Lajme

Krijohet strategjia me të cilën Qeveria Kurti parasheh shtimin e të ardhurave për punëtorët

Autori: Gazeta inFokus 19:32 | 25 October 2021

“Nëpërmjet kësaj strategjie synojmë që qeverisja jonë të jetë transformuese në atë mënyrë që të përmirësojmë cilësinë e jetesës për qytetarët, të shtojmë të ardhurat për punëtorët, të ngrejmë mirëqenien dhe të mbrojmë ambientin për gjeneratat e ardhshme”, tha kryeministri Albin Kurti, në hapje të takimit për Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030.

Ai theksoi se në qendër të strategjisë është qytetari i cili kërkon punë dhe drejtësi, pra të drejta dhe mirëqenie, dhe janë institucionet tona që kërkojnë zhvillim e qëndrueshmëri, pra demokratizim.

Në këtë takim kryeministri vuri theksin te qëllimet dhe objektivat e qeverisë, të përmbledhura në punë dhe drejtësi. Ai përmendi punën e bërë në këta muaj të qeverisjes që ato të kthehen në plane konkrete dhe të realizueshme.

-Advertisement-

“Zhvillimi ekonomik duhet të shoqërohet me rritje të standardit jetësor, përmirësim të shërbimeve publike e shëndetësore, përmirësim të mjedisit duke e ruajtur e riparuar natyrën dhe zgjidhje të qëndrueshme për shfrytëzimin e resurseve si energjinë, ujin dhe burime të tjera,” tha ai.

Kurti potencoi se Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2030 do të jetë dokumenti kryesor orientues afatgjatë për qeverisje. Prandaj, sipas tij, duhet dakordim për një kornizë më të gjerë, kornizën e planifikimit dhe menaxhimit strategjik, që ndihmon për të administruar politikat dhe shërbimet publike që do të çojnë drejt realizimit të vizionit qeverisës.

Ky takim u organizua nga Zyra për Planifikim Strategjik në Zyrën e Kryeministrit dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, në emër të Qeverisë Gjermane, me qëllim të përcaktimit të planeve për avancimin e projekteve të zhvillimit./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera