Lajme

Kryetari i Shoqatës “Vatra”: Kosova t’i zbatojë kërkesat e Uashingtonit, duhet të ndodhë edhe Asociacioni

Autori: Gazeta inFokus 20:02 | 03 June 2023

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryetari i Shoqatës Vatra, Elmi Berisha thotë se po i ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në veri të Kosovës. Megjithatë, ai shprehet i bindur se kjo është një situatë e përkohshme dhe se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kosovën nuk do të dëmtohen. Ai bën thirrje që qeveria e Kosovës të zbatojë në tërësi thirrjet e Uashingtonit, ndërsa thotë se zyrtarët perëndimorë duhet të tregohen më të ashpër me Beogradin zyrtar.

Krytari i Shoqatës shqiptaro-amerikane “Vatra”, Elmi Berisha, mbështet përpjekjet e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, por shton se çdo lëvizje e qeverisë në Prishtinë, duhet të jetë në bashkërendim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Qeveria e Kosovës, kryeministri, presidentja, parlamenti dhe instuticionet në përgjithësi, duhet ta kenë të qartë se mendimet, qendrimet që vijnë nga Uashingtoni zyrtar duhet të respektohen në tërësi. Ua rikujtoj edhe shqiptaro-amerikanëve por edhe qytetarëve shqiptarë kudo që jetojnë në vendet e origjinës se nuk kemi asnjë mik më të mirë në botë sesa popullin amerikan dhe qeverinë amerikane. Prandaj ne nuk duhet të hedhim dyshime tek e ardhmja e Kosovës”, thotë ai.

-Advertisement-

Në një intervistë për Zërin e Amerikës aktivisti Berisha thotë se Kosova duhet të nisë menjëherë me zbatimin e kërkesave të Uashingtonit, duke përfshirë atë për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Asociacioni duhet të ndodhë, por asnjëherë që të drejtat e serbëve të vijnë në nivelin e vetqeverisjes, ose qeverisjes, apo të drejtës për kushtëzim apo destabilizim të shtetit të ri të Kosovës”, thotë veprimtari.

Zoti Berisha shton se qeveria e Kosovës duhet të ketë besim se Shtetet e Bashkuara nuk do të kërkojnë lëshime që janë në dëm të shtetësisë së Kosovës.

“Asnjëherë nuk do të gabojë me Kosovën sepse është krijuar nga Amerika, është fëmija i Shteteve të Bashkuara. Nuk është vetëm Kosova, por edhe Shqipëria. 110 vite më parë Amerika formoi Shqipërinë, 110 vite më vonë e formoi edhe Kosovën. Prandaj, kjo nuk është dilemma që shqiptarët duhet ta kenë”.

Nga ana tjetër, kryetari i shoqatës panshqiptare “Vatra” thotë se të dërguarit amerikanë dhe evropianë në Ballkanin Perëndimorë, në vend të trysnisë ndaj Prishtinës, duhet të tregohen më të ashpër ndaj Beogradit zyrtar.

“Ndërkombëtarët nuk kanë qenë të drejtë dhe të barabartë gjatë dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Nuk jemi shumë të lumtur me emisarët që po vardisen në Beograd, Prishtinë, Bruksel dhe Departament të Shtetit. Ne mendojmë që agresori, bota e di se është Serbia dhe Beogradi zyrtar, në veçanti Vuçiçi dhe Daçiçi”.

Sipas zotit Berisha, Presidenti serb Vuçiç dhe ministri i Jashtëm serb Daçiç, qëndrojnë pas akteve të fundit të dhunës në veri të Kosovës.

“Të gjitha protestat dhe zhvillimet në këto muajt dhe javët e fundit nuk janë të orkestruara nga qytetarët serbë, por janë organizatat kriminale që vijnë të përgatitura dhe të orkestruara shumë mirë nga Presidenti i Serbisë, zoti Vuçiç dhe ministri i Punëve të Jashtme, zoti Daçiç. Është për të të ardhur keq se bashkësia ndërkombëtare ende nuk e ka një qëndrim të fuqishëm drejt Beogradit zyrtar dhe nuk e ka vendosur në pozicionin ku duhet të jetë Serbia”.

Situata e fundit, në veçanti gjuha e ashpërsuar e Uashingtonit ndaj Prishtinps nxiti riaktivizimin e lobit shqiptaro-amerikan, thotë zoti Berisha.

“Konkretisht jemi duke biseduar me Kongresin, përfaqësuesit në Kongres dhe Senat dhe po angazhohemi që roli i tyre të jetë më i madh në procese. Ndikimi i Kongresit dhe Senatit duhet të jetë shumë më i madh në Departament të Shtetit, sepse ka një ngecje”, thotë ai.

Sipas zotit Berisha procesi i normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të ishte më i sukesshëm, nëse do të udhëhiqej krejtësisht nga Shtëpia e Bardhë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera