Lajme

Kryetari i Suharekës: Mjetet e Qeverisë nuk mjaftojnë për dëmet nga vërshimet

Autori: Gazeta inFokus 10:51 | 08 September 2018

Gjatë muajit gusht, komuna e Suharekës u përball me vërshime të mëdha, të cilat shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.

Kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, ka deklaruar se punimet e nisura në terren për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara janë në përfundim.

“Komisionet janë duke punuar në terren, janë para përfundimit, domethënë vlerësimin e dëmeve sa i përket amvisërisë. Besoj që shumë shpejt, në bashkëpunim me partitë politike, me komisionet që kemi, do të vazhdojmë t’i paguajmë dëmet që janë krijuar në komunën tonë”, ka thënë Muharremaj në një intervistë për Ekonomia Online.

-Advertisement-

Duke vënë në rend të parë interesin e qytetarëve, ai ka thënë se me të gjitha mjetet ekzistuese fillimisht do t’i trajtojnë rastet më urgjente pastaj do të vazhdojnë me dëmet e tjera.

“Dëmet në amvisëri janë llogaritë që kanë qenë mbi 2.6 milionë euro, dëmet në biznese, dëmet në bujqësi edhe dëmet në infrastrukturë. Mirëpo me këto mjete që i kemi, besoj që do t’i kryejmë rastet më urgjente që kanë qenë në komunën tonë dhe do të vazhdojmë me sanimin e rrugëve dhe t’i përkrahim edhe bizneset edhe pjesët e amvisërisë që kanë qenë të dëmtuara nga dëmet”.

Megjithatë, Muharremaj, është shprehur se mjetet e ofruara nga Qeveria, nuk janë të mjaftueshme, por theksoi se do të bëjnë kërkesë shtesë në buxhetin e vitit 2019 të qeverisë, për ndihma të tjera financiare.

Ai bëri të ditur se do të ketë kompensime materiale për qytetarët e prekur nga vërshimet, sa më shpejt, për shkak të fillimit të stinës së dimrit.

“Ne e kemi marrë për obligim, së pari jam dakordu me Qeverinë, që t’i kryejmë dëmet në amvisëri dhe jemi dakordu me drejtorin regjional të ATK-së që i kam thënë firmave që të bëjnë kërkesë zyrtare që kemi formu një komision, është drejtoria speciale që ka dalë ta bëjë vlerësimin e dëmeve. Njashtu i kemi edhe dëmet në bujqësi, ku i kemi pesë ekspertë që kanë dalë dhe i kanë vlerësu dëmet, por në rend të parë i çojmë tek amvisëria, të përgatitemi për dimër, pastaj këto të tjerat, ku mundemi me mbërri, sa mundemi me mbërri, kemi me iu dalë në ndihmë qytetarëve.

Pas deklaratës së mëhershme të kryetarit, se edhe uji i pijshëm është ndotur pas vërshimeve, ai ka bërë të ditur se kanë mbetur edhe disa fshatra ku nuk po mund të shfrytëzohet uji për t’u pirë dhe ka apeluar që të mos shfrytëzohet deri në rregullimin e këtij problemi.

“Ne marrim çdo tri ditë raporte prej entit të shëndetësisë që është në Prizren, në bashkëpunim me drejtorin e shëndetësisë, momentalisht kemi problem vetëm me ujë të pijshëm në dy-tri fshatra, ku kam kërkuar dje detajisht analiza të sakta. Mirëpo ne apelojmë në ato vende ku nuk mund të përdoret uji, u thtemi që mos e përdorni ujin dhe le ta përdorin ujin e valuar. Kemi kësi raste ende, domethënë nuk është bërë komplet dezinfektimi i ujit të pijes”, ka thënë kryetari i komunës së Suharekës.

Kryetari Muharremaj ka falënderuar bizneset dhe kryetarin e bizneseve, Shaqir Palushin, të cilët, sipas tij, kanë qenë një krah i fortë i mbështetjes për qytetarët e Suharekës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera