Kthehet në rigjykim rasti “Abi Çarshia”, ku deputetja Vrenezi dhe ish-zyrtari i Prizrenit ishin dënuar me 6 vite burg

Autori: Gazeta inFokus
12:27 | 27 January 2023
Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e njohur si “Abi Çarshia”, ku deputetja Jetmire Vrenezi bashkë me ish-zyrtarin e Komunës së Prizrenit, Islam Thaqi ishin dënuar me nga tre vite burgim secili për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Gjykata Themelore në Prizren, më 17 maj 2022, kishte dënuar Vrenezin dhe Thaqin ndërsa ishin liruar nga akuza Egzona Morina- Thaçi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj dhe Shqipron Krasniqi.
Në vendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ankesa e mbrojtësit të Thaqit, avokatit Blerim Mazreku dhe avokatit Vrenezit, Adem Vokshi janë aprovuar dhe çështja i kthehet gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim dhe rivendosje.
Sipas Apelit, në rigjykim gjykata e shkallës së parë, duhet të veprojë sipas vërejtjeve të cekura të kësaj gjykate, t’i eliminojë kundërthëniet, t’i procedojë edhe një herë të gjitha provat për zbardhjen e drejtë dhe të plotë të gjitha fakteve.
Ndërsa, sipas vendimit, ankesa e Prokurorisë Themelore në Prizren, përkitazi me vendimin për dënim është cilësuar si jo lëndore.
Në vendim thuhet se, aktgjykimi i ankimuar është i përfshirë në shkelje esenciale, ngase emërtimi ligjor i veprës penale për të cilën të akuzuarit janë shpallur fajtorë nuk përputhet me dispozitivin dhe se arsyetimi përkitazi me këtë vepër penale, si për pjesën dënuese dhe atë liruese, i mungojnë arsyet për faktet vendimtare.
“…emërtimi ligjor i veprës penale për të cilën të akuzuarit janë shpallur fajtorë, nuk përputhet me përmbajtjen e dispozitivit gjegjësisht figurën e veprës penale të paraqitur në dispozitiv, pastaj të njëjtit-pra, arsyetimi përkitazi me këtë vepër penale, si për pjesën dënuese dhe atë liruese, i mungojnë arsyet për faktet vendimtare,”, thuhet në vendim.
Tutje, në vendim thuhet se arsyet e dhëna përkitazi me faktet vendimtare në këtë çështje penalo-juridike, përveç, që janë në kundërshtim me dispozitivin, të njëjtat janë në kundërshtim edhe në mes veti e po ashtu, nuk kanë mbështetje as në prova dhe shkresa tjera në lëndë, raporton Betimi për Drejtësi.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktgjykimi i ankimuar nuk mund të qëndrojë as në pjesën liruese ngase gjykata e shkallës së pare për fakte dhe rrethana të njëjta ka dhënë vlerësime të ndryshme.
“Kjo gjykatë vlerëson se aktgjykimi i ankimuar tani për tani nuk mund të qëndrojë as përkitazi me pjesën liruese, ngase, gjykata e shkallës së parë, për fakte dhe rrethana të njëjta për të gjithë të akuzuarit ka dhënë vlerësime të ndryshme, pra, ndryshe për pjesën dënuese, ndryshe për pjesën liruese, ndërsa, të akuzuarit, dy nga ata, i ka shpallur fajtorë, e katër të tjerë i ka liruar, atëherë, pa dyshim që aktgjykimi i ankimuar si i tillë, tani për tani nuk mund të qëndrojë as për pjesën liruese, prandaj, vendosi që edhe për këtë pjesë aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështjen ta kthejë në rivendosje”, thuhet në vendim.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, të cilët po i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktakuzë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SH.P.K në Prizren.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim, raporton Betimi për Drejtësi.
Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.
Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69,729.66 euro.
Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Të tjera
-
Hoxhaj: Kur Kurti tha se ka Asociacion vërtetoi mashtrimin që e ka bërë në 13 vitet e fundit
Deputeti i PDK’së, Enver Hoxhaj ka komentuar deklaratën e djeshme të kryemini...
-
Sllovakia ia dërgon Ukrainës katër avionët e parë luftarakë MiG-29
Sllovakia ia ka dorëzuar Ukrainës katër avionët e parë luftarakë MiG-29, nga ...
-
Ambasadori amerikan në BE: E rëndësishme që Kosova ta zbatojë propozimin evropian
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bashkimin Evropian, Mark Gi...
-
Ambasadori Hill: Po bisedohet për një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit, për të sqaruar disa gjëra
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se Asociacioni i komunave...
-
Hoti: Koalicioni Kurti-Osmani i mashtroi njerëzit, duhet të dalin edhe njëherë para qytetarëve
Deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti thotë se qytetarët e Kosovës janë mashtruar ...
-
Abdixhiku, Kurtit: LDK është lumë vet dhe i fuqishëm
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i ka reaguar kryem...
-
Kuçi: Me protestë e kërkojmë dorëheqjen e Kurtit
Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, sonte në emisionin “Rubikon” me Adriatik Ke...
-
Paçarizi: Serbët dolën nga institucionet sepse Kurti donte të bënte filma me targa
Analisti politik, Rrahman Paçarizi, ka folur për situatën që është krijuar me...
-
Abdixhiku: Nuk e kam pritur që vjen dita të bëhen bashkë kundër meje e LDK-së Skender Hyseni dhe Albin Kurti
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i është përgjigjur ish-zyrtarit të LDK-së,...
-
Gashi, Kurtit: Keni shkelur Zajednicën për të ndërtuar autonomi territoriale
Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së e mori fjalën në seancën plenare të Kuve...
-
Raci: Nuk duhet që Kuvendi i Kosovës të bëhet si Kuvendi i Shqipërisë
Analisti politik, Gazmir Raci, deklaroi se nuk do që Kuvendi i Kosovës të bëh...
-
Kthimi kah Kibla, zhegrasit u falën gabim me dekada
Banorët e Zhegrës së Gjilanit, për disa dekada kur u falën nuk u kthyen kah k...