Lajme

​Krerët shtetërorë urojnë pavarësinë me rastin e ngritjes së flamurit: Jemi më të fortë se kurrë

Autori: Gazeta inFokus 09:13 | 17 February 2024

Flamuri i Republikës së Kosovës, është ngritur në oborrin e Qeverisë, për nder të pavarësisë. Me këtë rast, krerët shtetërorë kujtuan sakrificën më sublime të atyre që dhanë jetën për liri, derisa theksuan se Kosova sot është më e fortë se kurrë.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se këto 16 vjet të shtetësisë së saj, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe i ka dëshmuar botës se është kontribuuese e paqes, sigurisë dhe stabilitetit edhe përtej kufijve të saj.

“Këto 16 vjet të shtetit tonë Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe ka vendosur për të treguar para botës se jo vetëm që e ka merituar lirinë dhe pavarësinë e saj, por është kontribuuese e paqes, stabilitetit dhe sigurisë edhe përtej kufijve të saj. Dua t’i urojë të gjithë qytetarët e Kosovës sepse gjithsecili ka dhënë një kontribut për shtetin tonë, por në veçanti dua t’i kujtojë ata që dhanë më të shtrenjtën e tyre, dhanë jetën e tyre, dëshmorët e kombit, të gjithë martirët tonë. Në këtë ditë kujtojmë vizionin e arkitektit të pavarësisë, presidentit Ibrahim Rugova dhe sakrificën e pashembullt, trimërinë dhe guximin e familjes Jashari dhe gjithë ushtarëve me në krye komandantin Adem Jashari”, tha ajo.

-Advertisement-

Se 17 shkurti është ditë e festimit, por edhe falënderimit dhe mirënjohjeve tha kryeparlamentari Galuk Konjufca.

“Sot është një ditë jo vetëm e festimit, por edhe reflektimit, falënderimit dhe mirënjohjeve. Falënderimi i parë shkon për ata dëshmorë dhe martirë që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë, po ashtu edhe për të gjithë ata veprimtarë dhe aktivistë politikë që nuk kursyen asnjë gjë që shteti jonë të krijohet. Padyshim edhe miqtë tanë ndërkombëtarë që të lindë Republika e Kosovës”, shtoi Konjufca.

Për kryeminsitrin e vendit, Albin Kurti, Kosova asnjëherë nuk ka qenë kaq e fortë, e sigurt dhe demokratike.

“Rezistenca dhe çlirimi i paraprinë pavarësisë, të cilën e gëzojmë sot dhe forcojmë përmes institucioneve të shtetit, zhvillimit të ekonomisë, progresit demokratik dhe shoqëror. Ky 16 vjetor e zë Kosovës me pasaportën e saj të fuqishme si asnjëherë më parë duke mundësuar që qytetarët të lëvizin lirshëm në 35 vende. Gjithashtu edhe në aspektin ekonomik, demokratik dhe atë të sigurisë dhe të integritetit, duhet të themi se Republika jonë e përbashkët asnjëherë nuk ka qenë kaq e fortë, sigurt, lirë dhe demokratike”, tha Kurti.

Pas ngritjes së flamurit, krerët shtetërorë vazhduan për homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Lansohet aplikacioni më i ri i lojalitetit që sjell t’mira pafund Kartela Plus!
-Advertisement-

Të tjera