Lajme

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit: Kosova jeton më mirë pa Serbinë

Autori: Gazeta inFokus 20:06 | 19 February 2020

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi ka deklaruar se si Odë po kërkojnë që Kosova të krijojë një strategji të zhvillimit ekonomik dhe mbi bazën e saj të krijohen masat mbrojtëse ndaj secilit vend, ku mund të përfshihet edhe reciprociteti.

Krasniqi në RTK, duke përshëndetur vendimin e Qeverisë për bordin e Telekomit, ka thënë se kjo ndërmarrje ka mundur të menaxhohet më mirë, duke e marrë parasysh që në bazë të analizave, mbi 90 përqind të hyrave që ka pas Telekomi kanë shkuar në paga, gjë që është e palogjikshme në aspektin biznesor, pasi nuk guxon më shumë se 40 përqind të të hyrave të shkojnë në paga.

Kurse, drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha tha se ka qenë e pa logjikshme që nga një ndërmarrje mjaft profitabile, të kthehet në një ndërmarrje që punon me humbje dhe krejt kjo për shkak të keqmenaxhimit.

-Advertisement-

E sa i përket tarifës ndaj Serbisë, kreu i bordit të OAK-ut, Skënder Krasniqi tha se qysh në fillim kanë përshëndetur vendimin e qeverisë për vendosjen e tarifës, por kanë kërkuar që dal nga dal të kthehet në reciprocitet, pasi ky hap do të ishte afatgjatë dhe mund të ketë efekte më të mira dhe do të detyrohej Serbia t’i njeh dokumentet e institucioneve të Kosovës.

“Ne si OAK nga qeveria e kaluar dhe nga qeveritë e më hershme, kemi kërkuar edhe që Kosova të krijojë një strategji të zhvillimit ekonomik dhe mbi bazën e asaj strategjie të krijojë edhe masat mbrojtëse”, tha ai.

Ndërsa, Astrit Panxha theksoi se më lehtë e menaxhushme është tarifa 100 përqind dhe nuk ka shpenzime, kurse, reciprociteti do të ketë kosto më të lartë, pasi do të inkuadrohen, dogana, Ministria e Brendshme, sektori privat, etj.

“Ne besojmë që largimi i tarifës duhet të kushtëzohet me disa konsesione të Serbisë, pasi ka shkaktuar dëme të shumta në Kosovë”, tha ai.

Krasniqi tha se nuk është e vërtet që taksa ndaj Serbisë ka rritur çmimet në Kosovë, por shtoi se është e rëndësishme që tregu i Kosovës nuk është më i varur nga produktet e Serbisë.

Ai shtoi se me vendosjen e taksës ndaj Serbisë, kishte një ngritje të prodhimit në Kosovë, edhe pse jo në masë të madhe, pasi që ka qenë kohë e shkurtër, megjithatë nuk janë rritur çmimin në shportën e konsumatorit.

“Është me rëndësi të dinë të gjithë që ne shumë më mirë jetojmë pa Serbinë, si në aspektin politik, ashtu edhe në aspektin ekonomik”, tha ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera