Opinione

KU I KA RRËNJËT PROAMERIKANIZMI I SHQIPTARËVE?

Autori: Gazeta inFokus 12:51 | 04 July 2021

Përkushtimi i shqiptarëve për Amerikën nuk është sipërfaqësor, sepse festa e 4 Korrikut, përpos që konsiderohet si gurë kilometrik i matjes së vlerave universale të lirisë globale, Dita e Pavarësisë së Amerikës, është pjesë e gëzimit edhe në familjet shqiptare. Ky përkushtim rrënjët i ka në ndjeshmërinë që kanë shqiptarët për popullin amerikan, nderimi për të cilin është shprehur edhe në formë simbolike duke emëruar rrugë, bulevarde, sheshe, institucione me emra të shquar amerikanësh, që kontribuuan në mirëqenin e popullit shqiptar.

Nga Mehmet PRISHTINA

Sot kur SHBA kremton Ditën e Pavarësisë, 4 Korrikun, shqiptarët s’kanë si të mos ndjehen krenarë për miqësinë tradicionale me popullin amerikan. Madje jo pak familje shqiptare, këtë festë e përjetojnë si festë të tyre, dhe kjo është një tregues i saktë i lidhshmërisë së shqiptarëve me Amerikën. Kjo, mbase, është vërtetuar edhe në të gjitha sondazhet që janë bërë, ku rezulton që shqiptarët të jenë ndër popujt më proamerikan.

-Advertisement-

Por ku i ka rrënjët ky proamerikanizëm i shqiptarëve?

Nëse i referohemi historisë më të hershme dhe më të vonshme, do të shohim se disa herë gjatë shekullit njëzet, SHBA luajtën rol vendimtar në mbrojtjen e qenies shqiptare nga agresioni i huaj. Fillimisht kjo ndodhi në Konferencën e Paqes në Paris (1919) i presidenti Woodrow Wilsoni do të deklaronte hapur: “Shqipëria duhet të jetë e pavarur” Për rolin e tij vendimtar në Konferencën e Versajës, kryeministri i atëhershëm shqiptar, Fan Noli, do të merrte vendim më 1924 që Shëngjinin ta quante “Qyteti Wilson”. Këtë emër e mbajti deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore.

Në frymën e këtij angazhimi amerikan pro shqiptarëve, në vitin 1992, presidenti Xhorxh Bush plaku, me rastin e Krishtlindjeve, e paralajmëroi Sllobodan Millosheviqin që të ndal dhunën ndaj shqiptarëve të Kosovës të cilët përbëjnë mbi 90%  të popullsisë së saj.

“I bëj thirrje lidershipit serb që t’i respektojnë të drejtat e njeriut në mënyrë të plotë, që të përmbahen nga represioni i mëtejshëm në Kosovë, si dhe të angazhohen në një dialog serioz me përfaqësuesit e Kosovës, me qëllim të përcaktimit të një statusi politik të Kosovës”, kishte thënë George Bush.

Është për t’u nënvizuar se kursi amerikan ndaj çështjes shqiptare, mbetet i pandryshuar, pavarësisht faktit se cili Presidentit udhëheq me Shtëpinë e Bardhë. Kjo u dëshmua edhe me qasjen e presidentit demokrat Bil Klinton, në dy mandatet e tij, e cila nuk ndryshonte nga ajo e pararendësit të tij, George Bush plakut, për arsye se nën udhëheqjen e tij  SHBA-ja qe prijëse në fushatën e bombardimeve në muajt mars-qershor 1999 kundër makinerisë militariste të Serbisë, që rezultoi me përzënien e kësaj të fundit nga Kosova.
Në një paraqitje para popullit amerikan, më 24 mars 1999, presidenti Clinton do të shpjegonte arsyet pse Kosova kishte rëndësi për Amerikën.
“Ne po veprojmë që të parandalojmë një luftë të gjerë, të largojmë një fuçi baroti në zemër të Evropës, që ka shpërthyer dy herë me radhë këtë shekull me pasoja katastrofike”, kishte deklaruar Clintoni. Pas luftës Clintoni vizitoi Kosovën për të përçuar një porosi të re për popullin e saj: “Ne e fituam luftën, ju duhet ta fitoni paqen”.

Disa vite më vonë, konkretisht më 2008, SHBA mbështetën fuqishëm kauzën e pavarësisë së Kosovës.

Kontributi amerikan do të shpërfaqet edhe në dimensionin e sigurisë kolektive të shqiptarëve, duke ndërhy drejtpërdrejtë që Shqipëria të bëhet anëtare e NATO-s. Pjesë e këtij kontributi është edhe mbështetja amerikane për kauzën e pavarësisë së Kosovës. Më  10 qershor 2007, Gjatë vizitës historike të tij në Shqipëri, ish-presidenti George W. Bush në Tiranë, 88 vjet pas angazhimit të Wilsonit, bëri një deklaratë e cila konsiderohet si momenti kur ishte paralajmëruar pavarësia e Kosovës.

“Mjaft është mjaft. Kosova është e pavarur. Ky është qëndrimi im! Ky është një qëndrim i prerë dhe i fortë”, kishte thënë presidenti i 43-të i SHBA-së.

Vetëm tetë muaj më vonë, më 17 shkurt 2008, Kosova kishte shpallur pavarësinë e saj. SHBA do të vazhdojë të përkujdeset edhe në procesin e njohjes së Kosovës prej më shumë se  100 shteteve të botës.

Roli i SHBA-së për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës është mjaft i qenësishëm për faktin se deri më tani janë realizuar disa programe zhvillimi dhe financimi në favor të konsolidimit ekonomik, social kulturor të trevave shqiptare, një dimension ky mjaft i rëndësishëm për krijimin e një hapësire të sigurt gjeopolitike, që do të jetë garant i mbrojtjes së interesave amerikane në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Protagonizmi amerikan është i prekshëm në politikat integruese euro-atlantike sidomos në integrimin e rajonit, përfshi Shqipërinë dhe Kosovë,  në NATO dhe më vonë në BE, ku roli i Washingtonit është vendimtar.

Kur jemi te siguria, nuk duhet harruar 14 dhjetorin e vitit 2019, kur Forcat e Sigurisë së Kosovës u transformuan në Ushtri të Kosovës. Kjo nuk mund të bëhej pa mbështetjen e administratës së Presidentit Tramp Sot e kësaj dite Uashingtoni ndihmon në modernizimin dhe në ngritjen profesionale të Ushtrisë së Kosovës dhe të policisë kosovare. Për shumë vende të botës, ish Presidenti Trump i pat suprimuar ndihmat financiare të ShBA-së. Përjashtim bënin vetëm Izraeli, Kosova dhe Gjeorgjia.

Për shqiptarët, Amerika ishte atdheu i dytë që ua ngrohte zemrat  edhe atëherë kur acari i egër i kanosjeve nga jashtë rrezikonte qenien shqiptare. Fillet edemokracisë në Shqipëri dhe Kosovë, patën për mentor Amerikën. Liderët shqiptarë nga Prishtina dhe Tirana në filllim të viteve 90-të patën Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin Amerikan si adresat e vetme ku shpreheshin nevojat dhe kërkresat për një konsolidim të demokracisë dhe zhvillimit ekonomik e social në tokat shqiptare, përfshi edhe senzibilizimin ndërkombëtar të çështjes së Kosovës. Lobuesit amerikan ishin dhe mbetën flamurtarët e vetëm të  mbrojtjes së intertesave shqiptare. Kjo tingëllon tepër shpresdhënëse edhe në ditët e sotme, kur Kosova ende nuk i ka mbyllur disa probleme me Serbinë deh kjo nui mund tl bëhet pa mbështetjen amerikane. Në dialogun Kosovë-Serbi, roli i diplomacisë amerikane është vendimtare dhe jo ratësisht shqiptarët me të drejtë kërkojnë që  Washingtoni të jetë  garantues i marrëveshjeve që do të arrihen me Serbinë.

Përkushtimi i shqiptarëve për Amerikën nuk është sipërfaqësor, sepse festa e 4 Korrikut, përpos që konsiderohet si gurë kilometrik i matjes së vlerave universale të lirisë globale, Dita e Pavarësisë së Amerikës, është pjesë e gëzimit edhe në familjet shqiptare. Ky përkushtim rrënjët i ka në ndjeshmërinë që kanë shqiptarët për popullin amerikan, nderimi për të cilin është shprehur edhe në formë simbolike duke emëruar rrugë, bulevarde, sheshe, institucione me emra të shquar amerikanësh, që kontribuan në mirëqenin e popullit shqiptar.

Sot shqiptarët në “tokën e lirë” Amerikane gëzojnë respekt dhe dinjitet, me punët dhe kontributet që japin ata në ngritjen dhe përparimin e atdheut të tyre të dytë, si mirënjohje për angazhimin e etërve amerikan në konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimit ekonomik e social në hapësirën etnike shqiptare në Ballkan dhe më gjerë.

I përjetshëm qoftë emri i shenjtë i Amerikës!

Prishtinë, 4 korrik, 2021

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera