Ekonomi

Kreditë për pushime e Bajram, varfërojnë buxhetet familjare

Autori: Gazeta inFokus 14:19 | 24 June 2017

Ka vazhduar edhe sivjet tradita e bankave komerciale në Kosovë për lansimin e ofertave të ndryshme për kredi të shpejta, të cilat ndërlidhen me festat fetare apo edhe festa tjera.

Disa qytetarët ofertat për këtë produkt i konsiderojnë mashtrim dhe përfitim për vetë bankat. Njëri nga ta është Arben Berisha, punonjës në sektorin publik.

“Nuk është mirë që për festën e Bajramit, bankat të japin kredi, sepse kamatat janë të larta, kjo nuk është kredi. Kjo është sikur me marrë para me fajde”, thotë Berisha.

-Advertisement-

Nisur, sidomos nga ofertat për kredi për festën e Bajramit apo ato për pushime veriore, Sadat Kiçmari, ekonomist me profesion, i cilëson ato si përpjekje për joshje sa më të mëdha të klientëve për të hyrë në obligime financiare ndaj bankave të caktuara.

“Bankat nuk mendojnë për interesin e qytetarëve. Normat janë shumë të larta, në çdo aspekt, nëse analizohet kredia, norma del më e lartë se sa që thuhet në bankë”, shprehet Kiçmari.

Praktika e dhënies dhe marrjes së kredisë për festa të Bajramit dhe për pushime, është e pakuptimtë thonë ekspertë për çështje financiare.

Milazim Abazi, ekspert për këtë çështje, thotë se bankat përfitojnë nga ky produkt, por në anën tjetër, buxheti i familjeve vështirësohet.

“Marrja e kredisë për festën e Bajramit apo për pushime verore është e pakuptimtë dhe e panevojshme për qytetarët, pasi kjo do të ngarkojë buxhetin familjar. Mirëpo, kjo është atraktive për bankat, pasi kreditë e vogla dhe të shpejta kanë interesin e lartë”, vlerëson Abazi.

Tradita e bankave për dhënien e kredive të shpejta, nënvizon Abazi, nënkupton gjendjen e rëndë sociale të qytetarëve.

Ai thotë se pagat e ulëta në sektorin privat dhe publik, nuk mundësojnë kursime, nga të cilat qytetarët do të paguanin për pushime apo edhe festa të ndryshme.

“Në Kosovë, kosto e jetesës është shumë e shtrenjtë, sidomos për qytetarët që punojnë në sektorin privat, të cilët kanë paga më të ulëta. Andaj, kjo i detyron qytetarët që për një shpenzim me vlerë shumë të vogël, t’u drejtohen bankave”, thekson Abazi.

Edhe në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se pak më shumë se gjysma e ekonomive familjare në Kosovë gjatë vitit të kaluar kanë deklaruar se nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një shpenzim të papritur prej 500 eurosh përmes burimeve vetanake.

Kurse, 70 për qind të ekonomive familjare nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një pushim vjetor njëjavor.(rel)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane
-Advertisement-

Të tjera