Lajme

Krasniqi: Qasja shtypëse ndaj Policisë së Kosovës të marrë fund, ka ardhur koha që shteti të reflektojë

Autori: Gazeta inFokus 14:15 | 05 October 2023

Deputetja e Lidhjes Demokratike, Rrezarta Krasniqi, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se Policia e Kosovës ka nevojë për më shumë dinjitet, derisa ka kritikuar pushtetin për mospunë.

“Z.Kurti do të duhej ta ketë kuptuar me të vërtetë rolin e Policisë dhe nevojën që ka shteti për sigurinë nga ana e tyre. Mendoj se ditët e fundit është hequr çdo dilemë që dikush mund ta ketë pasur, andaj, nënvlerësimi i kontributit të tyre duhet t’i vijë fundi. Por kjo u pa edhe sot, se këta vazhdojnë me të njëjtën sjellje”, tha Krasniqi.

Ajo ka folur për policët që sakrifikuan jetën e tyre në veri, gjatë agresionit serb në fshatin Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

-Advertisement-

“Ne e kemi ditur, por edhe ju e patë çfarë policie profesionale dhe vetëmohuese kemi. I patë djemtë dhe vajzat më të mira që triumfuan përballë terrorizmit dhe agresionit serb. Ka ardhur koha që të reflektoni sepse shteti e ka për obligim që t’iu ofrojë paga meritore atyre që janë të gatshëm për t’u sakrifikuar, për të garantuar sigurinë e vendit, siç është rasti me Afrim Bunjakun”, tha ajo.

“Ky është minimumi që duhet të bëhet, duhet të paguhet edhe niveli i rrezikshmërisë së tyre, që padrejtësisht është hequr tash e disa muaj. Kjo qasje shtypëse ndaj tyre duhet të marrë fund, sepse nuk mund të nëpërkëmbet e drejta e tyre. Ata na zbardhën fytyrën para krejt botës, e shpëtuan atdheun.

Krasniqi ka bërë thirrje “të mos shkelet dinjiteti i Policisë së Kosovës”.

“Duhet të marrin rrogë dhe shtesat e tyre që ju takojnë, sepse kjo u takon dhe duhet të bëhet menjëherë”, tha Krasniqi.

Krasniqi, ka shtuar se edhe koordinimi me forcat amerikane, sidomos në raste të tilla si sulmi në veri, është tejet i rëndësishëm.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera