Lajme

Kryeministri Kurti: Veteranët e vërtetë të kenë kompensim më të lartë se paga minimale

Autori: Gazeta inFokus 14:22 | 16 June 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria ka ndarë afërsisht 120 milionë euro për kategoritë e dala nga lufta.

Në fjalën e tij në seancën e sotme, ndërsa jashtë po mbahet protesta e veteranëve, ai tutje tha se respekti për ta po shprehet me buxhet, por numri i veteranëve të UÇK-së është i fryrë, dhe se veteranët e vërtetë të kenë kompensim më të lartë se paga minimale.

“Qeveria me politikat e saj dhe deklarimet e saj ka shprehur mirënjohjen e thellë për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në çlirimin e vendit, për veteranët dhe invalidët e UÇK-së, familjet e dëshmorët e kombit dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë. S’besoj që ne dallojmë sa i përket respektit dhe mirënjohjes për veteranët e UÇK-së, ne mund të dallojmë në bindjen tonë mbi numrin e tyre dhe ky është një debat në shoqërinë tonë dhe në kuvend. Qeveria i ndan 120 milionë euro përafërsisht për kategoritë e dala nga lufta, e që është më shumë sesa për mbrojtjen e vendit, pra për veteranët e invalidët e luftës, për familjet e dëshmorëve, shuma është rreth 120 milionë euro. I bie 1.5 për qind të bruto produktit vendor që është më lart sesa për mbrojtjen dhe sigurinë. Respekti po shprehet me buxhet, por kur shikon përbërjen e përmbajtjen aty ne kemi pas vërejtje edhe kur kemi qenë në opozitë e vazhdojmë të kemi vërejtje edhe sot e kësaj dite, sepse konsiderojmë se pjesëmarrës në luftën çlirimtare kanë qenë edhe më shumë se 60 mijë, por numri i veteranëve të UÇK-së është i fryrë”.

-Advertisement-

Shefi i qeverisë tha se fryrja e numrit të veteranëve është gabim për historinë që iu mësohet fëmijëve dhe të huajve që do të vijnë dhe do ta studiojnë luftën e Kosovës.

“Ky është gabim edhe për historinë që iu mësohet fëmijëve dhe brezave të rinj, sepse është diçka e pavërtetë të konsiderohet një numër i tillë edhe për librat tonë të historisë edhe për brezat e rinj, e besa edhe për të huajt që do të vijnë e do ta studiojnë luftën tonë. S’mund të mashtrojmë askënd dhe s’duhet të mashtrojmë askënd. Duhet t’i përmbahemi të vërtetës. Ka pasur mjaftueshëm veteranë të UÇK-së dhe askush s’ka nevojë ta fryjë atë.

“Ka pasur mjaftueshëm veteranë të UÇK-së dhe askush s’ka nevojë ta fryjë atë, pjesëmarrës edhe më shumë se aq, veteranë shumë më pak se aq. Nuk është respekt e dinjitet paga minimale për veteranin, paga minimale e ka shprehjen minimale për brenda, pra paga është ajo që ipet për punën që bëhet, paga është në kohën e tashmë të vazhdueshme. Nuk jepet paga për diçka para 23 vjetëve. Veteranët e UÇK-së të kenë kompensim mirënjohje, falënderim më të lartë se paga minimale, por një numër i vërtetë i tyre”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë
-Advertisement-

Të tjera