Lajme

Krejt çka u tha në mbledhjen e përbashkët Kosovë-Shqipëri

Autori: Gazeta inFokus 21:10 | 27 November 2022

Deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, u mblodhën sot (e dielë) në Tiranë për nder të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë, në mbledhjen e parë të përbashkët midis dy parlamenteve, ​duke shënuar kështu nivelin më të lartë të bashkëpunimit në historinë e parlamentarizmit të të dyja shteteve.

Me praninë e kryeministrave Edi Rama e Albin Kurti, anëtarëve të tjerë të kabineteve qeveritare të të dyja shteteve dhe të ftuarve të tjerë, mbledhja filloi me intonimin e himnit kombëtar shqiptar dhe himnit të Republikës së Kosovës.

Bashkëkryesuesit e kësaj mbledhjeje, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, në fjalimet e tyre përshëndetëse theksuan rëndësinë e kësaj mbledhjeje të përbashkët, si gurthemel të një tradite të re të bashkëpunimit ndërparlamentar.

-Advertisement-

Nikolla, në fjalën e saj tha se kjo është një ditë e bekuar dhe se bashkësia shqiptare në rajon duhet të bashkëpunojë më shumë për të krijuar jo vetëm një të ardhme më të mirë për shqiptarët, por për të gjithë rajonin.

“Dikur as si ëndërr nuk mund të na shfaqej ky moment për shkak të pengesave të historisë. Shqipëria dhe Kosova janë sot dy shtete të pavarura me miq dhe aleatë të mëdhenj dhe me aspiratë të përbashkët drejt Brukselit”, tha Nikolla, duke shtuar se sfidat e shqiptarëve në shekullin që kemi hyrë janë të përbashkëta.

“Sa më shumë të koordinohemi aq më shumë përparon bashkësia shqiptare në Ballkan. Sa më e qëndrueshme bashkësia shqiptare, aq më i qëndrueshëm do të jenë Ballkani dhe Evropa. Dy Kuvendet tona duhet të japin kontribut në fushën e legjislacionit për një jetë më të mirë”, theksoi Nikolla.

Konjufca, duke uruar deputetët dhe të gjithë kombin shqiptar për Ditën e Flamurit, tha se 28 Nëntori i mban në gjirin e vet të gjitha ëndrrat tona kolektive, por edhe aspiratat e përbashkëta, mundin e përpjekjen e gjatë për liri si dhe dashurinë e madhe për kombin tonë.

Kjo ditë, shtoi kryetari Konjufca, e ka krejt simbolikën e vet të nevojshme për të na mbajtur gjallë emocionet më të thella, krenarinë më të lartë, gatishmërinë më të vendosur dhe kujtimet tona më të çmuara.

“Një fill i vetëm, i qartë e i fortë, e përshkon historinë tonë të lavdishme, prej kthimit të Skënderbeut në Krujë, e përmes shpalljes së pavarësisë shqiptare në Vlorë deri te lufta e UÇK-së. 28 Nëntori është i Shqipërisë po aq sa është i Kosovës, meqë është i të gjithë shqiptarëve. Historia jonë kombëtare është sikurse një substancë e vetëdijshme e cila shpaloset përmes 28 Nëntorit“, theksoim Konjufca.

Duke kujtuar ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së, Konjufca tha se lufta e lavdishme çlirimtare e popullit tonë e largoi okupatorin serb nga Kosova dhe kjo i hapi rrugë shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ashtu sikurse një shekull më parë Lidhja e Prizrenit i hapi rrugë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

“Sa më afër njëra-tjetrës Shqipëria me Kosovën, aq më lehtë do të jetë për t’i mbrojtur interesat jetike të kombit tonë“, tha kryetari i Kuvendit.

Duke marrë fjalën në seancë, kryeministri Albin Kurti, pasi potencoi rëndësinë historike të pavarësisë së Shqipërisë 110 vjet më parë, foli për arritjet e përbashkëta dhe planet konkrete që ekzistojnë midis dy shteteve, në funksion të forcimimit të bashkëpunimit e të marrëdhënieve.

Kurti tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë më shpesh bashkë.

“Na duhet të jemi më shpesh bashkë dhe jo vetëm në kremte dhe jo vetëm ne politikanët. Na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjetrin, t’i pranojmë kritikat njëri-tjetrit, pra të punojmë së bashku. Hapësira jonë publike, politika, kultura e ekonomia, nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta, kalaja ku e vëmë të gjithë nga një gur”, tha i pari i ekzekutivit.

Sipas tij, Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara, është anëtare e NATO-s, ka nisur negociatat me BE-në dhe ka ecur para në shumë fusha.

Kreu i qeverisë tha se Kosova u gëzohet sukseseve të Shqipërisë dhe Shqipëria u gëzohet sukseseve të Kosovës.

“Urojmë që sukseset e Shqipërisë të mos ndalen, por vetëm të shtohen çdo ditë. Jam i bindur se ashtu siç gëzohemi ne edhe Shqipëria gëzohet për Kosovën”, tha Kurti.

Në emër të qeverisë shqiptare, kryeministri Edi Rama e cilësoi ditën e sotme një ditë të bukur, duke shtuar se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë vetëm të shkëlqyera, por edhe produktive.

Rama shtoi gjithashtu se dy shtetet duhet t’i japin vendin e duhur në libra dhe hapësirat publike 40 firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë së shqiptarëve.

Gjithashtu theksoi se njohja përfundimtare e Kosovës do të vijë.

“Kosova nuk do pres aq sa ka pritur për t’u njohur dhe për të qenë e pranishme në çdo instancë të organizimit të botës ku ne jetojmë. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës sot nuk janë vetëm të shkëlqyera, por janë edhe produktive më shumë seç kanë qenë ndonjëherë. Mjafton të shohim të dhënat e shkëmbimeve tregtare apo lirinë e lëvizjes që deri dje dukej e pamundur, apo abetaren e përbashkët, apo punën e përbashkët për fjalorin enciklopedik”, tha Rama

Nga kabinetet qeveritare, fjalën e morën gjithashtu edhe ministrja e shtetit për bashkëpunim me Parlamentin në Qeverinë e Shqipërisë, Elisa Spiropali dhe ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sfeçla.

Ministrat Spiropali e Sfeçla gjatë fjalimeve të tyre potencuan po ashtu arritjet e deritashme që janë shënuar në sferën e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe projeksionet për të ardhmen.

Sipas agjendës së paraparë, në foltore dolën edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje fjalën e mori kryetarja e këtij grupi, Mimoza Kusari-Lila.

Duke e vlerësuar impozante pamjen e sotme, ajo theksoi se për të është privilegj i madh që sot mund t’i drejtohet popullit shqiptar. Po ashtu Kusari-Lila dha një vështrim historik të ngjarjeve të rëndësishme, duke shtuar se kjo ngjarje e përbashkët e jetëson ëndrrën e qindra-mijëra njerëzve të cilët u sakrifikuan për vendin.

Kusari-Lila shtoi se shqiptarët janë bashkë këtu falë vajzave dhe djemve të cilët dhanë jetën me flamurin kuq e zi në gjoks. Prandaj, sipas saj, tani është detyrë e përfaqësuesve të institucioneve ta jetësojnë projektin kombëtar.

Duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, kryetari Taulant Balla theksoi se po të ishte sot në jetë Komandanti Legjendar Adem Jashari, do kremtonte dy festa, 110-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe 67-vjetorin e ditëlindjes së tij. Balla po ashtu theksoi se kombet e vogla fitojnë, sepse e drejta qëndron pas tyre dhe se i tillë ishte edhe fati i shqiptarëve.

Sipas tij, liria e Kosovës ka qenë një ëndërr e madhe dhe se sot Adem Jashari do donte të na shihte të lirë e të bashkuar. Po ashtu Balla theksoi se masakrat dhe spastrimet janë monument tmerri e errësire dhe se drejtësia duhet vënë në vend, duke mbrojtur legjitimitetin e luftës historike.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, duke uruar të gjithe shqiptarët për ditën e flamurit, tha se rruga deri këtu ka qenë e gjatë, e vështirë, plot lavdi e plot shpresë.

Ai tha se historia jonë ka tregime lavdie, por ka edhe tregime historike.

Tahiri përmendi gjithashtu edhe krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilët ai i cilësoi heronj të gjallë të lirisë e pavarëisë së Kosoves, e të cilët po mbahen padrejtësisht më Hagë.

Kreu i Grupit Parlamentar të PDK-së tha se 28 Nëntori i Skënderbeut, si themel, 28 Nëntori i Ismail Qemailit, si projekt dhe 28 Nëntori i Adem Jasharit dhe UÇK-së, si akt përmbyllës, janë tre 28 nëntorët që i kanë dhënë vulë të drejtës sonë historike.

