuar në fshatin Hajvali të Prishtinës.

Megjithatë, përkundër gjithë këtyre parave të investuara, vërejtjet për cilësinë e ndërtimit të tij nuk munguan.

Mungesa e ajrimit ishte një prej këtyre problemeve, për të cilën punëtorë të këtij pallati patën protestuar më herët.

Ndërsa sipas të dhënave të siguruara nga Gazeta inFokus, vetëm në sundimin e ligjit, BE-ja nga paslufta e ndihmoi Kosovën me 175 milionë euro.

Fusha të tjera ku Bashkimi Evropian investoi para të majme në Kosovë, është edhe ajo e energjisë dhe mjedisit.

Që nga viti 2007, në këto dy fusha u investuan plot 300 milionë euro.

“Energjia dhe mjedisi janë fusha në të cilat ka investuar shumë që nga viti 2007 me gati 300 milionë euro. Disa nga projektet e mëdha përfshijnë sistemin e ngrohjes në Prishtinë  si dhe infrastrukturën e ujit”, thonë për Gazetën inFokus në zyrën e BE-së në Prishtinë.

BE-ja nuk e ka ndërmend të ndalet

Përkundër tërë këtyre investimeve, BE-ja nuk e ka ndërmend ta ‘ndalë dorën’ për Kosovën.

Ata janë duke planifikuar që të fillojnë me një intervenim të gjithëmbarshëm në fillim të vitit 2020 në fushën e arsimit para-universitar.

Për këtë punë, pritet të investohet rreth 13 milionë euro.

Gazeta inFokus pati raportuar më parë për një investim të BE-së, i cili kishte filluar të shkatërrohet.

Një objekt i destinuar për qendër tregtare në Mitrovicë, nuk po shfrytëzohej nga Komuna.

Ajo kishte dështuar për disa herë me radhë që ta bënte këtë qendër me pronar.

Megjithatë, këtë çështje duket se Komuna më në fund e ka zgjidhur.

Kjo pasi tenderin e tretë e ka fituar një kompani, e cila sipas disa informacioneve pritet që shpejtë të nis punë në këtë objekt. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera