Fokus

Kryeshefi i KOSTT-it e bën ‘lëmsh’ ndërmarrjen me ndërrime të pozitave, një mal me ankesa nga punonjësit

Autori: Gazeta inFokus 16:51 | 03 July 2024

Drejtuesit e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, KOSTT, janë duke u përballur me një mal ankesash nga punonjësit e tyre.

Ankesat kryesisht ndërlidhen me ndryshimin e pozitave brenda ndërmarrjes.

Gazeta Infokus gjatë së martës ka raportuar për një ankesë të Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit në Departamentin e Burimeve Njerëzore, Azem Kastrati, i cili po pretendon se kryeshefi i KOSTT-it, Evatar Zeqiri, e vendosi në këtë pozitë, përkundër që Kastrati pretendon se nuk është i kualifikuar.

-Advertisement-

E në një ankesë tjetër të siguruar nga Gazeta Infokus, punonjësja Merita Zharku, gjithashtu është ankuar për një ndërrim pozite.

Ajo ka dorëzuar ankesë kundër vendimit të kryeshefit Evatar Zeqiri, i cili e largoi Zharkun nga pozita e U.D të Drejtorit të Departamentit të Prokurimit, mirëpo sipas saj nuk ia largoi edhe përgjegjësitë e kësaj pozite.

Në ankesë, Zharku ka theksuar se përkundër që është liruar nga pozita e lartëpërmendur, kryeshefi Zeqiri ia ka ngarkuar asaj edhe detyrat e Zyrtarit Përgjegjës të Prokurimit, si dhe e ka emëruar në pozitën e Përgjegjëses së Njësisë për Procedura të Prokurimit dhe Kontrata.

“Për shkak të gjendjes shëndetësore në vazhdimësi kam kërkuar nga Kryeshefi Ekzekutiv që të më liroj nga detyrat dhe përgjegjësitë të cilat rrjedhin nga pozita e UD Drejtorit të Departamentit të Prokurmit. Mirëpo, Kryeshefi Ekzekutiv përmes vendimit me numër 1083 të datës 03.05.2024, më ka liruar vetëm nga pozita e UD e Drejtorit të Departamentit të Prokurimit, por duke vazhduar të më mbaj të ngarkuar me përgjegjësitë e të njëjtës pozitë që bie ndesh me kërkesën time të vazhdueshme për lirim nga detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga pozita në fjalë”, theksohet në ankesën që Zharku e ka adresuar në Komisionin e ankesave në KOSTT.

 

 

Për shkak të mundësisë së largimit nga puna, Zharku e ka cekur në ankesë se do të jetë e detyruar që ta nënshkruaj aneks kontratën, me të cilën ajo nuk pajtohet.

Për vendimin, ajo ka thënë se nuk është njoftuar fare nga kryeshefi.

Kjo ankesë e Zharkut, është refuzuar nga Komisioni i ankesave, i cili i ka dhënë plotësisht të drejtë kryeshefit Evatar Zeqiri.

“Lidhur me pretendimin se së pari duhet të konsultohet në rast të transferimit të propozuar, Komisioni i ankesave bazuar në shqyrtimin e dokumentacionit në dispozicion konstaton se procedurat për njoftim paraprak janë ndjekur në përputhje me dispozitat ligjore. Kryeshefi Ekzekutiv e ka njoftuar dhe ka zhvilluar konsultime me palën ankuese para marrjes së Vendimit, për caktimin e znj.Merita Zharku, ai gjithashtu ka njoftuar se sipas kërkesës së saj të parashtruar me email për lirim nga pozita e ushtrueses së detyrës së Drejtorit të Prokurimit, do ta liron nga kjo pozitë dhe se do të përcaktohet me vendim të veçantë nga KE”, thuhet në vendim.

 

 

Aty gjithashtu theksohet se detyrën e Zyrtarit Përgjegjës të Prokurimit, Zharku do ta ushtroj vetëm përkohësisht.

Pas refuzimit të ankesës, KOSTT-i e ka emëruar përfundimisht atë në pozitat për të cilat u ankua. /Gazeta Infokus.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin

Të tjera