Ekonomi

Krizat e njëpasnjëshme po i rrezikojnë investimet e huaja në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 16:12 | 22 November 2022

Investimet e huaja direkte në Kosovë “nuk vlojnë“, mirëpo edhe ato investime potenciale rrezikohen nga pasiguria në vend, saktësisht prej “ambientit të konfliktit” – ku tensionet për situatën në Veri ngritën dhe mediat e huaja ndërkombëtare raportojnë po rreth këtyre zhvillimeve

Në lidhje me këtë, Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane ka thënë se kjo situatë ndikon negativisht në perceptimin e korporatave multinacionale për Kosovën.

Tregon se investitorët ndërkombëtarë kanë pak njohuri për sigurinë në Kosovë dhe një raportim për gjendjen në Kosovë ndikon në gjykimin e investitorëve potencialë.

“Investitorët e huaj në përgjithësi kanë shumë pak njohuri për Kosovën, zhvillimet në aspektin ligjor, përfshirë këtu edhe ofertën për tërheqje të investimeve. Për një pjesë të madhe, Kosova sjell në kujtim të tyre imazhet e luftës së fundviteve të 90-ta”, ka thënë ai.

Ka treguar për impaktin që e rezulton në perceptimin ndërkombëtar fakti që Kosova njihet për konflikte.

“Prandaj rikthimi tek deklaratat për konflikt të mundshëm të armatosur, apo përkeqësimi i situatës së sigurisë, do të ishin sinjal i keq për perceptimin edhe ashtu jo të mirë për Kosovën, por edhe do të ishin në kundërshtim me përpjekjet gjithëmbarshme për pasqyrimin e realitetit të ri që është ndërtuar në Kosovë përgjatë dy dekadave të fundit. Kosova duhet të reflektojë siguri para investitorëve të huaj, e kjo edhe për shkak të fuqizimit të kapaciteteve të brendshme të sigurisë, por edhe të pranisë së forcave ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO”, ka dekaruar Zeka.

Ndërkaq, Berat Rukiqi ish-kryetar i Odës Ekonomike ka thënë se në çdo takim jashtë Kosove i është përmendur faktori politik në Kosovë – si një pengesë e shumë investitorëve për të investuar.

“Në çdo vizitë që e kemi pas, në shumë raste janë paraqitur rreziqet e ndryshme dhe një ndër ato rreziqe më të shpeshta ka qenë risku politik që në rastin e Kosovës ka qenë i shprehur dhe i rritur për shkak të mos përfundimit të një procesi politik që kryesisht ka qenë i lidhur me Serbinë dhe me pjesën tjetër që Kosovën nuk e njohin një pjesë e rëndësishme në Bashkimin Evropian dhe se Kosova nuk është pjesë e OKB-së”.

Rukiqi ka shtuar se shumë vende nuk e dinë ”rrugën e Kosovës“, – pa një status të definuar – kjo ndikon shumë negativisht.

Investimet e huaja në Kosovë

Gjatë periudhës janar-korrik 2022, në Kosovë investimet e huaja kanë qenë 402 milionë e 900 mijë euro, të dhëna nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Por pjesa më e madhe e këtyre të dhënave nuk janë prodhim, por patundshmëri

“Në periudhën Janar-Korrik 2022, vlera e IHD-ve në patundshmëri ishte 278.1 milionë euro“, thuhet në të dhënat e BQK-së.

E investimet e huaja direkte në Kosovë më së shumti vijnë nga shtetet si Gjermania, Zvicra, Austria, Shqipëria, Turqia, SHBA, etj.

Siguria në Kosovë – e cenuar, por e mbikëqyrur

Kosova e ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008, një vit më vonë u konfirmua nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) që pavarësia ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Serbia dhe Rusia nuk u pajtuan me këtë – Kosovën e penguan në rrugën e saj të konsolidimit si shtet.

Deri më tani, Kosova është njohur nga Shtetet e Bashkuare të Amerikës, Britania e Madhe, 22 vende të Bashkimit Evropian, Japonia Koreja e Jugut në Lindjen e Largët si dhe vende të rëndësishme si Arabia Saudite në Lindjen e Mesme. Mbi 100 shtete e kanë respektuar të drejtën ndërkombëtare të konfirmuar nga GJND.

Megjithatë, vendi vazhdon të mos njihet nga shtete si Serbia, Rusia, Kina, India dhe Brazili – duke ia pamundësuar Kosovën anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

E Serbia pos që nuk e njeh Kosovën edhe e pengon. Rrjedhimisht shkakton edhe tensione përmes grupeve në Veriun e Kosovës dhe Listës Serbe që zyrtarisht e pranon afërsinë me Beogradin.

Si pasojë e kësaj, më 31 korrik ndodhi që alarmet e luftës të lëshohen nga komunat veriore të Kosovës që drejtoheshin nga kryetarët serbë – tash të dorëhequr.

Ndërkohë ndërmjetësit ndërkombëtarë si puna e Kryediplomatit të BE’së Josep Borell theksojnë se tash e sa koha krizat në Kosovë janë bërë diçka e rëndomtë dhe se vendi vazhdimisht kalon nga një krizë në tjetrën e cila duhet të menaxhohet nga ta. /Gazeta Express/

Të tjera