Lajme

Kryetar komune, këshilltarë e profesorë – kjo është biografia e shkurtë e ministrave të AAK-së

Autori: Gazeta inFokus 14:00 | 29 April 2020

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar se ka nënshkruar marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në.

Ai pas takimit me kreun e LDK-së, Isa Mustafa, para gazetarëve ka bërë të ditur emrat e 4 ministrave që do të jenë nga partia e tij dhe të zëvendëskryeministrit.

Zv.kryeministër do të jetë Besnik Tahiri, ministre e Jashtme, Meliza Haradinaj, ministër i Drejtësisë, Selim Selimi, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçi, ministër i Arsimit, Ramë Lika.

-Advertisement-

Po kush janë ministrat e rinj të AAK-së dhe zv.kryeministri?

Më poshtë gjeni një biografi të tyre të shkurtër.

Besnik Tahiri (zv.kryeministër) – një emër i njohur i AAK-së. Për disa vite kishte mbajtur pozitën e zëdhënësit të partisë. Më pas partia e kandidoi dy here për kryetar të komunës së Prishtinës por nuk ia arriti të fitonte.

Në qeverinë Haradinaj, Tahiri ishte emëruar Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore, shkruan Reporteri.net.

Meliza Haradinaj (ministre e Jashtme) – pozitën më të lartë politike e ka pasur në qeverinë Haradinaj. Ishte këshilltare politike e tij.

Por para se të vinte në këtë pozitë, kishte përvojë politike në nivel komunal.

Ajo ishte asambliste në Kuvendin Komunal të Prishtinës gjatë vitit 2009-2013, ndërkaq më vonë themeloi edhe Institutin Kosovar për Diplomaci, organizatë kjo për avancimin e interesit shtetëror të Kosovës në shoqërinë ndërkombëtare.

Meliza është pjesë e strukturave të AAK-së, ndërkaq edhe pse mbanë mbiemrin Haradinaj, ajo nuk ka asnjë lidhje gjaku me kryeministrit e Kosovës. Meliza është e martuar dhe ka dy fëmijë.

Selim Selimi (ministër i Drejtësisë) – në qeverinë Haradinaj ka pasur pozitën e shefit të stafit Haradinajt.

Ndërsa më herët ai ka këshilluar ish-presidenten Atifete Jahjaga. Ai është anëtar i kryesisë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Selimi ka studiuar ne SHBA, në Universitetin “Duke” .

Blerim Kuçi (ministër i Zhvillimit Ekonomik) – për vite me radhë ka mbajtur pozitën e sekretarit të përgjithshëm në AAK, dhe aktualisht është një nga nënkryetarët e saj, shkruan Reporteri.net.

Kuçi edhe vite më parë ka qenë ministër. Sa ishte pjesë e LDK-së, Kuçi gjatë koalicionit LDK-AAK ka qenë Ministër i Punëve të Brendshme. Poashtu për një mandate ka qenë edhe kryetar i Komunës së Suharekës.

Ramë Lika (ministër i Arsimit) – me prejardhje nga Deçani, është i vetmi nga ministrat e AAK-së që nuk ka pozita në strukturat e kësaj partie.

Likaj është porfesor në Universitetin e Prishtinës, ku ligjëron disa lëndë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera