Krasniqi: Kurti po tërhiqet nga marrëveshjet që pranoi vet, pasojat do t’i vuajë Kosova

Autori: Gazeta inFokus
20:13 | 14 September 2023
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas takimit të sotëm në Bruksel, mes kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili përfundoi pa ndonjë rezultat.
Krasniqi ka thënë se Kurti e ka kuptuar tek sot atë që opozita ia ka thënë shumë herë, “se në Bruksel dhe Ohër ka pranuar një marrëveshje dhe një aneks të zbatimit të saj, përmes së cilave ka hequr dorë nga njohja e ndërsjellë, ndërsa ka vendosur asociacionin dhe autominë politike për serbët në qendër të dialogut”.
Sipas tij, Kurti pasi e ka kuptuar gabimin ka vendosur të bëjë lojëra fjalësh dhe hapa mbrapa, veprime për të cilat thotë se pasojat do t’i vuajë Kosova.
“Në këtë situatë – të qëndrimit refuzues si pasojë e pranimit paraprak, Kryeministri Kurti e ka futur veten vet. Askush nuk e ka detyruar të pranoj marrëveshjen dhe aneksin e saj të zbatimit, nëse ka qenë i bindur se ato janë të dëmshme. Tash, pasi e ka kuptuar se ka gabuar, ka vendosur të bëjë lojëra fjalësh dhe hapa mbrapa. Fatkeqësisht, ky ndryshim i qëndrimit nuk do t’i kushtojë atij, por Kosovës. Kosova dhe qytetarët e saj nuk i kanë borxh asgjë Kryeministrit Kurti – aq më pak sanksionet të cilat tashmë po i vuajmë dhe të tjera që janë paralajmëruar”, ka shkruar Krasniqi.
Tutje Krasniqi ka thënë se thirrjet populiste për t’u bashkuar kundër perëndimit dhe botës demokratike në një shtet që ka synim integrimin euro-atlantik janë çmenduri e llojit të vet.
“Qytetarëve dhe shtetit tonë nuk i duhet e nuk i ndihmon ky kurs i konfrontimit me aleatët strategjikë. Sot, para se gjithash, Kosova ka nevojë për një Qeveri tjetër – kredibile, të aftë dhe të përgjegjshme, e cila e rikthen vendin në kursin e nevojshëm të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik”, thuhet në postim.
Ndryshe, pas takimit, Kurti tha se nuk mund të bënte kompromis me atë që ai e cilësoi si “kushtëzim të vjetër të Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Nuk ka mundur të ketë kompromis, meqenëse nuk mund të ketë kompromis midis propozimit me sekuencë dhe kushtëzimit të vjetër. Kur unë kërkova gjatë këtij takimi që ta shoh propozimin që ka dhënë Serbia, sepse m’u tha që ka një të tillë, ndërmjetësit nuk ishin në gjendje që ta sjellin.
Dhe vetëm pas përfundimit të takimit m’u dha një dyfaqësh në anglisht dhe në serbisht në çirilicë, i cili paraqet një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj, që do të thotë se nuk mund të jetë udhërrëfyes i sekuencuar si propozim i palës serbe, por që në fakt ishte dokument i kushtëzimit të Serbisë që njëherë duhet të zbatohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, pra ajo marrëveshja e para 10 vjetëve, e më pastaj eventualisht do të mund të kalojmë në zbatimin e kësaj Marrëveshjes Bazë”, deklaroi Kurti.
Ai tha se ka qenë i vetmi në takim që ka propozuar “një udhërrëfyes të sekuencuar” për zbatimin e Marrëveshjes bazë, të arritur në Bruksel më 27 shkurt, dhe të aneksit të zbatimit të saj, të dakorduar në Ohër, më 18 mars.
Tutje, Kurti tha se është për të ardhur keq se si pikërisht kur është konstruktiv dhe bën propozime, shkaktohet një lloj nervoze në dhomë dhe vështirësohet dialogu.
“Nuk mund të quhet propozim, sepse kur ta lexoni përmbajtjen do ta shihni që është kushtëzim, ndërkaq ne e kemi bërë një propozim dhe është për të ardhur keq se si pikërisht kur jam konstruktiv dhe bëj propozime shkaktohet një lloj nervoze në dhomë dhe vështirësohet dialogu”, deklaroi Kurti.
Ai ka akuzuar ndërmjetësit europianë se kanë bërë zyrtare qëndrimin e Serbisë që ajo të kushtëzohet me Asociacionin.
“Është për të ardhur keq që emisari evropian Lajçak, e ka pranuar një kushtëzim të tillë dhe kushtëzimin nga Serbia që e ka pranuar ndërmjetësi Lajçak, e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues edhe ndërmjetësues, por unë nuk mund ta pranoja një gjë të tillë duke cenuar asisoj Kosovën, Kryeministër i së cilës jam.
Pra, edhe këtë dokumentin tjetër që është më i vjetër se gjashtë muaj që paraqet dokumentin e kushtëzimit të Serbisë, që njëherë asociacioni e pastaj shohim gjithashtu e kemi tani në dorë e nuk kemi qenë në dijeni se ka një dokument të tillë”, tha Kurti.

Të tjera
-
Shpërthen zja*rr në afërsi të ish-hekurudhave në Prizren, s’ka të lënduar
Në afërsi të ish-hekurudhave në Prizren, hapësira mes rrugëve “Wesley Clark” ...
-
Gashi: Vendosja e votimit në mënyrë arbitrare, antikushtetues dhe cenim i demokracisë
Deputeti i betuar i LDK-së, Arben Gashi ka ripotencuar edhe një herë aktgjyki...
-
Një i lënduar nga rra*hja në veri, dy të tjerë po intervistohen nga policia
Një person ka pësuar lëndime pas përleshjes fizike që pasoi sot në veri të Mi...
-
Përleshje fizike mes shqiptarëve dhe serbëve në veri
Një përleshje fizike mes disa personave shqiptarë e serbë, ka ndodhur sot në ...
-
Beograd: 77 persona të ndaluar në protestë, Vuçiq paralajmëron arrestime të reja
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka akuzuar të dielën studentët prote...
-
Musliu akuzon VV-në për diktaturë: Është koha t’i japim Albinit, Dejonës dhe marionetave të tyre një leksion politik
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvend...
-
Iu ndërpre fjala tri deputeteve, Deliu-Kodra: Në vend të fjalës, dëgjuam urdhëra, kjo s’është demokraci
Gjatë seancës së sotme konstituive, deputeteve Vlora Çitakut, Hykmete Bajrami...
-
Po udhëtonte drejt Greqisë, policia shqiptare kap 65 vjeçaren me 25 mijë euro të padeklaruara
Një grua është kapur me 25 mijë euro të padeklaruara nga Policia e Shqipërisë...
-
Murati: Opozita po shkel Kushtetutën duke refuzuar pjesëmarrjen në votim
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka kritikuar partitë tjera ...
-
Ky është momenti kur Dehari i kërkoi sigurimit t’i ndërpres Çitakut fjalimin
Gjatë seancës së sotme në tentativë për konstituimin e legjislaturës së re të...
-
Miftaraj: VV dhe Albin Kurti haptazi kanë kapur Kuvendin e Kosovës
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar ashpër ndaj vep...
-
Arbreshë Krasniqi: Kosova është përtej qëndrimeve individuale, është më shumë se 120 deputetë
Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Arbreshë Krasniqi ka folur për media pas ...