Kreu i OKB-së thirrje Rusisë të rikthejë marrëveshjen e drithit
Autori: Gazeta inFokus
07:31 | 25 July 2023
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres i bëri thirrje Rusisë që të rikthejë në fuqi marrëveshjen e drithit të ndërmjetësuar nga OKB-ja për të lejuar transportin e eksporteve të grurit nga portet ukrainase në Detin e Zi.
Gjatë fjalimit të tij në hapjen e një takimi të nivelit lartë për ushqimin në Romë, zoti Guterres tha se uria në botë do të përkeqësohet nëse marrëveshja nuk rinovohet. “Më të prekshmit do të paguajnë çmimin më të lartë”, tha ai.
Ndërkohë gjatë një vizite në Kenia dhe Somali, një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Thesarit do të trajtojë çështjen se si dalja e Moskës nga marrëveshja e drithit në Detin e Zi do të dëmtojë shtetet afrikane. Nënsekretari Brian Nelson do të argumentojë se si Rusia e braktisi marrëveshjen e grurit pavarësisht përpjekjeve të Uashingtonit për të lehtësuar lëvizjen e eksporteve ruse të grurit dhe plehërave kimike.
Marrëveshja e drithit kishte siguruar lëvizjen e eksporteve të grurit drejt vendeve në zhvillim, veçanërisht për në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, që kur Moska sulmoi Ukrainën në shkurt 2022.
Çmimet e grurit janë rritur mbi 14% që nga dita e hënë, kur Rusia u tërhoq nga marrëveshja e grurit dhe çmimet e misrit janë rritur me më shumë se 10%.
Rusia nuk pranon vazhdimin e marrëveshjes nëse nuk hiqen sanksionet ndaj eksporteve ruse të ushqimeve dhe plehrave kimike.
Më herët të hënën, sulmet ajrore ruse goditën magazinat ukrainase të grurit në lumin Danub, duke dëmtuar këtë trajektore alternative të transportit të drithit ukrainas dhe duke plagosur shtatë persona. Pothuajse 30 anije janë bllokuar pranë portit të rëndësishëm ukrainas Izmail.
“Rusia po përpiqet të bllokojë plotësisht eksportin e drithit tonë dhe ta bëjë botën të vdesë nga uria”, tha Guvernatori i Odesas, Oleh Kiper në televizionin ukrainas.
Një kompani tregtare franceze e quajti këtë një “zhvillim të madh dhe një goditje të madhe” për eksportet ukrainase, duke shtuar se: “Pa korridorin e Detit të Zi dhe tani me sulme ndaj linjave alternative, do të jetë e vështirë të nxirren drithërat ukrainas jashtë vendit”. Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba akuzoi Rusinë se po përpiqet të përfitojë “duke mbajtur peng 400 milionë njerëz” dhe bëri thirrje për “një përgjigje të bashkuar globale ndaj terrorizmit me ushqimet”.
Danubi ka qenë një rrugë kryesore alternative e eksportit për Kievin që kur Rusia u tërhoq nga marrëveshja që e lejon Ukrainën të transportojë grurë, misër dhe produkte të tjera nëpërmjet Detit të Zi.
Të hënën, sindikata e tregtarëve ukrainas të drithërave, e njohur si UGA, i kërkoi Bashkimit Evropian të rrisë kapacitetin e të ashtuquajturave linja solidariteti, për të lejuar transportin e eksporteve të grurit të Ukrainës dhe produkteve të tjera bujqësore duke ofruar rrugë alternative tranziti nëpërmjet hekurudhave, rrugëve tokësore dhe ujore pas rënies së marrëveshjes për drithin përmes Detit të Zi.
“Kjo do të çojë në një ulje të ndjeshme të kostos së transportit të drithit dhe do t’u mundësojë fermerëve ukrainas të eksportojnë grurë të bollshëm pa humbje drejt vendeve që kanë nevojë për drithin ukrainas, duke stabilizuar kështu sigurinë globale të ushqimit”, tha sindikata UGA.
Pesë vende të Evropës Qendrore duan që BE-ja të zgjasë ndalimin e importeve të Ukrainës pas skadimit të tij më 15 shtator, duke pretenduar se importe të tilla po dëmtojnë fermerët e tyre. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e quajti një kërkesë të tillë “të papranueshme”.
Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal javën e kaluar u kërkoi partnerëve të Kievit dhe Komisionit Evropian të sigurojnë eksportin e papenguar të të gjitha produkteve bujqësore ukrainase për në Bashkimin Evropian.
Rusia akuzoi të hënën Ukrainën se kishte sulmuar me dronë Moskën dhe Krimenë, ndërsa po sot Ukraina tha se Rusia, kishte ndërmarrë një sulm të ri ajror ndaj qytetit të Odesës.
