Lajme

Krasniqi kritikon gjuhën e përdorur për taksën në “Rrugën e Kombit”

Autori: Gazeta inFokus 11:49 | 26 March 2018

Jakup Krasniqi, kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, ka kritikuar komunikimin dhe gjuhën që po përdoren në debatin e ngritur kohët e fundit lidhur me taksën e vendosur për “Rrugën e Kombit”.

Krasniqi ka thënë se ata që po përdorin këtë gjuhë ndaj Shqipërisë, asnjëherë nuk e përdorin edhe ndaj Serbisë.

“Heshtjen e rreme e theu, për çudi, një taksë rrugore e përqendruar në një emër! Nuk jam duke potencuar, as i hedhur benzinë zjarrit pse ka reagime, meqenëse nuk mund të ofroj arsyeshmëri qoftë për apo qoftë kundër. Nuk dua të flas as pse ka reagime të kundërta, por, pse gjuha e komunikimit është po ajo e rrjeteve (jo)sociale. A nuk paska gjuha shqipe fjalë për t’i shfaqur kundërshtitë me edukatë e kulturë?! Ç’është kjo egërsi në komunikimin tonë?!”, ka shkruar Krasniqi, në një publikim të bërë në rrjetin social Facebook.

-Advertisement-

Ai thotë se gjuha shqipe jep mundësi për një komunikim më të kulturuar në debatet në mes të shqiptarëve.

Reagimi i plotë i Krasniqit: ALARMI JOKULTUROR NDËRSHQIPTAR

Gjuha shqipe jep mundësi për një komunikim më të kulturuar ndërshqiptar Para do kohësh isha i shqetësuar për komunikimin jokulturor në rrjetet (jo)sociale në gjuhën shqipe. Pas rrjeteve (jo)sociale, komunikimi jokulturor i pat përfshirë debatet në Kuvendin e Shqipërisë e të Kosovës, me akuza e kundërakuza prej më të tmerrshmeve. Por, kjo gjuhë e komunikimit nuk i kapërcente kufijtë e shteteve dhe mund të thuhet se ishte një paqe e rreme në mes shqiptarëve të të dy shteteve të një kombi.
Heshtjen e rreme e theu, për çudi, një taksë rrugore e përqendruar në një emër! Nuk jam duke potencuar, as i hedhur benzinë zjarrit pse ka reagime, meqenëse nuk mund të ofroj arsyeshmëri qoftë për apo qoftë kundër.

Nuk dua të flas as pse ka reagime të kundërta, por, pse gjuha e komunikimit është po ajo e rrjeteve (jo)sociale. A nuk paska gjuha shqipe fjalë për t’i shfaqur kundërshtitë me edukatë e kulturë?! Ç’është kjo egërsi në komunikimin tonë?! Është tejet interesante se këtë jokulturë komunikimi në të shumtën e herëve e kemi vetëm ndaj njëri-tjetrit. Me të tjerët sikur jemi më të kujdesshëm, sa edhe ndonjëherë në komunikimin me ta kemi shenja jokurrizore! Kështu, kam zënë t’i harroj komunikimet në rrjetet (jo)sociale.

Pasi po na del e saktë fjala popullore: “Për kë folën keq? Për atë që nuk ishte aty!” Në komunikimet prapashpine ka shenja të dukshme te një vullgarizmi të egër. Madje është më shumë se interesante, se kemi jo pak njerëz, që në komunikimin e tyre qoftë me të kaluarën, qoftë me të sotmen e Shqipërisë, kurdo kanë pasur gjuhë të ashpër komunikimi, të një jokulture të pa fre. Ndërsa, është tepër vështirë, që këtë gjuhë (nga të njëjtit) ta kemi dëgjuar ndonjëherë në raporte me Serbinë e djeshme apo të sotme!
Mbase, kjo ndodh, se nga politika serbe jemi trajtuar me “dinjitet”,apo jo?! Nejse! Siç po duket, gjithherë paskemi qenë trimoshë me njëri-tjetrin! Mbase këto probleme nuk mund të lidhen vetëm me jokulturën në komunikim!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova
-Advertisement-

Të tjera