Ku çon rruga e kthesës së Labinotit?
Autori: Gazeta inFokus 12:33 | 04 September 2020
Më në fund, në mënyrën e tij, edhe Edi Rama e ka pranuar atë që prej kohësh mendonin të gjithë: faktin se ai nuk është më shumicë reale.Sinjalet që u dhanë në votimet moniste të një viti më parë me sa duket i ka shumëfishuar kriza që pasoi tërmetin e 26 nëntorit dhe sidomos pasojat shkatërruese të pandemisë. Nëse në këndvështrimin e kritikëve të tij ai duhej ndëshkuar për mëkate shumë më të mëdha, si zhbërja e demokracisë, partneriteti me krimin dhe grykësia gargantyeske, ai po paguan në popullaritet, për të vetmet gjëra që ka më pak faj se gjithçka: për kapriçot e natyrës.
Ndryshe nuk ka se si shpjegohet fjalimi që mbajti përpara Partisë socialiste në Labinot, i cili qe i mbushur me nota pesimiste. Asnjëherë, ne nuk kishim dëgjuar nga goja e kryerilindësit se një pjesë e elektoratit të vet mund të qe e zhgënjyer dhe e lodhur nga qeverisja e tij. Kurrë më parë nuk e kishim parë të pranonte se, nëse zgjedhjet do të bëheshin sot, shumë të majtë do të bojkotonin.
Por këto ofshama dëshpërimi për zemrat e humbura të atyre që s’kanë votuar kurrë për Saliun, nuk duhen parë aspak si një sinjal dorëzimi.
Me kthesën e fortë që bëri në këtë hapje të sezonit politik, kryerilindësi nuk donte aspak të pranonte fatalitetin e dështimit në një fund mandati. Po të shihet me vëmendje tërësia e fjalimit të tij, ai është më shumë shantazhues sesa reflektues. Ai është një kërcënim për të gjithë kastën socialiste, që duhet të derdhë edhe pikën e fundit të gjakut për të mbrojtur të pacenuar shtatoren e liderit.
Rama i vuri kusht gjithë kupolës së PS-së se nuk do të ekzistonte më në politikë, se nuk do të qe më pjesë e skuadrës së 2021, se askush nuk vlente më shumë se partia, nëse nuk jepte maksimumin deri në pranverën e ardhshme.
Po çfarë kuptohet me këtë tejkalim të vetvetes, që u kërkohet ministrave dhe deputetëve?
Këtu, kreu i PS-së e ka treguar synimin e tij: të rikuperohet me çdo mënyrë dhe çdo mjet atë që nuk e merr dot më nga zgjedhësit. Vetë Rama, si një lexues frenetik sondazhesh, e di mirë gjendjen se ku është, prandaj fillimisht ai bëri të gjitha përpjekjet në tryezën e reformës për të zhvilluar zgjedhje me komisionerë (gjoja të pavarur të administratës shtetërore) të kontrolluar 100% prej tij. Pasi dështoi në këtë ndërmarrje, falë kokëfortësisë së opozitës dhe ndihmës që asaj i dhanë partnerët europianë, ai provoi lëvizjen e dytë: të zhbënte në mënyrë të njëanshme rregullat e lojës, duke hequr koalicionet zgjedhore.
Pra, doktrina që ai shpalli në Labinot përkthehet shumë thjesht: në zgjedhjet e ardhshme jemi pakicë, por kemi vendosur të marrim më shumë sesa na takon. Dhe për këtë çdokush duhet të sakrifikojë gjithçka, paratë që ka marrë nga tenderët, miqësitë që ka lidhur me banditë, favoret që u ka bërë oligarkëve dhe mediave.
Kjo strategji e një lideri që e njeh realitetin, por refuzon ta pranojë atë, tenton ta shpjerë PS-në drejt dy rrugësh.
Së pari drejt asaj së manipulimit, që do të sigurojë një mandat të tretë. Por, për të arritur këtë, përpos ndihmës të të gjithë banditëve që s’i preku OFL-ja, përpos propagandës të të gjitha TV-ve që marrin tenderë me emra false, përpos financimeve të atyre që kanë rrëmbyer koncesionet, Ramës i duhet edhe një përqindje e lartë votuesish që t’i japë vlerë vjedhjes dhe blerjes së votës. Pra, ai po i kërkon “skuadrës 2021” t’i japë aq mundësi sa ai ta përfundojë me mjetet e veta punën.
Rruga e dytë, nëse ajo e manipulimit nuk do ta mbushë dot humnerën e largimit të elektoratit, është ajo e një “humbjeje dinjitoze”. Ajo i duhet Ramës po aq shumë sa edhe fitorja. Sepse nëse del i mundur, por me një rezultat të ngushtë dhe me një grup të madh parlamentar, ai realizon objektivin për të mos u larguar nga PS dhe për të fituar imunitet përmes saj, ashtu sikurse Berisha në 2013. Përtej përrallave për jetën e tretë prej artisti, përtej demagogjisë se ai është një i huaj që mezi pret të largohet nga kopshti zoologjik i politikës, Rama e ka ndarë se do të kacavirret deri në fund pas partisë që i rrëmbeu Nanos, prandaj ai do të bëjë ç’është e mundur për shmangien e një disfate të plotë.
Në emër të këtyre dy skenarëve, Rama po lufton me realitetin. Megjithëse sondazhet tashmë ia kanë konfirmuar, megjithëse ai e përmendi me gojën e vet se ç’do të ndodhte nëse zgjedhjet bëheshin këtë të diel, ai po refuzon të dorëzohet.
Prandaj, në fjalimin e Labinotit shpalli doktrinën: “Si të fitosh duke qenë pakicë”.
Të tjera
-
Ngjarjet e datës 24 prill
UBT organizon Konferencën Ndërkombëtare “Building Sustainable IoT Ecosystems”...
-
Kurti flet për telefonatën me Macron, shpreson se Franca do ta mbështes anëtarësimin në KiE pa Asociacionin
Kryeministri i vendit Albin Kurti në një bisedë telefonike të zhvilluar me pr...
-
Dita e Turqve, Konjufca: Ky komunitet shtetin tonë e përjeton si të vetin
Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, në organizimin për nder të Ditës Kombëta...
-
Kurti në Panairin e Hanoverit, e quan historike pjesëmarrjen e parë të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Panairin e Hanoverit “20...
-
Pasuria e Vjosa Osmanit – Baton Haxhiu: Ajo e Prindoni duan të ikim në Australi
Gazetari Baton Haxhiu teksa po diskutonte pasurinë e presidentes Osmani në Pr...
-
Gjuajtje me ąrmë zjąrri në Hajvali, policia jep detaje
Gjuajtje me armë zjarri janë raportuar të kenë ndodhur sot rreth orës 17:00 ...
-
Abdixhiku për raportin e DASH: Dëshmi e shqetësimeve të LDK-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku raportin e Depart...
-
Kroacia mbështet hyrjen e Kosovës dhe Shqipërisë në BE
Kroacia mbështet hyrjen e Kosovës dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kë...
-
Për fjalimin në KS të OKB “Nënat e Srebrenicës” e falënderojnë Osmanin: Do të mbahet mend
Organizata “Nënat e Srebrenicës” me bazë në Bosnje e ka falënderuar president...
-
Nagavci mirëpret vendimin për pezullimin nga puna të Xhevat Krasniqit
Ministrja e Arsimit, Arbërie Negavci, ka reaguar pasi profesori Xhevat Krasni...
-
Macron telefonon Kurtin, bën thirrje për zbatimin e marrëveshjeve ndërsa anëtarësimin në KiE e lidh me Asociacionin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar një telefonatë nga Presidenti ...
-
Nagip Krasniqi shkarkohet përfundimisht nga posti i kryeshefit të KEK-ut
Nagip krasniqi përfundimisht sot është shkarkuar nga Korporata Energjetike e ...