Lajme

Kryeministrja serbe: E ardhmja jonë është në BE (VIDEO)

Autori: Gazeta inFokus 08:56 | 01 August 2017

Serbia po flirton prej kohësh, sa me Rusinë, aq edhe me Bashkimin Europian, duke synuar afrimin me këtë të fundit, e duke mos cënuar njëkohësisht relatat me aleatin e vjetër e të madh.

Në kohën kur Europa dhe Amerika shfaqen gjithmonë e më të shqetësuara nga përpjekjet e Moskës për të shtrirë ndikimin e vet në Ballkanin Perëndimor, raportet se Serbia po përdoret nga Rusët si platformë e propagandës së Moskës në rajon, ia shtojnë merakun Brukselit e Washingtonit.

Megjithatë, Beogradi e ka çimentuar kursin e tij drejt antarësimit europian. Kryeministrja Ana Brnabiç e përforcoi edhe një herë këtë qëndrim, gjatë takimit me kreun e ri të delegacionit të BE-së në Serbi, Sem Fabrizi.

-Advertisement-

E ardhmja e qytetarëve serbë, i tha ajo zyrtarit të lartë europian, është në BE dhe qeveria e re do të punojë në mënyrë aktive, për ta afruar vendin sa më shpejt që të jetë e mundur, me familjen europiane.

Fabrizi nga ana e tij, e përshkroi Serbinë si një partnere të rëndësishme për BE-në, në rajon e më gjerë dhe shtoi se e pret me padurim një bashkëpunim akoma më të ngushtë mes palëve, duke garantuar vazhdimësinë e mbështetjes për reformat politike dhe ekonomike, si dhe përshpejtimin e rrugës së Beogradit drejt bllokut.

Deklarata e Brnabiç vjen pak ditë pas shkrimit të presidentit Aleksandar Vuçiç, në gazetën ‘Blitz”, i cili u pa si ulje e toneve me theksin e vendosur tek nevoja e dialogut dhe një zgjidhje e qëndrueshme dhe afatgjatë për Kosovën.

Normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën, i është vendosur Beogradit si kusht për aderimin në BE. Antarësimi i mundshëm i tyre në bllokun europian, shihet si katalizator i situatës dhe si e vetmja mundësi reale për një zgjidhje përfundimtare të mosmarrëveshjeve të hershme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera