Lajme

Kreu i Wagner-it: Po zhvillohet kundërofensiva e Ukrainës

Autori: Gazeta inFokus 07:19 | 12 May 2023

Kreu i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, thotë se kundërofensiva e shumëpritur e Ukrainës kundër pushtimit rus është duke u zhvilluar.

Prigozhin pretendon se forcat e armatosura ukrainase planifikojnë të lëvizin më tej në veri dhe në jug, nëse marrin kontrollin në Bakhmut, një qytet në rajonin lindor të Donetskut, i cili ka qenë epiqendër e luftimeve të rënda për muaj të tërë.

Prigozhin publikoi audio-deklaratën e tij në Telegram, më 11 maj, menjëherë pasi BBC-ja transmetoi një intervistë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në të cilën ai tha se forcave të tij të armatosura u duhet më shumë kohë për t’u përgatitur për një kundërsulm.

-Advertisement-

Prigozhin e akuzoi Zelenskyn për “mashtrim” dhe tha se kundërofensiva është në “zhvillim të plotë”. Ai tha se, në zonën e Bakhmutit, forcat e armatosura të Ukrainës “po godasin krahët tanë dhe për fat të keq, në disa vende po arrijnë sukses”.

Ai tha se nëse njësitë ukrainase marrin Bakhmutin, ato do të vazhdojnë të sulmojnë pjesët e pushtuara nga Rusia të rajonit të Zaporozhyes në Ukrainë dhe rajonet ruse Bryansk dhe Belgorod, të cilat kufizohen me Ukrainën.

“Për këtë arsyeja nisi ofensiva e Ukrainës. Të gjitha [njësitë ukrainase] që kanë kaluar trajnime dhe kanë marrë të gjitha armët, pajisjet, tanket dhe gjithçka tjetër të nevojshme, janë plotësisht të përfshira në veprimet ushtarake”, tha Prigozhin.

Ai përsëri kritikoi Ministrinë ruse të Mbrojtjes për, siç tha ai, hezitimin për t’u siguruar trupave të Wagner-it municionin e nevojshëm.

“Wagner vazhdon të kryejë misione ushtarake me mungesa të tmerrshme predhash, në nevojë për municion, sepse të gjitha premtimet e Ministrisë së Mbrojtjes nuk janë realizuar”, theksoi Prigozhin, duke shtuar se më vonë do të sqarojë sesi ushtarët e tij arrijnë të luftojnë pa municion.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës dhe ajo e Federatës Ruse ende nuk e kanë konfirmuar apo mohuar komentin e Prigozhinit.

Sipas vlerësimeve në Perëndim, Rusia ka pësuar rreth 200.000 viktima gjatë luftës 14-mujore, si dhe vazhdon të ketë dhjetëra të tjera në baza ditore në Bakhmut, të cilin forcat ruse janë përpjekur ta marrin që nga vera e kaluar./ REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera