Lajme

Krejt çka ndodhi në protestën e sotme te selia e PD-së në Tiranë

Autori: Islam Morina 17:03 | 08 January 2022

Një protestë e paralajmëruar ditë më parë nga ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, filloi e qetë para selisë së PD-së, protestë kjo që kërkonte lirimin e selisë nga Lulzim Basha, i cili kohë më parë përjashtoi nga partia Sali Berishën.

Situata filloi të acarohej kur njëri nga deputetët e PD-së, përkrahës i Bashës, i cili nuk u lejua të futej në ambientet e selisë, ku Lulzim Basha po qëndronte me strukturat e tij, shkruan Gazeta Infokus.

Protesta degjeneroi në dhunë e vandalizëm në momentin kur përkrahësit e Berishës tentuan që dhunshëm të futen në objektin e selisë së PD-së.

-Advertisement-

Nga përdorimi i mjeteve të forta u shqye dera e katit të parë nga hyrja qendrore gjë që bëri që përkrahësit e Bashës të kundërpërgjigjën me spraj dhe bomba gazi lotsjellës.

Pastaj me mjete të improvizuara para fillimit të protestës u tentua të shqyhet edhe dera tjetër e selisë, ndërkohë që protestues me anë të shkallëve tentuan të futen nga dritaret e katit të dytë.

Duke mos mundur të futeshin protestuesit filluan të gjuajnë me mjete të forta në dritaret e katit të dytë dhe po ashtu edhe me bomba gazi lotsjellës nga të dyja palët.

Pas agravimit të situatës në këtë masë ndërhyri policia e cila tha se kishte pranuar telefonata nga brenda PD-së dhe se aty po rrezikohej jeta e disa deputetëve, e cila largoi masën me anë të gazit lotsjellës.

Turma e drejtuar nga Berisha iu drejtua kryeministrisë, por që u pengua nga policia qysh pa arritur atje.

Berisha e drejtoi turmën protestuese sërish drejtë selisë së partisë, por që kësaj radhe u përballën me forcat e RENEA-s që nuk i lanë të hyjnë në ndërtesë.

Gjatë gjithë kësaj situate pati reagime të shumta e ndër to edhe ai i ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila kërkoi nga palët që të përmbahen nga aktet e dhunës.

Protesta përfundoi në orët e pasdites, por Sali Berisha tha se nuk do të ndalojnë deri në momentin kur të lirojnë selinë nga siç i quajti ai uzurpatoret e selisë së lirisë dhe largimin përfundimtar të Bashës nga selia.

Ndërkohë policia njoftoi se nga kjo protestë e dhunshme deri më tash në komisariat janë shoqëruar 20 persona.

Protesta pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, kurse njohësit e rrethanave politike atje parashikojnë se mund të ketë përshkallëzim të situatës./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera