Lajme

Kriza energjetike globale ka prekur tashmë edhe ballkanin

Autori: Gazeta inFokus 10:13 | 10 October 2021

Rritja e çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike në Evropë, ka bërë që qeveritë të shpallin gjendje emergjente për furnizim me energji elektrike.

Një vendim i tillë, i hap rrugën institucioneve qendrore të marrin masa preventive dhe të sigurojnë fondet për të kaluar situata të tilla të jashtëzakonshme. Sipas ekspertëve kriza do të jetë prezente me kulmin e saj deri në mesin e vitit të ardhshëm ndërkaq Evropa tashmë ka filluar t’i ndjejë pasojat e sigurimit të gazit për shkak të mungesës së prodhimit dhe cmimeve jashtëzakonisht të larta në tregjet botërore.

Paralajmërimet se ky dimër do të jetë mjaft sfidues dhe se cmimet e energjisë elektrike do të afektojnë konsumatorët tashmë kanë zënë ballinat e medieve botërore. Në Britani, Rrjeti Kombëtar i Britanisë (Britain’s National Grid) i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen e furnizimit me energji të vendit dhe sigurimin e furnizimit, ka thënë se dimri do të jetë mjaft i vështirë sa i përket furnizimit me energji elektrike, kjo për shkak të rritjes së kërkesës për konsum, rritjes së cmimeve në bursa ndërkombëtare dhe mungesës së prodhimit. Në anën tjetër, qeveria Britaneze tashmë ka njoftuar se janë ndarë rreth 680 milion dollarë për të mbështetur konsumatorët me gjendje të rëndë sociale.

-Advertisement-

Njëjt ka vepruar edhe Franca. Ky shtet do të ofroj subvencionim në vlerë prej 580 milion euro për konsumatorët e të njëjtës kategori, në mënyrë që ata të përballojnë mbulimin e shpenzimeve për energji. Një veprim të ngjashëm do ta bëj edhe Qeveria e Spanjës. Ministrja e Energjisë Teresa Ribera, në një konferencë shtypi tha se një shumë prej 2.6 miliarde euro do të shfrytëzohet për konsumatorët. Paketë 500 milion euro për të ndihmuar 1.8 milionë familje do të ofroj edhe Greqia.

Në këtë mes të krizës, nuk mbeti pa u prekur as Shqipëria, e cila tashmë ka hartuar planin e posacshëm, sipas të cilit operatorët e energjisë duhet të pezullojnë investimet, për të garantuar rrymë pa ndërprerje, ndërsa qeveria duhet të sigurojë fondet për të kaluar me sukses situatën e jashtëzakonshme.

Sipas këtij trendi, efektet e krizës energjetike së shpejti do të vërehen edhe në Kosovë. Një paralajmërim të tillë e tha edhe vet Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Ajo ka thënë se cmimet e energjisë elektrike janë katërfishuar dhe se kjo vjen si pasojë e rritjes së kërkesës dhe pjesërisht si pasojë e uljes së ofertës së gazit natyror nga ana e Rusisë. “Hipoteza është për të bërë presion për lëshimin e gazsjellësit ‘Nord Stream II’, mirëpo sido që të jetë është një krizë e thellë energjetike që pritet të thellohet edhe më tej gjatë muajve në vijim”, ka thënë Rizvanolli duke folur në një intervistë për Telegrafin.

Kosova tashmë ka praktika ndërkombëtare të cilat duhet t’i ndjekë për të parandaluar një krizë eventuale energjetike. Ndërmarrja e veprimeve sa më të hershme nga insititucionet vendore, që janë pjesë e hallkës energjetike sigurisht që do të ofronte sigurinë e nevojshme të furnizimit me energji elektrike.

Në anën tjetër, subvencionimi i konsumatorit për të përballuar këtë krizë, sic është bërë tashmë në shumicën e vendeve të afektuara, ka qenë ndër masat e para të ndërmarra nga qeveritë. Mos ndërmarrja e hapave konkret përmes një strategjie të përbashkët nga akterët energjetik do ta bënte të pashmangshëm rritjen e cmimeve të energjisë elektrike.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI

Të tjera