Në fjalën e tij kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj, theksoi se kjo mbledhje është e veçantë dhe unike, sepse, siç tha ai, ajo ka bërë bashkë përfaqësuesit e kombit për të kremtuar festën e flamurit. Alibeaj gjithashtu tha se Kosova ishte e larë në gjak dhe se lufta e kryengritjet e shumta bën që të arrihet këtu ku jemi sot.

Ai po ashtu theksoi se rruga e shqiptarëve drejt lirisë dhe pavarësisë ishte e vështirë e me sakrifica të mëdha, ndërsa shtoi se miqësia me ShBA-të dhe interesimi i institucioneve shqiptare në politikën e jashtme do të bëjnë që të mos cenohet integriteti i shtetit të Kosovës.

Alibeaj, shtoi se do të mbështetet çdo nismë nga sfera e kulturës, ekonomisë dhe fushave tjera, përderisa foli edhe për Projektrezolutën për të kundërshtuar dhe dënuar akuzat kundër luftës së Kosovës dhe UÇK-së.

Duke uruar të gjithë shqiptarët, kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi theksoi se me këtë flamur, për këtë flamur e rreth tij, shqiptarët çdo herë kanë qëndruar të bashkuar.

Po ashtu ai tha se populli shqiptar është popull i vjetër dhe se historia, gjuha dhe figurat kombëtare, si Skënderbeu e Nënë Tereza, Adem Jashari e shumë e shumë tjerë, na e kujtojnë të kaluarën tonë të lavdishme historike, e po ashtu na obligojnë të punojmë e ndërtojmë të ardhmen tonë të ndritur.

Duke folur për jetën parlmentare dhe institucionale, Gashi theksoi se Republika e Kosovës është një stroie suksesi, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, me një demokraci të qëndrueshme, duke përmendur kështu ish-Presidentin Ibrahim Rugova dhe mbështetjen e miqve ndërkombëtarë.

Kryetarja e Grupit Parlamentar për Demokraci dhe Integrrim, Mesila Doda, tha se 28 nëntori 1443 është dita në të cilën Skëndërbeu ngriti flamurin në Krujë e shpalli fillesën e një shteti të përbashkët, 28 nëntori i vitit 1912 shënon fillimin zyrtar të shtetit shqiptar, ndërsa ky nëntor i tretë duhet t‘i japë jetë projektit më madhështor, atij të bashkimit, unifikimit e konceptimit të një kombi shqiptar, modern e të begatë.

Ajo shtoi se Kosova e lirë është ëndrra më e bukur e bërë realitet e çdo shqiptari, por ëndrra, siç tha ajo, nuk duhet të ndërpritet. Sipas saj, duhet punuar për t’u rritur më shumë dhe të bashkuar duke i dhënë jetë kombit modern shqiptar.

Besnik Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se 28 nëntori shënon një arritje të madhe historike. Ai tha se ky shekull është shekull i shqiptarëve, duke shtuar se të jesh sot bashkë në një Shqipëri që sot është anëtare e NATO-s, vend kandidat në BE dhe qytetarët e saj lëvizin lirshëm, duhet të jetë moment reflektimi me konstatimin se ky rrugëtim nuk ka qenë i lehtë.

Tahiri shtoi se përderisa shteti shqiptar feston 110 vjetorin, Kosovës i ka mbetur edhe një copë rrugë për ta shtyrë procesin përpara. Ai tha se për proceset që ka para vetes, Kosovës i nevojitet mbështetja e Shqipërisë.

Fatmir Mediu nga Grupi Parlmentar Aleanca për Ndryshim theksoi se shqiptarët janë kombi më i vjetër në Ballkan dhe se aktualisht Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete në një komb të ndarë. Sipas tij, shqiptarët duhet të jenë të bashkuar në Evropë dhe se duhet thelluar bashkëpunimin institucional.

Mediu, gjithashtu foli për dëshmorët dhe heronjtë, si dhe për vlerat tona kombëtare.

Kryetari i Grupit Parlamentar Multietnik, Enis Kervan, duke u uruar 28 Nëntorin të gjithë shqiptarëve, tha se grupi parlamentar i komuniteteve joshumicë është i përkushtuar për bashkëpunim insitucional në të gjjthë mekanizmat.

Ai tha se si përfaqësues, vazhdojnë të angazhohen që komunitetet të ndjehen të sigurta dhe të trajtuara në mënyrë të barabartë, ndërsa theksoi përkushtimin për të mbështetur rrugën evropiane të të dyja shteteve.

Në shënim të këtij përvjetori, në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë u mbajtën edhe aktivitete të shumta kulturore.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera