Lajme

Krejt çka tha Kurti në Këshillin Atlantik në SHBA

Autori: Gazeta inFokus 11:59 | 19 May 2022

Kryeministri Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Washington D.C. ishte mysafir në platformën “Front Page” të Këshillit Atlantik për të diskutuar rreth prioriteteve të politikave vendore, politikës së jashtme dhe agjendës së tij.

Në adresimin e tij në Këshillin Atlantik, Kurti foli edhe për deklaratat e presidentit rus, Vladimir Putin i cili i referohet Kosovës.

“Të përdorësh Kosovën si shembull për të justifikuar ndërhyrjen në Ukrainë nuk është gjë tjetër veçse injorancë dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj së vërtetës, njerëzimit dhe mendjes së shëndoshë. Tregon një shpërfillje të plotë të së drejtës ndërkombëtare dhe të përgjegjësisë për të mbrojtur normat jetike ndërkombëtare – norma që sigurojnë që komuniteti ndërkombëtar kurrë nuk do të dështojë më për të ndalur gjenocidin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit”, tha Kurti.

“NATO ndërhyri në Kosovë për të ndaluar gjenocidin që po kryente regjimi serb i Millosheviqit. Ky gjenocid ishte i mirë-dokumentuar dhe i dëshmuar nga e gjithë bota, ashtu si gjenocidi aktual që po bëhet në Ukrainë”, shtoi ai.

Ndonëse në Kosovë shpreh parreshtur kritikat e tij për ata që ishin në pushtet 20 vitet e pasluftës, në SHBA Kurti foli për ndihmën e Amerikës duke theksuar se si “nga një viktimë e luftës dhe gjenocidit, Kosova është bërë një shtet i pavarur, sovran, me institucione të plota demokratike dhe një kushtetutë të bazuar në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut”.

“Historia e suksesit tonë është histori që ne e ndajmë me komunitetin global të kombeve demokratike”, tha ai.

Adresimi i plotë i kryeministrit Kurti në Këshillin Atlantik:

Është një nder të jem këtu me ju sot në Këshillin Atlantik në Washington D.C.

Është një vend i përshtatshëm për të pasur një bisedë të rëndësishme rreth situatës aktuale globale dhe se si ajo ndikon tek të gjithë ne.

Kosova ka një marrëdhënie të veçantë me Shtetet e Bashkuara; miku ynë vendimtar, aleati kritik dhe partneri ynë i domosdoshëm.

Historitë tona janë të ndërthurura dhe e ardhmja jonë është e lidhur.

Ndërhyrja humanitare e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë i dha fund shtypjes sistematike të shqiptarëve të Kosovës dhe ndaloi gjenocidin që Serbia po bënte kundër nesh.

Ishte një luftë ku humbën jetën gati 13 mijë civilë; mbi 10% e të cilëve ishin fëmijë.

20 mijë gra u përdhunuan dhe u bënë qindra masakra.

Familjet e viktimave kërkojnë drejtësi edhe sot e kësaj dite nga një kundërshtar i cili mohon që këto krime të kenë ndodhur.

Por Shtetet e Bashkuara na besuan dhe besuan në ne, dhe ata besuan në luftën e Kosovës për liri dhe pavarësi, për sovranitet dhe vetëvendosje.

Nga një viktimë e luftës dhe gjenocidit, Kosova është bërë një shtet i pavarur, sovran, me institucione të plota demokratike dhe një kushtetutë të bazuar në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Historia e suksesit tonë është histori që ne e ndajmë me komunitetin global të kombeve demokratike.

Kosova tani po kontribuon për paqen dhe stabilitetin, duke shërbyer me krenari përkrah partnerit dhe aleatit tonë Shteteve të Bashkuara.

Vitin e kaluar ne strehuam afro 1500 të evakuuar afganë, Forca e Sigurisë së Kosovës u vendos bashkë me trupat amerikane në Kuvajt – duke shënuar misionin tonë të parë paqeruajtës ndërkombëtar – dhe ishim gjithashtu pjesë e stërvitjes së përbashkët ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ,“Defender Europe 21”, ku Kosova ishte në mesin e 16 vendeve pritëse që mori pjesë me 330 ushtarë.

Bashkëpunimi ynë i vazhdueshëm forcon përkushtimin afatgjatë të Kosovës për paqen, sigurinë dhe anëtarësimin në NATO.

Sot, Evropa është në një moment të rrezikshëm pas pushtimit dhe agresionit të pajustifikuar dhe të paligjshëm të Rusisë në Ukrainë. Për më shumë se 80 ditë Ukraina i ka bërë ballë sulmit të paprovokuar të Rusisë.

Për ne, imazhet që shohim janë veçanërisht të dhimbshme. Na kujtojnë vuajtjet e Kosovës 23 vjet më parë.

Kjo është arsyeja pse ne kemi treguar solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj që nga dita e parë e sulmit.

Ne iu bashkuam menjëherë sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër Federatës Ruse.

Ne nuk hezituam të shprehim gatishmërinë tonë për të pranuar deri në 5000 refugjatë dhe për të shpërndarë ndihma humanitare për ta, si dhe kemi ofruar strehim dhe hapësirë pune për 20 gazetarë ukrainas.

Njëra prej tyre, zonja Lyudmila Makey, tashmë është banore e Prishtinës – duke ua thënë të vërtetën atyre që kanë më shumë nevojë ta dëgjojnë.

Kemi dëgjuar pothuajse çdo ditë referimin e Putinit për Kosovën si precedent për të ndërhyrë në punët e një vendi më të vogël.

Kjo nuk është asgjë më shumë se një gënjeshtër. Ashtu siç nuk ka dëshmi të dhunës sistematike kundër rusëve etnikë në Ukrainë, krahasimi me Kosovën është shumë i largët për të pasur ndonjë vlerë kritike.

NATO ndërhyri në Kosovë për të ndaluar gjenocidin që po kryente regjimi serb i Millosheviqit. Ky gjenocid ishte i mirë-dokumentuar dhe i dëshmuar nga e gjithë bota, ashtu si gjenocidi aktual që po bëhet në Ukrainë.

Të përdorësh Kosovën si shembull për të justifikuar ndërhyrjen në Ukrainë nuk është gjë tjetër veçse injorancë dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj së vërtetës, njerëzimit dhe mendjes së shëndoshë. Tregon një shpërfillje të plotë të së drejtës ndërkombëtare dhe të përgjegjësisë për të mbrojtur normat jetike ndërkombëtare – norma që sigurojnë që komuniteti ndërkombëtar kurrë nuk do të dështojë më për të ndalur gjenocidin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.

Mohim, shmangie dhe mashtrim. Kjo ishte dhe është ende strategjia e Rusisë në Ukrainë. Tani është adoptuar edhe nga përfaqësuesja e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, Serbia.

Marrëdhëniet e ngushta të Serbisë me Rusinë nuk mund të injorohen, veçanërisht tani, kur Serbia refuzon të sanksionojë agresionin e Rusisë.

Në rrugët e Beogradit, tubimet pro-Rusisë dhe Pro-Putinit për të mbështetur pushtimin rus të Ukrainës, duke përfshirë ministrat e kabinetit dhe disa anëtarë të Partisë Socialiste në pushtet atje, ndodhin çdo të dytën ditë.

Rusia është e interesuar të hapë fronte të tjera beteje në mënyrë që të ndjekë strategjinë e saj “përshkallëzim për shpërshkallëzimin”; për të siguruar një pozicion më të mirë negociues për të arritur qëllimet e saj në Ukrainë. Duke pasur parasysh marrëdhëniet dhe lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë, mbështetjen e saj për pushtimin e Ukrainës dhe duke pasur parasysh faktin se Republika Srpska në Bosnje kontrollohet nga Moska po aq sa edhe nga Beogradi, rreziku i përhapjes së konfliktit në Ballkanin Perëndimor është fatkeqësisht i lartë.

Ne do të mirëpresim aplikimin e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë në Bashkimin Evropian dhe presim që BE-ja ta pranojë edhe aplikimin tonë këtë vit. Një proces i bllokuar i zgjerimit të BE-së do të jetë gjithmonë një ftesë për akterët e huaj keqdashës që kërcënojnë sigurinë e Evropës.

Javën e kaluar kemi aplikuar zyrtarisht në Këshillin e Evropës, një nga organizatat më të vjetra dhe më të mëdha evropiane, ku qytetarët kosovarë do të mund të përdorin mekanizmat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ne po ecim përpara me Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe presim një vendim të vonuar për liberalizimin e vizave.

Me pak fjalë, Kosova është fener i demokracisë në rajon. Ne jemi vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor.

Ne u renditëm të parët në Ballkanin Perëndimor në indeksin e “World Justice Project” për vitin 2021, në raport me Sundimin e Ligjit, dhe u ngritëm për 17 vende në Indeksin e Transparency International për perceptimin e korrupsionit. Ne ishim gjithashtu i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që u përmirësuam në raportin e Freedom House për kombet në tranzicion.

Vitin e kaluar arritëm rritje ekonomike prej 10.53% të BPV-së sonë me një rritje prej 83% të eksporteve, 21% rritje të Investimeve të Huaja Direkte, 34% rritje të të hyrave nga tatimet, rritje 31% në dogana dhe shtuam më shumë se 25,000 vende pune.

Për dallim nga progresi ynë, fqinji ynë verior Serbia nuk është aspak një demokraci e mirëfilltë. Serbia është në thelb një shtet njëpartiak me Vuçiqin në krye. Opozita nuk ka asnjë shans real për të fituar dhe liritë e medias janë të dobëta.

Mungesa e demokracisë në Serbi ndihmon për të shpjeguar mbështetjen e Putinit për Vuçiçin, sikurse dhe mbështetjen e Vuçiqit për Putinin: Autokratët i kthejnë shpinën popullit të tyre për të përqafuar njëri-tjetrin. Kjo përbën një kërcënim për paqen afatgjatë në rajon.

Kosova është tregimi i suksesit demokratik të rajonit. Prandaj duhet të mbështetet me ndihmë më të madhe ekonomike. Ajo gjithashtu duhet të mbështetet për t’u bërë anëtare e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale pa ndonjë vonesë të mëtejshme.

Mos e vëni në dyshim: zhbërja e përparimit tonë në Kosovë do të ishte fitorja e vetme më e madhe që mund të dëshironte presidenti despotik Putin. Kjo është arsyeja e fiksimit të paarsyeshëm të tij me vendin tonë.

Ne nuk duhet të lejojmë Vladimir Putinit të kornizojë këtë debat nëse është apo jo e pranueshme për të që të ketë anëtarë të NATO-s në kufirin e Rusisë ose përfaqësuesve të saj (Serbisë).

Por përkundrazi, nëse mund të tolerojmë autokracinë në kufijtë e kombeve demokratike paqësore.

Autokracitë që gërryejnë, degradojnë dhe tallen me normat tona ndërkombëtare.

Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu sot.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri dhe miku më i ngushtë i Kosovës. Jo vetëm sepse historia jonë është e thurur në kohë çlirimi dhe nevoje, por sepse ne jemi të lidhur me vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë.

Le të punojmë aktivisht për t’i dhënë fund konflikteve në Evropë në një mënyrë të drejtë dhe të parandalojmë përhapjen destabilizuese të diktaturës.

Së bashku do t’ia dalim, faleminderit shumë.

Të tjera