Lajme

Kryesindikalisti i minatorëve të Trepçës: Në mungesë të kushteve, minatorët po i bartin pasojat

Autori: Gazeta inFokus 09:25 | 18 January 2024

Kryesindikalisti i minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi ka thënë se 11 minatorët që u lënduan nga acidi sulfurik të mërkurën në minierën e Trepçës janë liruar nga Spitali i Mitrovicës, ndërsa dy janë ende duke u trajtuar për shkak të lëndimeve më serioze në sy, por që janë jashtë rrezikut për jetë.

Januzi ka thënë se incidenti i djeshëm ka ndodhur gjatë transportimit të acidit që shërben për pastrimin e gypave, ku si pasojë 13 minatorëve u ka rënë acidi sulfurik.

“Ka qenë një aksident gjatë transportimit të acidit që shërben për pastrimin e gypave, ku është derdhur acidi sulfurik dhe kanë marrë lëndime 13 minatorë, ku dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë. Të tjerët që janë liruar kanë probleme me frymëmarrje, ndërkaq këta dy kanë lëndime më të rënda në sy, shpresojmë të tejkalojnë këtë dhe të i kthehen normalitetit”, ka thënë Januzi, për Radio Dukagjinin.

-Advertisement-

Ai ka thënë se për shkak të mungesës së kushteve në minierë, minatorët po i bartin pastaj pasojat.

“Zëri jonë po heshtet, kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kushteve elementare, për të cilat pasojat po i vuajnë minatorët”, ka vijuar ai.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve relevante që të mos vizitojnë minatorët vetëm në momente kritike, por të reflektojnë dhe të investojnë në minierën e Trepçës.

Ndryshe, dje rreth orës 13:00, ka ndodhur një incident në Minierën e Trepçës, ku ka pasur rrjedhje kimike të acidit sulfurik, dhe si pasojë janë lënduar 13 minatorë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Viva Fresh Store triumfon në çmimet Best Buy Award 2024/2025 në Kosovë!
-Advertisement-

Të tjera