Lajme

Ku do të mbetet arkivi i Gjykatës Speciale?

Autori: Gazeta inFokus 23:15 | 26 September 2022

Deri më tani, janë mbajtur dhjetëra seanca. E në to janë prodhuar e mbledhur afër 1 milion dokumente.
Por, asnjë prej këtyre dokumenteve, nuk do të përfundoj në arkivin e Kosovës.

Kjo pasi gjykata e Kosovës në tokën holandeze, pas përfundimit të mandatit, arkivin e saj nuk do t’ia dorëzoj Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

Se ku do të mbetet arkivi i Dhomave të Specializuara, nga Haga e kanë treguar për Tëvë1 në një përgjigje me shkrim.

-Advertisement-

“Neni 61 i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar parashikon që arkivat e Dhomave të Specializuara, Zyrës së Regjistrimit dhe Prokurorisë së Specializuar janë pronë e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe do të mbahen në një depo të veçantë jashtë Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara.

Nga Specialja nuk kanë dhënë detaje se ku gjendet depoja ku do të ruhet dokumentacioni pas përfundimit të mandatit të Dhomave të Specializuara.

Ndërsa kanë shtuar se dokumentacioni me status konfidencial, nuk mund të publikohet pa lejen e gjyqtarit të Dhomave të Specializuara dhe Prokurorit të Specializuar edhe pas shuarjes së kësaj gjykate.

E këtë nuk e kanë mirëpritur në Agjencinë Shtetërore e Arkivave të Kosovës.

“Gjatë punës së tyre, Dhomat e Specializuara do të krijojnë një sasi të konsiderueshme të materialit, por që kur ndërlidhet kjo përgjegjësinë që e ka ASHAK, për ta ruajtur fond-krijuesin, ata sipas që janë themeluar, në nenin 62, nuk janë të obliguar dhe na privojnë nga e drejta e konsiderimit të këtij dokumentacioni si të shtetit të Kosovës”, tha Bedri Zyberaj, kryeshef ekzekutiv në ASHAK.

Por në cilat raste mund të kërkohet qasja në dokumentacionin e Dhomave të Specializuara?

Këtë ka treguar avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini.

“Qasja në këtë dokumentacion, mund të kërkohet vetëm për nevojat e një procedure penale që zhvillohet apo do të zhvillohet në Kosovë, por në instancë të fundit, dhomat e specializuara do të vendosin se a do t’i lejojnë qasje të plotë apo të kufizuara personave të interesuar”, tha Qerkini.

Në vitin 2015, me 82 vota pro, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës, votuan ndryshimet kushtetuese të cilat i hapën rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera