Fokus

Kryeministri hodhi akuza të forta mbi sindikatën e Telekomit, por merr një përgjigje nga kryesindikalisti

Autori: Gazeta inFokus 17:00 | 14 May 2019

Kryeministri Ramush Haradinaj në fund të seancës së Kuvendit ku u diskutua për gjendjen në Telekomin e Kosovës, hodhi akuza të forta mbi sindikatën e kësaj ndërmarrje.

Haradinaj tha se deri tash kanë ngrënë bashkë sindikata dhe menaxhmenti, kurse pasi ka ndodhur problemi të gjithë po alarmohen.

“Krejt kanë hangër bashkë deri qitash. Me sindikata me menaxhment i kanë nda disa privilegje kanë bashkëjetu deri sot, tash kur po e shohin se mund të mbesin të gjithë pa asgjë po alarmohen. Kjo është e vërtetë ju siguroj. Se qe 20 vjet kanë bashkëjetu, ja kanë mshef njëri tjetrit, ja kanë bërë një nder njëri tjetrit. Tash që ka ardhë problemi tash të gjithë po alarmohen”, tha Haradinaj.

-Advertisement-

Megjithatë, ndaj kësaj deklarate të kryeministrit ka reaguar kryetari i sindikatës së Telekomit, Lami Balaj.

Balaj në një prononcim për Gazetën inFokus ka thënë se që në vitin 2015, kur Haradinaj ka qenë në opozitë, ai e ka paralajmëruar atë për gjendjen në Telekom.

“Në vitin 2015 kur unë jam zgjedhur kryetar i sindikatës ka qenë kryeministri aktual. Sot duhet ta dijë edhe kryeministri që ne nuk jemi pjesë e asnjë partie politike e as një individi. Pres, edhe pse jemi goditë në fund nga kryeministri, kam besim në të që duhet të marrë një vendim pozitiv në favor të Telekomit të Kosovës”, ka theksuar Balaj.

Kryesindikalisti i Telekomit ka vlerësuar se pas seancës së sotme u vërtetua se Z-Mobile është një kompani kriminale.

Ai ka thënë se do të kërkojë takim urgjent me menaxhmentin dhe me bordin.

“Do të kërkojë takim urgjent me menaxhmentin dhe me bordin, ku do t’ua bëjë me dije se nuk do të ketë nënshkrim të kontratës me Z-Mobile. Ose më mirë të dhëjnë dorëheqje. Të gjithë atyre që do të tentojnë të nënshkruajnë një kontratë të tillë, pasojat do t’i kenë nga prapa shpinës. Se si do të jenë pasojat, me na lënë neve pa punë edhe ne do t’i ndjekim pas shpine ata”, ka thënë Balaj.

Seanca e Kuvendit është ndërprerë, për të vazhduar të mërkurën. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera