Rajoni dhe Bota

Kryediplomatët e Kinës dhe ShBA-së zhvillojnë bisedime për Afganistanin e marrëdhëniet dypalëshe

Autori: Gazeta inFokus 12:39 | 30 August 2021

Këshilltari i Shtetit e ministri i Jashtëm kinez Wang Yi dhe sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken zhvilluan të dielën bisedime telefonike, duke shkëmbyer mendime mbi situatën në Afganistan dhe marrëdhëniet midis Kinës e ShBA-së.

Duke theksuar që situata e brendshme në Afganistan ka pësuar ndryshime thelbësore, Wang tha se është e nevojshme që të gjitha palët të angazhohen me talibanët dhe t’i udhëheqin ata në mënyrë aktive. Veçanërisht ShBA-ja duhet të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për të ofruar ndihmën e nevojshme ekonomike, të jetesës dhe humanitare, shtoi ai.

Ministri i jashtëm kinez gjithashtu i bëri thirrje ShBA -së ta ndihmojë qeverinë e re afgane për të ndërtuar një strukturë politike që të ruajë funksionimin normal të institucioneve qeverisëse, sigurinë shoqërore dhe stabilitetin, të frenojë zhvlerësimin e monedhës e rritjen e çmimeve dhe të nisë rrugën drejt rindërtimit paqësor sa më shpejt që të jetë e mundur.

-Advertisement-

Wang u shpreh më tej se faktet dëshmojnë që lufta në Afganistan nuk e ka arritur qëllimin e zhdukjes së forcave terroriste në Afganistan dhe paralajmëroi se tërheqja e nxituar e trupave amerikane dhe të NATO-s ka të ngjarë të krijojë mundësi për ringjalljen e organizatave të ndryshme terroriste në Afganistan.

Ai shtoi se pala amerikane duhet të respektojë parakushtin e sovranitetit dhe pavarësisë së Afganistanit dhe të ndërmarrë veprime konkrete për ta ndihmuar Afganistanin që të kontrollojë terrorizmin dhe të ndalojë dhunën, në vend që të angazhohet në standarde të dyfishta ose luftën përzgjedhëse ndaj terrorizmit.

Nga ana e tij, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i tha Wang-ut se ShBA-ja beson se Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të japë një mesazh të qartë dhe të unifikuar për botën se bashkësia ndërkombëtare pret që talibanët të garantojnë evakuimin e sigurt të qytetarëve të huaj, dhe të sigurojnë që populli afgan të marrë ndihmë humanitare dhe që territori i Afganistanit të mos bëhet burim i sulmeve terroriste ose strehë e sigurt për terrorizmin.

Wang Yi tha se pala amerikane është e qartë për shkaqet e kaosit të tanishëm në Afganistan. “Nëse Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të ndërmarrë ndonjë veprim, ai duhet të ndihmojë në zbutjen dhe jo intensifikimin e konfliktit dhe që situata në Afganistan të kalojë pa probleme e jo të kthehen trazirat,” tha ai.

Blinken shprehu mirëkuptimin dhe respektin e tij për shqetësimet e Kinës në çështjet që lidhen me Afganistanin.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera