Kroacia: Nisma ushtarake me Shqipërinë dhe Kosovën, e hapur edhe për partnerët
Autori: Gazeta inFokus
08:43 | 26 March 2025
Nisma e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, “është e hapur edhe për aleatë e partnerë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, që “duan të kontribuojnë në ndërtimin e stabilitetit, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajonin e Evropës Juglindore”.
Kështu e komenton Qeveria e Kroacisë Deklaratën e nënshkruar nga tri vendet, më 18 mars.Sipas saj, nismës mund t’i bashkohen të gjitha vendet që, po ashtu, duan t’i ofrojnë mbështetje Kosovës dhe Shqipërisë në rrugën e tyre evropiane dhe euroatlantike.
Qëllim i saj “nuk është krijimi i ndonjë aleance ushtarake”.
“Një aleancë e tillë – përveç anëtarësimit në NATO – as që është e nevojshme”, theksohet në përgjigjen me shkrim të Qeverisë kroate, dërguar Radios Evropa e Lirë.
Ndryshe nga Shqipëria dhe Kroacia, Kosova nuk është anëtare e NATO-s.
Në reagimet e tij të para ndaj nismës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me nënshkrimin e dokumentit, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova “kanë hapur një garë armësh në rajon” dhe “kanë shkelur marrëveshjen nënrajonale të vitit 1996”.
Kjo marrëveshje, e cila ka të bëjë me kuotat e lejuara në armatim, u nënshkrua atëkohë nga dy entitetet e Bosnje e Hercegovinës – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska, si dhe nga Kroacia dhe nga Republika Federale e Jugosllavisë, e cila përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi.
Në deklaratën dhënë Radios Evropa e Lirë, Qeveria kroate thotë se kjo marrëveshje është zbatuar vazhdimisht për 29 vjet.
Ajo, po ashtu, kujton se as Shqipëria dhe as Kosova nuk janë palë në atë marrëveshje.
“Në këtë kontekst, është krejtësisht e kotë të lidhet me Deklaratën e përbashkët, të nënshkruar së voni ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, qëllimi kryesor i së cilës është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet ministrive të mbrojtjes të vendeve mike, partnerëve dhe aleatëve”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kroacisë.
Qeveria e Serbisë dhe Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se përse e shohin si kërcënim nismën e tri vendeve ballkanike.
Por, Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, thotë se Beogradi zyrtar “e di fare mirë” se aleatët e NATO-s nuk mund të veprojnë në mënyrë të njëanshme kundër Serbisë.
“Për më tepër, tri vendet e përmendura nuk paraqesin asnjë kërcënim për Serbinë”, thotë Serwer për Radion Evropa e Lirë.
Deklaratën e tri shteteve ai thotë se e sheh si “një lëvizje që kontribuon në stabilitet, jo në destabilizim”.
Ai vlerëson se Kosova ka vepruar “mençur” që ka lidhur partneritet me Shqipërinë dhe Kroacinë, të cilat janë vende anëtare të NATO-s.
NATO-ja e komentoi gjithashtu Deklaratën, duke e cilësuar si marrëveshje trepalëshe mes tri vendeve.
“NATO-ja, si organizatë, nuk është pjesë e iniciativës dhe, për këtë arsye, nuk ka pasur ndonjë rol në procesin e konsultimit”, thuhet në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë.
Pse e pengon Beogradin?
Vuk Vuksanoviq, studiues në Qendrën joqeveritare të Beogradit për Politikat e Sigurisë, thotë se zyrtarët në Beograd po e përdorin Deklaratën “për të larguar vëmendjen” nga problemet e brendshme.
Ai aludon te protestat masive që kanë përfshirë Serbinë për më shumë se katër muaj. Protestuesit, të udhëhequr nga studentët, kërkojnë përgjegjësi politike dhe penale për vdekjen e 16 personave nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, nëntorin e kaluar.
Vuksanoviq thotë se Beogradi e konsideron pjesëmarrjen e Zagrebit si veçanërisht “provokuese”.
“Unë nuk mendoj se ka të bëjë aq shumë me Shqipërinë, marrë parasysh se Vuçiq ka, ose së paku ka pasur një marrëdhënie mjaft bashkëpunuese me kryeministrin Edi Rama”, thotë ai.
Megjithatë, për ministrin serb të Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, memorandumi trepalësh është “një nismë provokuese e vendeve fqinje, që bie ndesh me përpjekjet për forcimin e sigurisë rajonale”.
“Kosova dhe Metohia është një krahinë autonome brenda Republikës së Serbisë, pa marrë parasysh faktin se disa vende, përfshirë Shqipërinë dhe Kroacinë, e kanë njohur pavarësinë e saj të paligjshme dhe të vetëshpallur”, ka thënë Gashiq.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por ajo vazhdon të mos njihet nga Serbia.
Sipas Gashiqit, Zagrebi dhe Tirana ka kohë që përpiqen ta fusin Kosovën në NATO “përmes derës së pasme”.
Po sipas tij, këto dy vende po e ndihmojnë zhvillimin e Ushtrisë së Kosovës, të cilën Serbia e konsideron të paligjshme.
“Qartazi, një skenar i tillë nuk është i pranueshëm për vendin tonë”, ka thënë Gashiq.
Cila është forca ligjore e Deklaratës?
Vuksanoviq thotë se kjo nuk është një marrëveshje tipike ndërshtetërore, sipas rregullave të së drejtës publike ndërkombëtare.
“Memorandumet për bashkëpunim nuk janë ligjërisht të detyrueshme në natyrë”, sipas tij.
Ai thekson se kjo është një marrëveshje nënrajonale midis dy anëtarëve të NATO-s me një palë të tretë – Kosovën.
Pjesëmarrjen e Kroacisë, ai e sheh si përpjekje për të arritur pikë politike në planin rajonal.
Kë e shohin si kërcënim Zagrebi, Tirana dhe Prishtina?
Në përgjigjen dhënë REL-it, Qeveria kroate thekson se bashkëpunimi në mbrojtje midis Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës është “i cilësisë së lartë” dhe se Deklarata ka synim vetëm ta përmirësojë atë.
“Zona e Evropës Juglindore është e ekspozuar ndaj kërcënimeve të sigurisë, veçanërisht atyre nga fusha hibride dhe kibernetike, qëllim i të cilave është destabilizimi i rajonit”, thuhet në Deklaratë.
Aty nuk specifikohet se nga vijnë kërcënimet.
Kush është “faktor i paqes dhe stabilitetit” në rajon?
Përveç kundërshtimit të Deklaratës, zyrtarët serbë kanë përsëritur vazhdimisht se Beogradi mbetet i përkushtuar ndaj ruajtjes së paqes dhe stabilitetit rajonal.
Kështu, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka thënë se, për këtë interes, do të vazhdojë të bashkëpunojë me vendet anëtare të NATO-s.
Por, profesori Serwer thotë se “gara e vetme” e armëve në rajon, është ajo që udhëheq Serbia për vite me radhë.
“Serbia nuk është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Vuçiq, thjesht, i mashtron diplomatët naivë”, thotë ai.
Serwer shton se Beogradi vazhdon të refuzojë zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën, si dhe t’i ofrojë mbështetje politikës secesioniste në Republikën Sërpska, të udhëhequr nga Millorad Dodik.
Po sipas tij, pushteti në Beograd, i cili nuk i ka ndërprerë lidhjet me Kremlinin as pas pushtimit rus të Ukrainës, inkurajon politika proruse si në Serbi, ashtu edhe në Mal të Zi.
“Asnjë nga këto nuk kontribuon në paqe dhe stabilitet”, përfundon Serwer.

T� tjera
-
Kurti bisedon me Rutten në Dublin: Anëtarësimi i Kosovës në NATO i shërben sigurisë në Evropë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë me Sekretarin e P...
-
KFOR organizon ushtrimin “Golden Sabre” në Kampin Vrella, marrin pjesë edhe Policia, EULEX-i dhe FSK-ja
Forca e Kosovës (KFOR) do të zhvillojë ushtrimin “Golden Sabre” në Kampin Vre...
-
Nëna nga Gjakova e raporton djalin e saj në polici, ai dërgohet në mbajtje
Një rast i dhunës në familje është raportuar të ketë ndodhur në Gjakovë. S...
-
Burri la tre fëmijët në rrugë në Prishtinë, ish-gruaja e raporton në polici për sulm
Një rast i dhunës në familje është raportuar në Prishtinë, ku një grua dyshoh...
-
Dhunë në familje në Podujevë, Prishtinë, Gjakovë dhe Malishevë, në njërin rast gjenden armë dhe municion
Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të dhunës në familje në raportin 24...
-
Një person gjendet pa shenja jete në shtëpinë e tij në Prizren
Një person është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në Prizren. Rasti...
-
Të martën shpallet aktgjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve për administrim të drejtësisë
Pasnesër pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ...
-
Bilanc tragjik këtë të shtunë në Shqipëri – Tre të vdekur brenda pak orësh në aksidente, pesë të lënduar
Tre të vdekur dhe pesë të lënduar është bilanci i aksidenteve në rrugë gjatë ...
-
Haziri: Republika mban autorësinë e Rugovës, Adem Jashari e kryengritësit e tjerë janë meritë e tij, Demaçit, Bukoshit e Ahmet Krasniqit
Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke reaguar lidhur me debatin...
-
Cili është kanceri më i rrezikshëm i lëkurës që po shënon rritje? Dermatologia zbulon detajet alarmuese!
Dermatologia Shkëndije Dobruna, në emisionin “Doktor Plus”, ka folur për lloj...
-
Shiroka Pula në Ballon e Marinsave: Amerika është shumë më tepër se një aleat strategjik
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë në Ballon e Marinsave...
-
Vergori në vizitën e dytë në Beograd një muaj pasi mori detyrën – çfarë diskutoi me shefin e ushtrisë serbe?, KFOR jep detaje
Komandanti i KFOR’it, Roberto Vergori, sot në Beograd është takuar me shefin ...

