Ushtria ruse tha se kishte rrëzuar të dy dronët që sulmuan Moskën. Sipas kryetarit të bashkisë së qytetit, Sergei Sobyanin, ishin dëmtuar dy ndërtesa jorezidenciale dhe nuk kishte njoftime për viktima.
Agjencitë ruse të lajmeve thanë se mbetje të një droni ishin gjetur pranë Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
Në Krime, guvernatori i vendosur nga Rusia tha se Kievi kishte sulmuar me dronë një depo municionesh, ndërsa shtoi se mbrojtja ajrore kishte arritur të rrëzonte 11 dronë.
Rusia ka goditur disa herë rajonin e Odesës që pas njoftimit në fillim të javës së kaluar, për t’u tërhequr nga marrëveshja për eksportin e sigurt të grurit ukrainas nëpërmjet Detit të Zi.
Por sot zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i hodhi poshtë njoftimet se Moska kishte sulmuar infrastrukturën civile në Odesa, përfshirë edhe kishat. Komentet e tij pasuan sulmin e së dielë ndaj qendrës historike të qytetit, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Gjatë sulmit rus u dëmtua edhe Katedralja historike e qytetit.
Gjatë një fjalimi të dielën në mbrëmje, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dënoi sulmet ruse ndaj qytetit të Odesës, kryesisht ndaj qendrës historike të tij. Ai tha se Kievi do të hakmerret ndaj këtyre akteve, duke shtuar se Rusia do ta ndjejë patjetër një gjë të tillë.
“Objektivi i gjithë këtyre raketave nuk janë vetëm qytetet, fshatrat apo njerëzit. Objektiv i tyre është njerëzimi dhe themelet e të gjithë kulturës sonë evropiane”, tha zoti Zelenskyy.
Përfaqësues të klerit njoftuan se kisha historike kishte pësuar dëme të mëdha. UNESCO lëshoi një deklaratë duke e dënuar fuqishëm sulmin, ndërsa shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, e cilësoi atë “një krim të ri lufte”.VOA

T� tjera
-
Aksident i rëndë në autostradën në Prizren
Një aksident i rëndë raportohet të ketë ndodhur në autostradën në Prizren. ...
-
Sekretari amerikan i Transportit: Ruteri që mund ta ketë shkaktuar kaosin në hapësirën ajrore po analizohet nga FAA e FBI
Sekretari i Transportit, Sean Duffy, tha të dielën se Administrata Federale e...
-
SHSKUK: Katër punonjës janë suspenduar pas evidentimit të parregullsive në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues
SHSKUK njofton se katër punonjës janë suspenduar pas “evidentimit të parregul...
-
Në mesin e të arrestuarve për dr*ogë edhe ish- Ministri Astrit Haraqija, avokati: U intervistua për kontrabandim të narkotikëve
Ish-ministri i Kosovës, Astrit Haraqija, është në mesin e personave të ndalua...
-
Qytetarët kundërshtojnë projektin për Fontanën në Ulpianë
Fontana është një nga “monumentet” ikonike të lagjes së Ulpianës në kryeqytet...
-
Banda shqiptare e vjedhjeve në banesa goditet nga policia, 4 të arrestuar në Francë
Katër shqiptarë janë dënuar me nga tre vite burg në Francë, pasi u shpallën f...
-
Gjermania zgjeron kompetencat e shërbimeve sekrete për t’u përballur me kërcënimet e huaja
Shërbimet e brendshme dhe të jashtme të inteligjencës në Gjermani do të kenë ...
-
Abonime të fshehta, reklama mashtruese: BE-ja vepron
Kurthe abonimesh, taktika mashtruese të shitjes, funksione që i nxisin përdor...
-
Policia godet grupin e organizuar të trafikimit me kokainë në Prishtinë, arrestohen gjashtë persona
Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të koduar “Heshtja”, në kuadër t...
-
Osmani i reagon Haxhiut për Rugovën: Përpjekje për ta denigruar, gjatë 5 vjetëve liderë botërorë veç atë ma përmendën
Deputetia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani i ka quajtur “përpje...
-
Janina Ymeri: Qytetarët në komunat me shumicë shqiptare paguajnë deri në 22% më shtrenjtë rrymën sesa ata në veri
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka ngritur shqetësi...
-
Parashikimi i frikshëm i ‘babait të inteligjencës artificiale: IA mund të dalë jashtë kontrollit të krijuesve në tre vitet e ardhshme
Fituesi i Çmimit Nobel, Geoffrey Hinton, i njohur si “babai i inteligjencës a...

































