Lajme

Kthimi në rishikim i kërkesës së ish-krerëve të UÇK-së për t’u mbrojtur në liri, avokati Musa: Topi tani është te institucionet e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 15:46 | 05 October 2021

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilët po mbahen në hapësirat e paraburgimit në Hagë, përmes ankesave kanë rrëzuar vendimin e nxjerrë nga gjyqtari i procedurës paraprake. Nicolas Guillou, i cili ua kishte refuzuar lirimin e parakohshëm nga paraburgimi, shkruan Gazeta Infokus.

Vendimi i gjyqtarit Guillou u shfuqizua nga Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara dhe çështja u kthye në rivendosje.

Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Skender Musa, beson se Policia e Kosovës ka aftësi profesionale dhe menaxhuese që të parandaloj arratisjen e të akuzuarve dhe të siguroj që të akuzuarit të dërgohen në seanca gjyqësore në Hagë në çdo kohë që kërkohen nga Dhomat e Specializuara.

-Advertisement-

Musa në një deklaratë dhënë për Gazetën Infokus, tha se duke u bazuar në vendimin fundit të Gjykatës së Apelit, topi është në anën e institucioneve të Kosovës.

“Kosova nuk ka nevojë fare të kërkoj garancion për shkak se Gjykata e Apelit me rastin e aprovimit të pjesshëm të ankesës së mbrojtësve dhe të akuzuarve, ka kërkuar nga gjyqtari i procedurës paraprake që drejtpërdrejt t’i kërkojë komandantit të Policisë se a ka Kosova kushte për të siguruar praninë e të dyshuarve. Në këtë aspekt mund të them se topi është në anën e Institucioneve të Kosovës, mirëpo kjo kërkesë është në anë të kompetencës së gjyqtarit të procedurës paraprake që ta bëjë me komandantin e Policisë së Kosovës. Në këto kushte mendoj se topi tash është në anën e Institucioneve të Kosovës dhe besoj se Kosova do të garantoj sepse ka kushte të siguroj çdo masë që e paraqet Gjykata në aktvendimin e saj”- tha avokati Musa për Infokus.

Ish krerët e lartë të UÇK-së po vazhdojnë të mbahen në paraburgim pasi gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se akoma ekzistojnë rreziqet që të njëjtit t`i ikin gjykatës ose të pengojnë zhvillimin normal të procedurës penale.

Ata janë arrestuar në nëntor të vitit të kaluar nën akuzat për krime të luftës. Të gjitha akuzat e Prokurorisë Speciale janë hedhur poshtë nga ish-krerët e UÇK-së./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ
-Advertisement-

Të tjera