Lajme

Kryeministri flet për valë të re të infektimeve me Covid 19 në shtator

Autori: Gazeta inFokus 18:10 | 11 August 2020

Kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti, sot ka zhvilluar një takim virtual me të gjithë krerët e komunave të Republikës së Kosovës me të cilët ka biseduar rreth menaxhimit të pandemisë COVID-19.

Në këtë takim Hoti u ka kërkuar krerëve të komunave që të përgatiten për një valë të re të COVID-19 e cila mund të paraqitet në shtator.

Në këtë takim virtual me kryetarët e komunave ka qenë i pranishëm edhe ministri Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe ministri i Arsimit, Ramë Likaj.
“Kryeministri Hoti e vlerësoi angazhimin e kryetarëve të Komunave, të cilët i falënderoi për bashkëpunimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve për masat shtesë, duke përfshirë edhe aktivizimin e shtabeve emergjente. Po ashtu, ai kërkoi që të bëhen përgatitje për masat e mëtutjeshme nga Komunat për një valë të re, e cila mund të paraqitet në shtator. Në këtë kontekst, u shtrua edhe nevoja e përgatitjeve për fillimin e viti të ri shkollor dhe obligimet e komunave në këtë proces”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra e kryeministrit.

-Advertisement-

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka theksuar se koordinimi me komunat është esencial për parandalimin e pandemisë. Ai u premtoi komunave se do të ketë përmirësim të furnizimit të spitaleve rajonale me oksigjen, duke i falënderuar komunat që me kapacitetet e tyre i kanë furnizuar spitalet me oksigjen. Po ashtu, ministri Zemaj tha se lidhur me furnizimin me autoambulanca, MSH-ja e ka proceduar kërkesën për autoambulanca shtesë dhe furnizim shtesë të masave mbrojtëse për të gjithë punonjësit shëndetësor, si dhe rishikimin dhe decentralizimin e masave për shpërndarjen e ndihmave.

Naser Ramadani, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, bëri thirrje që zbatimi i masave të vazhdojë nga të gjithë, ndërsa kryetarët e Komunave adresuan një varg çështjesh që lidhen me masat shtesë, të cilat e ndihmojnë parandalimin e përhapjes së COVID-19, e të cilat, sipas tyre, kërkojnë një vëmendje dhe adresim të shpejtë nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera