Lajme

Kriza ‘2’

Autori: Gazeta inFokus 08:15 | 05 August 2017

Pas tre vjetësh Kosovës i është përsëritur kriza politike në Kuvend ashtu siç ishte parashikuar. Koalicioni PAN në mungesë të numrave nuk po merr pjesë në seancë, derisa lëvizja “Vetëvendosje” dhe koalicioni LAA thonë se Qeverinë duhet ta bëjnë ata që e kanë shumicën parlamentare. Në zgjedhjet e vitit 2014 koalicioni fitues nuk kishte arritur për 6 muaj t’i formojë institucionet.

Koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) nuk ka marrë pjesë në seancën e djeshme, në të cilën pritej të zgjidhej kryetari i Kuvendit. Kryesuesi i seancës, deputeti i LVV-së Adem Mikullovci, ndonëse kishte thirrur seancën në orën 10:00 u detyrua ta përfundonte atë disa minuta pasi kishte filluar.

Kjo meqë në sallë ishin të pranishëm vetëm përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosje” dhe të koalicionit LDK-AKR-Alternativa (LAA), por jo edhe ata të PAN-it. Andaj, pas konsultimit të kryesuesit Adem Mikullovci me LVV-në dhe me LDK-në seanca u ndërpre përfundimisht.

-Advertisement-

Me këtë rast u vendos që në orën 12:00 të mbahej një takim konsultativ me të gjitha grupet parlamentare për ta caktuar vazhdimin e saj.

Në këtë mbledhje, e cila zgjati më shumë se një orë, mori pjesë edhe koalicioni PAN, mirëpo sërish nuk pati dakordim mes partive politike. Kjo pasi koalicioni fitues kërkoi që të mërkurën të mbahet sërish mbledhje konsultative. Por pas këtij vendimi reagoi LVV-ja, e cila tha se nuk do të marrë pjesë në atë takim. Ndërkaq, LAA-ja konsideroi se një zvarritje e tillë po bëhet kryekëput për mungesë të numrave.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera