Fokus

Krimi i harruar| “Crni” ia mori plakut fëmijën 3 vjeçar nga dora dhe ia preu

Autori: Gazeta inFokus 15:09 | 30 June 2020

Foshnja gjashtëjavëshe, Diturie Imer Deliu, u gjet e tëra e mbuluar në gjak duke bërë përpjekje që të pinte pikat e fundit të qumështit në gjirin e nënës së vet të vrarë e masakruar.

Kjo foshnje, që i mbijetoi masakrës në Abri të epërme të Drenasit ku masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, vdiq më 19 nëntor 1998, si pasojë e kushteve të rënda.

Ajo bashkë me 1,316 fëmijë të tjerë, më shumë se gjysma të vrarë nën moshën 5 vjeçare janë bërë ikonë e përshkrimit të veprimeve gjenocidiale e shfarosëse ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së fundit nga regjimi serb, shkruan gazeta InFokus.

-Advertisement-

Këtë e ka dokumentuar në librin e tij Profesor Dr. Salih Krasniqi, “Krimet dhe keqtrajtimet e pacientëve dhe personelit mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga forcat policore dhe ushtarake të Serbisë gjatë luftës në Kosovë 1998-1999”, në të cilin ka publikuar me emër e mbiemër viktimat e krimit të tmerrshëm të shkaktuar mbi më të pafajshmit në Kosovë.

Ai sjellë edhe një raport të publikuar nga Mirosllav Filipoviq, i cili rrëfen për një ngjarje të tmerrshme, aso çfarë mund të shihen vetëm në filma triler, por që as që mund të imagjinohet se mund të ketë ndodhur në jetën reale, shkruan gazeta Infokus.

“Ata ishin duke qëndruar në një vijë të gjatë përgjatë rrugës që dilte nga vendbanimi. Një rezervist me nofkën Crni (i ziu), u ngjit tek një plak i cili mbante një fëmijë të moshës rreth tre ose katër vjeçare. Ai rrëmbeu vogëlushen nga krahët e burrit dhe kërkoi një shpërblim prej 20,000 markash gjermane. Shqiptari kishte vetëm 5000. “Crni” mori fëmijën për flokësh, nxori një thikë dhe ia hoqi kokën. ” 5,000 janë të mjaftueshme vetëm për trupin”, tha ai dhe u largua përtej fshatarëve të tjerë, duke e mbajtur në dorë kokën e fëmijës. E gjithë kjo ndodhi në sy të dhjetëra njerëzve. “Crni” më vonë u shpall i çmendur. U shkarkua dhe u dërgua në shtëpi. Por ai është akoma i lirë të ecë rrugëve, edhe pse ka kryer këtë krim të tmerrshëm”, shkruan pos tjerash në raportin e Filipoviqit.

Për këto dhe të tjera fakte ishin në dijeni edhe krerët më të lartë ushtarak e politik jugosllav si: Gjeneralkoloneli Nebojsha Pavkoviq, shef i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë së Jugosllavisë dhe Sllobodan Millosheviq, president i atëhershëm i Republikës Federale të Jugosllavisë”, shkruan Dr. Krasniqi në librin e tij duke iu referuar të dhënave që  gjenden edhe në një raport i cilësuar si tepër sekret  i hartuar nga shërbimet sekrete të Ushtrisë së Jugosllavisë, i publikuar nga gazetari kralevas, Mirosllav Filipoviq “Oficerët serbë kujtojnë vrasjet”.

Si pasojë e luftës, ai shkruan se 27 mijë fëmijë kanë mbetur jetimë, 12 mijë prej të cilëve pa asnjërin prind./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera