Lajme

Kritika në adresë të ASK që publikoi pak të dhëna kur shpalli rezultatet të regjistrimit të popullsisë

Autori: Gazeta inFokus 19:41 | 16 July 2024

Agjencia e Statistikave të Kosovës është përballur me kritika këto ditë për  rezultatet e regjistrimit të popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare. Të dhënat që u prezantuan, ndonëse vetëm preliminare, janë konsideruar si të pakta, meqë nuk u përfshinë as ato për përkatësinë etnike e religjionin. ASK atë ditë nuk prezantoi as ndonjë rezultat mbi punësimin e papunësinë. Disa të dhëna për këtë i ka të publikuara në faqen zyrtare, mirëpo ato janë për tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

10.6 është shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas Rezultateve të Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e tretë të vitit 2023. Si persona të papunësuar figurojnë 51 mijë e 219, pjesa më e madhe gra.

“Shkalla e papunësisë ishte 10.6% (-0.2%) më e ulët sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në raport.

-Advertisement-

Në raport theksohet se shkalla e joaktivitetit vazhdon të mbetet mjaftë e lartë, ndonëse janë gati 37 mijë persona më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Si persona joaktiv, që nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë, figurojnë gati 700 mijë persona.

“Shkalla e jo-aktivitetit vazhdon të mbetet mjaft e lartë (59.1 %) më e ulët (-2.0%), krahasuar me në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Shkalla e jo-aktivitetit tek femrat ishte shumë e theksuar me 75.2 %, krahasuar me meshkujt, 42.0 %”, thuhet në raport.

Ndërkohë si persona aktiv (që kërkojnë punë) janë të regjistruar mbi 483 mijë. Pavarësisht kësaj shifre, muajve të fundit ka shumë ankesa nga bizneset në vend për mungesë të puntorëve, sidomos pas liberalizimit të vizave.

Pavarësisht ankesave, Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar në mars të këtij viti, se punësimi gjatë qeverisjes së tij është më i lartë se që ka qenë ndonjëherë.

“Punësimi është më i lartë se çka qenë ndonjëherë. Ka dyfish më shumë të rinj të punësuar në treg të punës se kur e morëm detyrën. Afër 10 mijë të rinj mes moshës 18-29 vjeç janë punësuar përmes platformës qeveritare Superpuna. Mbi 12 mijë gra janë punësuar përmes masave dhe mbështetjes sonë direkte”, kishte shkruar Kurti.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 19.9%, ndërtimtaria 12.6%, arsimi me 10.0%, prodhimi me 9.1%, administrata publike dhe mbrojtja me 8.2%, etj.

Të dhënat më lartë janë publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në qershor të këtij viti. Të dhëna më të përditësuara nuk ka akoma, meqë rezultatet për punësim nuk ishin në mesin e të dhënave që u bënë publike nga regjistrimi i popullësisë, ekonomive familjare dhe banesave.

Javën e kaluar, ASK në një konferencë ku ishin të pranishëm kryeministri Albin Kurti, ministra, kryetarët e komunave e ambasadorë, prezantoi të dhënat preliminare të regjistrimit.

Bazuar në këto rezultate, Kosova ka 1 milion e 586 mijë e 659 banorë rezidentë, 353 mijë ekonomi familjare dhe 560 mijë banesa.

Përveç këtyre statistikave, nuk janë ka publikuar të dhëna të tjera në këtë fazë. Për këtë ka pasur edhe kritika, meqë nuk u përfshinë as të dhënat mbi etnitetet e religjionin.

Ankesa ka pasur edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti. Ai ka analizuar të dhënat e publikuara deri tash. Sipas tij, largimi në masë i kuadrove të specializuar, sidomos në mjekësi, teknologjinë e informacionit, inxhinieri e fusha të ngjashme, po krijon zbrazëti në treg dhe në shoqëri dhe se kjo do të ketë pasoja afatgjata për ekonominë.

Hoti thotë se ata që emigrojnë, është e pamundur të zëvendësohen, bazuar në numrin e të diplomuarve.

“Në përgjithësi, zhvillimet demografike në Kosovë janë të ngjashme me vendet e tjera sa i përket trendit. Por, përmasat e zhvillimeve demografike janë shumë më të mëdha dhe më të shpejta, në veçanti viteve të fundit. Dividenti demografik që vjen nga popullsia në moshë të re duket se nuk po mund të shfrytëzohet mjaftueshëm për të siguruar rritje më të përshpejtuar ekonomike për të siguruar konvergjencë më të shpejtë ekonomike me vendet në rajon dhe në BE. Largimi në masë i kuadrove të specializuar, sidomos në mjekësi, teknologjinë e informacionit, inxhinieri e fusha të ngjashme, po krijon zbrazëti në treg dhe në shoqëri. Kjo do të ketë pasoja afatgjata për ekonominë. Bazuar në numrin e të diplomuarve brenda vitit në këto fusha, është e pamundur të zëvendësohen ata që emigrojnë”, ka shkruar Hoti.

Një analizë për ndikimin e rezultateve të regjistrimit, e ka bërë edhe Instituti GAP, ku ka përllogaritur se sa mund të ndikohet buxheti vjetor i komunave si rezultat i ndryshimit të popullsisë.

GAP ka llogaritur se miliona euro do t’i humbin 20 komuna të Kosovës, ndërsa 13 komuna do të marrin miliona euro më shumë.

“Mbi 40% e buxhetit vjetor të komunave vjen nga Granti i Përgjithshëm (niveli qendror). Se sa pranon secila komunë nga ky grant varet në masën më të madhe (89%) nga numri i popullsisë së komunës”, vlerëson GAP-i.

Sipas GAP-it, më së shumti humb Prizreni e më së shumti fiton Prishtina.

Ndryshe, sipas një raporti të Bankës Botërore, tregu i punës në Ballkanin Perëndimor ka vazhduar të forcohet gjatë vitit të kaluar.

Sipas BB’së, shkalla mesatare e punësimit në rajon arriti nivelin e ri historik në pothuajse 48 për qind, me 103,000 vende të tjera pune të krijuara nga mesi i 2022 deri në mes të vitit 2023.

“Në vitin 2023, tregu i punës në Ballkanin Perëndimor vazhdoj të forcohej, përkundër të gjitha gjasave. Shkalla mesatare e punësimit në rajon arriti nivelin e ri historik në pothuajse 48 për qind, me 103,000 vende të tjera pune të krijuara nga mesi i 2022 deri në mes të vitit 2023. Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi patën përfitimet më të larta. Në të njëjtën kohë, mungesa e fuqisë punëtore vazhdon të jetë ndër shqetësimet kryesore të ngritura nga bizneset në Ballkanin Perëndimor. Përkundër momentumit në vitet pas pandemisë, pjesëmarrja në fuqinë punëtore mbetet e ulët dhe, së bashku me hendekët e konsiderueshëm gjinorë, po kufizon uljen e mëtejshme të varfërisë”, theksohet në raport.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
-Advertisement-

Të tjera