Lajme

Krasniqi kritikon Qeverinë për menaxhimin me pandeminë: Mos mbani distancë me qytetarin

Autori: Gazeta inFokus 20:29 | 28 August 2021

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thurur një varg kritikash ndaj Qeverisë për mënyrën e menaxhimit të pandemisë, pas rritjes enorme të numrit të rasteve me koronavirus në vend.

Krasniqi, me anë të një postimi në ‘Facebook’, e ka cilësuar tragjedi situatën pandemike, derisa ka publikuar statistikat e Universitetit “Johns Hopkins”, të cilat e vendosin Kosovën të parën në botë për kah numri i rasteve në raport me popullsinë.

“Është këshillë e vlefshme që qytetarët të vazhdojnë të mbajnë distancë me njëri-tjetrin, si masë mbrojtëse nga Covid-19. Por, është po aq e vlefshme që Qeveria të mos mbajë distancë me qytetarin, siç ka bërë deri tash”, ka thënë ndër të tjera ai.

-Advertisement-

Tutje, kryetari i PDK’së ka kërkuar që, krahas masave, të tentojë të evitojë dëmet ekonomike.

Postimi i plotë i Memli Krasniqit:

Statistikat e institucioneve me renome botërore, si Universiteti “Johns Hopkins”, po e rëndisin Kosovën ndër vendet e para në botë për infektime të reja dhe humbje jetësh nga Covid-19, në proporcion me popullsinë.

Kjo tragjedi, që po thellohet çdo ditë, duhet të na shqetësojë e alarmojë të gjithëve, pa dallim.

Nëse nuk ndryshohet qasja aktuale e menaxhimit të pandemisë, pasojat do të jenë edhe më të rënda nga ato që sot qytetarët po i përjetojnë, ekonomia po i ndjen dhe profesionistët shëndetësorë po i vuajnë, për shkak të qëndrimit në distancë të Qeverisë.

Pandemia nuk duhet të jetë një çështje e luftës së brendshme politike, por front i përbashkët në interes të qytetarëve. Për këtë kam apeluar gjithnjë. Edhe sot, unë nuk po flas vetëm nga pozicioni i liderit opozitar, por si njeri që ndjen dhimbjen e secilës familje që është në ankthin e pandemisë – dëmi i së cilës është i gjithanshëm e kompleks.

Qytetarët nuk mund ta mbajnë të vetmuar barrën edhe të një mbylljeje tjetër, ekonomia nuk mund ta durojë edhe një goditje tjetër, arsimi nuk mund ta humbë edhe një hap tjetër. Mbi të gjitha, nuk duhet të tolerojmë të humbim jetë njerëzish, kur një menaxhim efikas mund të shpëtojë shumë prej tyre.

Andaj, qeveria duhet të reagojë urgjentisht! Jo vetëm me masa arbitrare, por edhe me plan konkret për zvogëlimin dhe evitimin e dëmeve që sjellin këto masa në shumë sektorë. Mbi të gjitha, duke siguruar vaksina të mjaftueshme në vazhdimësi, si dhe duke rritur kapacitetet dhe numrin e qendrave te vaksinimit, ashtu që qytetarët të mund të vaksinohen me kohë dhe pa pritje të gjata kohore, sikur po ndodh tash.

Është këshillë e vlefshme që qytetarët të vazhdojnë të mbajnë distancë me njëri-tjetrin, si masë mbrojtëse nga Covid-19. Por, është po aq e vlefshme që Qeveria të mos mbajë distancë me qytetarin, siç ka bërë deri tash. /Gazeta Express/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera