Lajme

Krasniqi për shkarkimin e kryetarëve: Komunat në veri kanë edhe dy javë afat për mbledhjen e nënshkrimeve

Autori: Gazeta inFokus 11:57 | 10 January 2024

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në konferencë për media të mërkurën ka folur për procesin e shkarkimit të katër kryetarëve të komunave në veri të vendit, përmes peticioneve të iniciuara nga qytetarët.

Para mediave, Krasniqi ka thënë se në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok kanë mbetur edhe dy javë afat për t’i mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e kryetarëve, ndërsa në Zveçan edhe pesë ditë më shumë.

Ai ka sqaruar se kryetarja e Kuvendit Komunal të Zveçanit nuk e ka procesuar kërkesën e qytetarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe kësisoj grupi i qytetarëve i është drejtuar vetë MAPL-së dhe KQZ-së bazuar në Udhëzimin Administrativ.

-Advertisement-

Këto deklarata ministri i ka bërë teksa ka njoftuar për takimin që ka zhvilluar një ditë më parë me përfaqësues të shteteve të QUINT-it dhe të zyrës së BE-së në Kosovë.

“Nga përgjegjësia e nivelit qendror dhe lokal, të gjitha obligimet janë përmbushur. Tashmë i kemi katër grupe të qytetarëve në veri të vendit, të cilët janë autorizuar për mbledhjen e nënshkrimeve. Të gjitha grupet kanë autorizimet dhe dokumentet e nevojshme. Kosova vazhdimisht ka qenë konstruktive dhe udhëzimi administrativ e dëshmon këtë”, ka thënë Krasniqi.

Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok ka nisur më 22 dhjetor mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë. Ndërsa në Zveçan, ka nisur më 27 dhjetor. Afati për mbledhjen e nënshkrimeve është 30 ditë.

Ndërkaq, lidhur me masat e BE-së të vendosura ndaj Kosovës, ai ka deklaruar se janë të padrejta pasi nuk iu janë adresuar palës që ka shkaktuar tension. /Telegrafi/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu
-Advertisement-

Të tjera