Kthehet Asociacioni/Konjufca: “Kosova ta bëjë propozimin”, Kurti: “Duhet të vijë nga komunat”
Autori: Gazeta inFokus 18:07 | 29 October 2024
Kryeparlamentari insistoi dje që Qeveria duhet ta paraqes një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa e akuzoi Bashkimin Europian se po e trajton Kosovën si “jo-shtet” duke u përpjekur “t’ia marrë” këtë kompetencë. Por kryeministri tha sot se themelimi i Asociacionit nuk është kompetencë e tij dhe këtë s’e bën dot. “Kjo duhet të vijë nga komunat”, thotë ai.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca foli të martën për “grabitje të kompetencave” nga ana e Bashkimit Europian, ndërsa deklarohej për draft-statutin e BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Pasi doli nga një mbledhje e Kryesisë së Kuvendit, ai tha se “nëse mendon ndokush që ky është një dokument përfundimtar që për Kosovën është merre ose leje, atëherë kjo, me e përkthy, i bie që Kosovës i është marrë një ingerencë shumë e rëndësishme shtetërore”.
“BE-ja e ka pasë qasjen merre ose leje, por kjo nuk është në rregull. Prej kur kjo qasje kështu?”. Konjufca theksoi se “Kosovës i takon kjo e drejtë”, duke iu referuar hartimit të draft-statusit të Asociacionit.
Akuzat për “zvarritje” të procesit të themelimit të Asociacionit, kryeparlamentari thotë se mund t’i bëhen Kosovës, por se “zvarritja nuk do me thënë me t’i marrë kompetencat shtetërore”.
“Ne do të insistojmë deri në fund për të drejtën e Kosovës për të propozu një draft të Asociacionit të cilën kurrkush nuk mundet me ia marrë. Nuk mundet me na e marrë BE-ja këtë të drejtë vetëm pse është e fortë, e fuqishme dhe pse mundet me na kushtëzu apo me na vendosë masa. Unë po flas në parim. Në parim është e drejta jonë për me e paraqitë draftin”, tha Konjufca.
Ai tha se draft-statuti i BE-së “mund të jetë një version konsultativ”, por se është kundër qasjes “merre ose lëre”.
“Unë jam kundër kësaj dhe unë do ta quaja këtë qasje diskriminuese, bash diskriminuese nga ana e Bashkimit Evropian dhe mohim të shtetësisë së Republikës së Kosovës”, tha kryetari i Kuvendit.
Pasi kujtoi se në disa raste kishte ofruar ta shkruante vetë draft-statutin e Asociacionit dhe ishte refuzuar, kryeministri Albin Kurti tha sot se nuk është punë e tij themelimi i kësaj bashkësie komunash.
“Më lejoni të theksoj se jam kryeministër i republikës demokratike. Meqenëse Kosova është republikë demokratike, kryeministrat nuk formojnë asociacione të komunave. Komunat asociohen me njëra-tjetrën, koordinohen, bashkëpunojnë, e kështu me radhë. Ju të gjithë e dini se ne tashmë e kemi një Asociacion të Komunave të Kosovës. Nëse dikush e dëshiron edhe një asociacion tjetër, atëherë kjo duhet të vijë nga komunat. Nuk formon kryeministri asociacione të komunave, as nuk i themelon ato. Komunat asociohen me njëra-tjetrën. Është në kuptimin e nocionit ‘asocacion’ liria e asocimit, jo imponimi i asocimit. Nëse kryeministri do të themelonte një asociacion të komunave, ky do të ishte një imponim ndaj komunave. Asocimi është liri, është e drejtë”, tha ai.
“Këtë s’e bëj dot unë, aq më pak ndonjë shtet fqinj që mund të ketë pretendime të tilla”, tha Kurti në një konferencë për media në mesditë.
Ndërsa po fliste për Asociacionin, ai tha se “Marrëveshja Bazike është para se gjithash e mbi të gjitha”.
“Unë kam kërkuar që atë ta nënshkruaj sepse ajo është paketa ku gjithçka mund të vendoset. E jo të nxjerrësh nga paketa diçka e ta shkatërrosh paketën. Atë s’e lejoj”, tha kryeministri.
Ai tha se “nuk bën ta dekontekstualizojmë Asociacionin” dhe “nuk bën t’ia shtrembërojmë kuptimin”.
“Nëse Asociacioni është i imponuar prej lart e prej larg, nuk është më asocim. Për të qenë asocim, duhet të jetë liri dhe e drejtë. Unë kam ofruar ta shkruaj – jam refuzuar. Ju e dini që unë jam shumë konstruktiv, kreativ, i gatshëm për bisedime, për dialog, por kam kërkuar që ta nënshkruajmë marrëveshjen”, tha Kurti.
Shefi i Qeverisë së Kosovës nesër do ta pranojë zyrtarisht Raportin e Progresit për vendin.
Komisioni Europian pritet të kërkojë nga Kosova dhe nga Serbia që të shpejtojnë në ndërmarrjen e hapave në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre.
Në raportin e sivjetmë Kosova kritikohet për “veprimet e pakoordinuara” të cilat thuhet se kanë nxitur tensione, ndërsa vendit i kërkohet të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mbi bazën e draft-statutit të propozuar nga Bashkimi Europian.
Kur u pyet për vërejtjet e përmendura në Raportin e Progresit, Kurti paralajmëroi se mund të dalë edhe nesër para gazetarëve e të flasë pasi t’i lexojë ato që “thuhen, shkruhen e aludohen” në raport.
“Është shumë voluminoz, por besoj që qysh në ditën e parë, për thekset kryesore do të mund të diskutojmë e t’i shqyrtojmë ato”, tha ai.
Kosova nuk e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e propozuar nga BE-ja, duke e refuzuar kështu këtë kusht të ndërkombëtarëve që vendi të anëtarësohej në Këshillin e Europës në maj.
Të tjera
-
Lista Serbe acarohet me Gërvallën në OKB: E fiksuar ndaj Radoiçiqit, falë tij e zgjodhët presidenten
Lista Serbe i ka reaguar ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla–Sch...
-
Bajrami për Mimoza Kusarin: Ka shëtitur në krejt partitë, s’ka kredibilitet
Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami ka folur për shefen e grupit parlamentar ...
-
Jo vetëm Durmishi, edhe Kurti ia krisi valles pas përurimit të një rruge 6 kilometra
Përurimit të një rruge në komunën e Dragashit, me valle, surle e tupana, i ës...
-
Rukiqi: LDK-ja synon 5% rritje ekonomike përmes investimeve
Deputeti i LDK-së, Berat Rukiqi, ka shpalosur synimet për rritjen ekonomike t...
-
Raporti i BE-së për Kosovën, Krasniqi: Kjo qeverisje e futi Kosovën nën masa të BE-së dhe nuk solli asnjë njohje
Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi ka thënë se Raporti i Bashkimit Evropia...
-
Britania në Këshillin e Sigurimit: Kosova të ketë parasysh vendimet e veta, Serbia të luajë rol konstruktiv
Sot në Këshillin e Sigurimit, Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar ka shpreh...
-
Bislimi: Do të zbatojmë rekomandimet e KE-së
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ekzekutivi kosovar do ...
-
Projektbuxheti për vitin 2025 do të jetë 3.6 miliardë euro
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen, në të cilën ka miratu...
-
Moti për javën e ardhshme kthjellime, por më ftohtë, minimalet zbresin nën 0C
Mendimi për motin – 30.10.2024 – Trendet javore Kushte të qëndrueshme atmo...
-
Kurti pranon “Raportin për Kosovën ”, thotë se Qeveria mbetet e angazhuar në rrugën e reformave
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti Shefin e Zyrës s...
-
Nisma mbledh Kryesinë, Limaj: Bashkë më të fuqishëm ti japim Kosovës të ardhmen që meriton
Në një takim të rëndësishëm me kryesinë e NISMA-s Socialdemokrate, kryetari i...
-
Gërvalla e cilësoi “politikan të shquar”, Kurti brenda një viti Ivanoviqin e bëri hero e kriminel
Shefja e diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvalla në Këshillin e Sigurimit të ...